34

Anomalitë kongenitale të traktit genital femëror – Një vështrim i shpejtë…

 

Anomalitë Mulleriane janë anomali kongenitale çka do të thotë ndodhin gjatë zhvillimit fetal dhe janë prezente që në lindje.  Ndërkohë që formohet embrioni, dy duktuset mulleriane zhvillohen dhe formojnë traktin riprodhues femëror që përfshin tubat e fallopit, mitrën, qafën e mitrës dhe 2/3 e sipërme të vaginës.

Një gamë e gjerë malformacionesh mund të ndodhin kur ky proçes nuk kryhet siç duhet.

 

Shkaqet e anomalive mulleriane mund të jenë të trashëgueshme, të tjera mund të jenë të lidhura me një mutacion gjenik ose defekt zhvillimi.

 

Llojet e anomalive mulleriane

 

Ka disa forma të anomalive mulleriane që variojnë nga mungesa e plotë e mitrës tek formimi i një mitre jo të plotë, apo një mitre të dyfishtë.

 

-Agenezia mulleriane- organet genitale nuk zhvillohen.  Mungon mitra, qafa e mitrës dhe pjesa e sipërme e vaginës.  Shembulli më tipik është sindromi Rokitanski-Kuster-Hauser.

 

-Hipoplazitë- janë rastet kur organet zhvillohen pak ose mbeten rudimentare.

 

-Atrezitë- janë rastet  kur ndodhin bllokime në nivele të ndryshme të vaginës, që pengojnë derdhjen e fluksit menstrual.

 

-Uterusi unikorn- ndodh kur njëri nga duktuset mulleriane është plotësisht ose pjesërisht i pazhvilluar.  Në këtë rast kemi praninë e një gjysëm-mitre në formën e një bananeje. Mund të shoqërohet me mungesën e veshkës së anës difektoze.

Uterusi unikorn mund të jetë me ose pa korn rudimentar.   Kur briri rudimentar nuk ka kavitet komunikues me pjesën tjetër të mitrës, mund të shkaktojë probleme dhe duhet hequr me rrugë kirurgjikale.

 

-Uterusi didelf- shpesh i referohen si uterusi i dyfishtë.  Në rastin e uterusit didelf kemi dy uteruse të veçanta, me dy kolume.  Kavitetet uterine janë plotësisht të ndara, por kolumet janë shpesh të bashkuara në pjesën e jashtme të tyre.  Vagina në këto raste mund të jetë me septum ose jo.  Ndonjëherë septumi i vaginës mund të jetë asimetrik dhe i mbyllur në njërën gjysëm duke shkaktuar hematokolpos (gjaku menstrual grumbullohet në vaginë), hematometër (gjaku menstrual grumbullohet në uterus) të kësaj ane, ndërkohë që gjysma tjetër funksionon normalisht, duke krijuar në dukje një imazh të funksionit normal të traktit genital.  Shpesh në këto raste mungon veshka e anës difektoze.

Uterusi didelf ka shancet më të mira për shtatëzëni nga të gjitha anomalitë mulleriane.

 

-Uterusi bikorn- është forma më e shpeshtë e anomalive mulleriane.  Përshkruhet si mitra me dy brirë.  Në këtë anomali, pjesa e sipërme e uterusit është e ndarë, ndërsa pjesa e poshtme e tij dhe kolumi, janë të bashkuara.  Si pasojë e kësaj forme bebi ka më pak hapësirë për t’u rritur sesa në një mitër me formë normale.

 

-Uterus septa- në këtë rast kemi uterusin të ndarë nga një septum.  Septum mund të jetë i pjesshëm ose i plotë dhe të shkojë deri në qafën e mitrës.

 

-Uterusi në formë T- është i lidhur me marrjen e dietilsilbestrolit-DES-nga ana e nënës.  Kemi një kavitet uterin në formë T, me brirë të zgjeruar dhe me një qafë mitre të keqformuar.

 

-Uterusi arkuat – kemi të bëjmë me një mitër në të cilën pjesa e sipërme e saj është në formë harku.  Uterusi arkuat konsiderohet një variacion i normales.

 

– Dështimi i kanalizimit të vaginës- çon në mungesën e vaginës ose në himenin e paperforuar.  Nëse nuk diagnostikohet në fëmijëri, fillon të japë shenja klinike në pubertet ose më vonë- dismenorre, amenorre parësore, hematokolpos me fluks menstrual retrograd.

Himeni i paperforuar- zakonisht i shfaq problemet në pubertet, kur konstatohet  amenorrea parësore (ka mungesë totale menstruacionesh),  si edhe dhimbje të vazhdueshme në fundin e barkut.

 

Diagnoza

Shpesh anomalitë mulleriane diagnostikohen në fillim të pubertetit- kur normalisht duhet të shfaqen menstruacionesh dhe në shumë raste kemi mungesën e tyre.

Një anomali mund të diagnostikohet edhe gjatë kohës që një grua po përpiqet të mbesë shtatëzanë apo ta mbajë një shtatëzëni.

Disa çrregullime shoqërohen me:

  • dhimbje pelvike
  • dhimbje/diskomfort gjatë marrëdhënieve seksuale
  • çrregullime menstruale

 

Diagnoza shpesh vendoset nga ekzaminimet imazherike me interpretimin e mjekut tuaj.

 

Trajtimi

 

Në disa raste, anomalitë mund të lihen të patrajtuara, sidomos në ato raste që nuk ndikojnë në riprodhim.  Anomalitë mulleriane që nuk lejojnë menstruacionin apo shkaktojnë dhimbje sinjifikante, zakonisht trajtohen kirurgjikisht.

 

A mundet në vajzë/grua me këto anomali të mbesë shtatëzënë dhe ta çojë këtë shtatëzëni në term?

 

Anomalitë mulleriane që ndikojnë në riprodhim si një uterus septa, mund të korrigjohen, duke i rritur shancet për një shtatëzëni të suksesshme.

Gratë me një anomali kongenitale që nuk kanë mundur të mbesin shtatëzënë brenda një periudhe 6 mujore përpjekjesh, duhet të konsultohen me një specialist fertiliteti të specializuar në kirurgji.

Kirurgjia mund të riparoje defektin,  të eleminojë diskomfortin gjatë ciklit menstrual apo gjatë marrëdhënieve seksuale.

 

Dr.Ardi Prushi

Përshtati: Frisiana Mirashi

 

32

Dyspareunia – Kontakti i dhimbshëm

Dispareunia është termi që emërton dhimbjen e vazhdueshme në zonën gjenitale ose në pjesën e legenit përgjatë kryerjes së marrëdhënieve. Dhimbja mund të jetë e fortë dhe intense. Mund të ndodhë para, gjatë, ose pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale. Disparuenia haset më shpesh te gratë. Shkaqet e mundshme janë të shumta, por mund të trajtohet.

Çfarë e shkakton dispareuninë?

Dispareunia mund të vijë prej shkaqeve të ndryshme, duke përfshirë këtu probleme fizike ose faktorë emocionalë.

Ndër shkaktarët fizikë të dispareunisë përmendim:

  1. Thatësia vaginale prej menopauzës, lindjes, gjidhënies, medikamenteve të caktuara, ose eksitimit të pamjaftueshëm para aktit.
  2. Probleme me lëkurën që shkaktojnë ulçera, çarje, kruarje, ose djegie.
  3. Infeksione si myku ose ato të traktit urinar.
  4. Dëmtime ose trauma nga procesi i lindjes, aksidente, episiotomi, histerektomi, ose operacione kirurgjikale në zonën e legenit.
  5. Vulvodynia, ose dhimbje e përqëndruar në zonën e vulvës.
  6. Vaginitis, ose inflamacion i vaginës.
  7. Vaginismus, ose tkurrje spontane e muskujve të murit vaginal.
  8. Endometrioza
  9. Cystitis (infeksioni i vezikës urinare)
  10. Sëmundja inflamatore e legenit.
  11. Fibroide të mitrës.
  12. Sindroma e zorrës së irrituar.
  13. Rrezatimi dhe kimioterapia.

 

Faktorë që ulin dëshirën seksuale ose ndikojnë në aftësinë për t’u eksituar mund gjithashtu të shkaktojnë dispareuni. Ndër këta faktorë përmendim:

  1. Stresin, që mund të rezultojë në tkurrjen e muskujve të legenit.
  2. Frikë, ndjesi faji ose turpërimi të lidhura me seksin.
  3. Probleme me imazhin.
  4. Barna si kontraceptivët.
  5. Problemet me partnerin.
  6. Gjendje shëndetësore si kanceri, artriti, diabeti, ose sëmundje të tiroides.
  7. Historik i abuzimit seksual ose përdhunimit.

Cilat janë simptomat e dispareunisë?

Dhimbja prej dispareunisë varion dhe mund të ndihet:

  1. Në vaginë, uretra, ose fshikëz.
  2. Përgjatë penetrimit.
  3. Përgjatë ose pas aktit.
  4. Në zonën e legenit përgjate aktit.
  5. Pas kryerjes së marrëdhënieve normale pa dhimbje.
  6. Vetëm me partner ose rrethana specifike.
  7. Në rastet e përdorimit të tamponit.
  8. E shoqëruar me ndjesi djegieje ose kruarjeje.
  9. E shoqëruar me dhimbje të ngjashme me ato menstrualet.

Cilët janë më të rrezikuar për dispareunia?

Si burrat, edhe gratë mund të përjetojnë dispareunia, megjithatë haset më shpesh në gjininë femërore. Dispareunia renditet ndër problemet më të zakonshme në gra në periudhën postmenopausale.

 

Rreth 75% e grave përjetojnë dhimbje përgjatë aktit të paktën një herë, duke iu referuar Kolegjit Amerikan të Obstetërve dhe Gjinekologëve. Risku është më i lartë nëse:

  1. Merrni medikamente që sjellin si efekt thatësinë vaginale.
  2. Keni një infeksion viral ose bakterial.
  3. Gjendeni në periudhën postmenopausale.

Si diagnostikohet dyspareunia?

Teste të caktuara e ndihmojne mjekun të identifikojë dhe diagnostikojë dispareuninë. Zakonisht mjeku e nis duke krijuar një historik të plotë mjekësor dhe seksual të pacientit. Pyetje që mund të prisni janë:

  1. Kur dhe ku ndjeni dhimbje?
  2. Cilët partnerë ose pozicione ju shkaktojnë dhimbje?
  3. A ju shkaktojnë dhimbje edhe aktivitete të tjera të përditshme?
  4. A është partneri juaj i gatshëm t’ju mbështesë?
  5. A jeni në dijeni të gjendjeve të tjera shëndetësore që mund të jenë duke kontribuar në dhimbjen tuaj?

Një ekzaminim i legenit është gjithashtu i zakonshëm për diagnostikimin e saktë. Përgjatë kësaj procedure, mjeku do të kontrollojë zonën e jashtme dhe të brendshme të legenit për shenja të:

  1. Thatësisë.
  2. Inflamacionit ose infeksionit.
  3. Problemeve anatomike.
  4. Lythave gjenitalë.
  5. Dëmtimeve.
  6. Masave anormale.
  7. Endometriosis

 

Ekzaminimi i brendshëm (internal) bëhet me anë të një speculum, pajisje e cila përdoret edhe për të kontrolluar vaginën gjatë një Pap testi. Mjeku gjithashtu mund të përdorë një tampon pambuku për të ushtruar trysni në zona të ndryshme të vaginës, në mënyrë që të përcaktojë vendndodhjen e dhimbjes.

Mjeku mund të kërkojë kryerjen e testeve shtesë si:

  1. Ultratinguj të zonës së legenit.
  2. Test për kontrollin e infeksioneve.
  3. Test urine.
  4. Test alergjie.
  5. Këshillim psikologjik për prezencen e shkaktarëve emocionalë.

Si trajtohet dispareunia?

Medikamente

Trajtimi i dispareunisë bazohet në shkaktarin e dhimbjes. Nëse dhimbja vjen si pasojë e një infeksioni ose shkaktarëve të tjerë fizikë, mjeku mund të zgjedhë ta trajtojë atë me:

  1. Antibiotikë
  2. Antifungalë
  3. Kortikosteroidë topikalë ose të injektueshëm.

Nëse barna të caktuara janë duke ju sjelle thatësi vaginale, mjeku mund të vendosë për ndryshimin e recetës. Medimakente alternative mund gjithashtu të ndihmojnë në rikthimin e lubrikimit natyral dhe reduktimin e dhimbjes.

Nivelet e ulta të estrogjenit mund të shkaktojnë dispareuni në disa gra. Tableta, kremra, ose një unazë fleksible, mund të bëjnë të mundur clirimin e një doze të rregullt estrogjeni në vaginë.

 

Trajtimi në shtëpi

Trajtimet e mëposhtme mund të ndihmojnë në reduktimin e simptomave të dispareunisë:

  1. Përdorimi i lubrifikantëve që treten në ujë.
  2. Kryerja e marrëdhënieve kur ju dhe partneri juaj ndiheni gati.
  3. Komunikimi i hapur me partnerin në lidhje me dhimbjen e përjetuar.
  4. Shkarkimi i fshikëzës para kryerjes së marrëdhënieve.
  5. Dushi para kryerjes së marrëdhënieve
  6. Aplikimi i akullit në vulva për të qetësuar djegien pas seksit.

Terapitë alternative

Mjeku mund t’ju rekomandojë terapinë, ku përfshihen terapia e desensitizimit ose terapia e seksit. Në terapinë e desensitizimit, do të mësoni rreth teknikave të relaksimit të vaginës, si ushtrimet e Kegelit, të cilat reduktojnë dhimbjen.

Në terapinë e seksit, do të mësoni sesi të rivendosni intimitetin dhe të përmirësoni komunikimin me partnerin tuaj.

Parandalimi i dispareunisë

Në fakt, nuk ka asnjë parandalim specific i dispareunisë. Megjithatë, hapat e mëposhtëm mund të ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut për dhimbje përgjatë aktit:

  1. Pas lindjes, pritja e të paktën gjashtë javëve para rifillimit të aktivitetit seksual.
  2. Përdorimi i lubrifikantëve të tretshëm në ujë në rastet kur thatësia vaginale paraqitet si problem.
  3. Higjiena
  4. Mosshmangia e kontrolleve mjekësore rutinë.
  5. Parandalimi i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme me anë të përdorimit të prezervativëve ose barrierave të tjera.
  6. Inkurajimi i lubrifikimit vaginal natyral me anë të kohës së mjaftueshme të stimulimit para kryerjes së aktit.

Dr. Ardi Prushi

Përshtati: Ajna Gjyla

 

 

29

A është cikël apo spotting?

Dallimet  spotting (njolla gjaku)  vs periodat

A është  spotting apo menstruacione?

  • Spotting i referohet gjakderdhjes shumë të lehtë vaginale ose shkarkimit kaf që ndodh në mes të ciklit menstrual.
  • Menstruacionet janë gjakderdhja mujore që ndodh në gratë e moshës riprodhuese.
  • Spotting mund të ndodhë për një sërë shkaqesh. Ju duhet të telefononi mjekun tuaj ose një profesionist tjetër të kujdesit shëndetësor nëse jeni shtatzënë dhe përjetoni spotting ose gjakderdhje të çfarëdo lloji.
  • Gjakderdhja e implantimit në shtatzëninë e hershme është një shkak i zakonshëm i spotting dhe nuk konsiderohet anomali.

 

Si të dalloni nëse bëhet fjalë për  periodat apo spotting (simptomat dhe shenjat)

Menstruacionet ose  periodat i referohen gjakderdhjes mujore vaginale që përjetohet nga gratë e moshës riprodhuese. Shumica e grave i njojin menstruacionet e tyre.  Cikli menstrual tipik zgjat 28 ditë. Gjakderdhja menstruale është e mjaftueshme për të kërkuar përdorimin e një linesi ose tamponit dhe zgjat mesatarisht  3-5 ditë. Menstruacionet ndalen gjatë shtatëzënësisë.

 

 

Simptomat e  menstruacioneve

  • Krampet në bark ose në pjesën e poshtme të shpinës
  • Fryrje ose shtim i lehtë i peshës
  • Gjinj të dhimbshëm dhe të fortë
  • Luhatje humori
  • Dhimbje koke
  • Lodhja

 

Simptomat e spotting

Spotting zakonisht është gjakderdhje shumë më e lehtë sesa gjakderdhja normale menstruale. Ndryshe nga një periodë normale, zakonisht është aq e lehtë sa që nuk kërkohet një lines  ose tampon. Spotting  mund të ketë ngjyrë të kuqe ose kafe dhe ndodh kur nuk keni  një cikël menstrual të rregullt. Spotting mund të mos ketë ndonjë simptomë të lidhur me të, por nëse ndodh si rezultat i një gjendjeje mjekësore, mund të keni simptoma si:

  • Gjakderdhje e rëndë gjatë menstruacioneve
  • Cikël menstrual jo i rregullt
  • Dhimbje barku
  • Djegie ose dhimbje gjatë urinimit
  • Dhimbje ose djegie gjatë marrëdhënieve seksuale
  • Shkarkime vaginale, skuqje ose kruajtje

 

 

Çfarë e shkakton spotting? A është serioze?

Spotting ka një sërë shkaqesh mjekësore, duke filluar nga të padëmshme deri te më  potencialisht serioze:

  • Gjakderdhje nga implantimi: Shumë gra përjetojnë spotting në javët e para (tremujorin e parë) të shtatzënisë. Gjakderdhja implantuese është një shkak i zakonshëm i spotting. Kjo ndodh në fillim të shtatzënisë, kur një vezë e fekonduar ngjitet në murin e mitrës (e njohur si implantim). Një grua mund të gabojë dhe ta mrrë këtë gjakderdhje të lehtë për implantim për një menstruacion  dhe për këtë arsye nuk e kupton që është shtatzënë.
  • kontracepsioni: Disa metoda të kontracepsionit mund të shkaktojnë spotting, përfshirë pilulat kontraceptive, veçanërisht kur ato përdoren për herë të parë. Ndërrimi i pilulave ose përdorimi i vazhdueshëm i tyre  gjithashtu mund të shkaktojë njolla. Disa gra me një IUD (pajisje intrauterine) për kontrollin e lindjes gjithashtu raportojnë spotting.
  • Sindroma e vezoreve policistike (PCOS) është një gjendje e zakonshme në të cilën formohen kiste të shumta në vezore. Mund ta bëjë të vështirë për të mbetur shtatzënë dhe mund të shkaktojë çrregullim të ciklit menstrual dhe gjakderdhje.
  • Rritjet beninje në mitër ose në qafën e mitrës, si fibromat ose polipet e qafës së mitrës, mund të shkaktojnë gjakderdhje jo të rregullt dhe spotting.
  • Infeksionet, përfshirë sëmundjet seksualisht të transmetueshme (SST), janë një tjetër shkak i mundshëm i spotting ose gjakderdhjeve të mëdha ndërmjet menstruacioneve.
  • Tranzicioni në menopauzë është një kohë kur nivelet e hormoneve të grave mund të ndryshojnë shumë, ndonjëherë duke shkaktuar spotting ose perioda të çrregullta.
  • Trauma e çdo lloji, përfshirë përdhunimin ose seksin e ashpër, mund të dëmtojë vaginën dhe të çojë në gjakderdhje të pazakontë ose spotting.
  • Ndërsa shumica dërrmuese e spotting në gratë shtatzëna nuk është prej shkaqeve serioze, spotting ose gjakderdhje në shtatzëninë e hershme ka të bëjë ndonjëherë me abort ose shtatzëni ektopike (një shtatzëni që është implantuar jashtë mitrës, më së shpeshti në tubin Fallopian) .

Nëse keni spotting të vazhdueshëm ose gjakderdhje anormale vaginale, apo spotting pas menopauzës, duhet të vlerësoheni nga mjeku ose një profesionist tjetër i kujdesit shëndetësor.

 

 

Cilët janë faktorët e riskut për njollosjen?

Njollosja ka më shumë të ngjarë të ndodhë në gra të caktuara të cilat:

  • Po i afrohen menopauzës
  • Janë shtatzënë
  • Kanë ndërruar metodat e kontraceptimit, duke përfshirë këtu një IUD të ri ose sapo kanë filluar të marrin pilula kontraceptive
  • Kanë infeksione të organeve seksuale, përfshirë IST dhe sëmundje inflamatore të pelvisit (PID)
  • Kanë tumore fibroide të mitrës ose polipe të qafës së mitrës
  • Kanë sindromë të vezoreve policistike

 

 

Si e diagnostikojnë mjekët shkakun e spotting?

Shkaku i gjakderdhjes vaginale ose spotting kërkon një histori të plotë të simptomave (kur ndodh dhe çdo simptomë shoqëruese, metodat e kontracepsionit dhe historia e ndonjë gjendje mjekësore ose infeksioni).

  • Një ekzaminim i pelvisit është zakonisht hapi i parë për diagnostikimin.
  • Kryhet një test shtatzënie për gratë në moshën riprodhuese.
  • Mund të porositen teste speciale si Pap testi ose kultura.
  • Në disa raste, urdhërohen analiza të gjakut ose urinës.
  • Studimet imazherike vaginale ose abdominale mund të jenë të dobishëm në diagnostikimin e shkakut të spotting ose gjakderdhjeve.

 

 

Cilat janë trajtimet për spotting?

Trajtimet varen nga shkaku. Shumë shkaqe të spotting nuk janë serioze dhe nuk kërkohet asnjë trajtim.

Për infeksionet, tregohet terapi me antibiotikë. Gratë me PCOS që dëshirojnë të mbeten shtatzënë mund të trajtohen me ilaçe që rrisin pjellorinë ose teknologji të asistuara të riprodhimit. Kirurgjia mund të kërkohet në disa raste për të hequr polipet e qafës së mitrës ose miomat e mitrës që janë duke shkaktuar gjakderdhje.

Për gratë që dëshirojnë një cikël më të rregullt menstrual, ndonjëherë pilulat kontraceptive  ose trajtimet hormonale mund të jenë të dobishme.

 

 

Çfarë të bëni nëse nuk jeni të sigurt nëse keni spotting  apo keni menstruacione

 

Flisni me mjekun tuaj ose një profesionist tjetër të kujdesit shëndetësor nëse nuk jeni i sigurt nëse bëhet fjalë për menstruacione apo spotting.

Mos harroni, spotting i është gjakderdhje e lehtë që nuk rëndohet si një gjakrrjedhje tipike menstruale. Menstruacionet normale  zakonisht shoqërohen me disa simptoma të tjera si ndjeshmëria e gjirit ose krampet  siç përshkruhen më parë, dhe shpesh shoqërohet me rrjedhje të rëndë. Gjatë ditës së parë të menstruacioneve tuaja gjakderdhja mund të jetë e lehtë, por zakonisht bëhet më e rëndë gjatë ditëve në vijim.

Spotting nuk përkeqësohet dhe nuk shoqërohet me simptomat e sipërpërmendura..

Një test shtatzënie në shtëpi mund të jetë i dobishëm nëse besoni se keni spotting  për shkak të shtatzënisë së hershme, ose mund të përjetoni shenja dhe simptoma të hershme të shtatzënisë.

Ju gjithmonë duhet të kontaktoni mjekun tuaj ose një profesionist tjetër të kujdesit shëndetësor nëse përjetoni ndonjë gjakderdhje vaginale, spotting nëse jeni shtatzënë ose nëse keni arritur menopauzën, ose në çdo kohë që keni gjakderdhje të pazakontë që ju shqetëson.

10

Vaginitis – Kam djegie e krruarje…

Vaginitis është inflamacioni i vaginës si pasojë e një disbalance të mykut dhe bakterieve që normalisht jetojnë aty.

Krahas diskomfortit, mund të vini re dhe një erë  ndryshe nga normalja. Infeksioni mund të shkaktohet nga bakteret, myku ose viruset.

Kimikatet në sapunë, spray ose në veshje që kanë kontakt me këtë zonë mund të irritojnë lëkurën delikate.

Në momentin që vini re të tilla ndryshime është e këshillueshme ti drejtoheni doktorit tuaj.

Tipet dhe shkaqet e vaginitis

Shkaktarët më të shpeshtë janë :

-Vaginoza bakteriale- inflamacioni i vaginës nga një rritje bakteriale. Shoqërohet me erë të rëndë, të keqe.

-Kandida ose infeksioni mykotik, nga rritja e fungeve kandida, që normalisht janë në sasi të vogla në vaginë.

-Klamidia është infeksioni më i shpeshtë i transmetuar seksualisht tek gratë, zakonisht të moshave 18 deri në 35 që kanë patur partnerë të shumtë seksualë.

-Gonorrea- një tjetër infeksion seksualisht i transmetueshëm.

-Trikomoniazis- një infeksion i transmetuar gjatë seksit i shkaktuar nga një parazit. Rrit riskun për SST të tjera.

-Vaginiti viral- inflamacion i shkaktuar nga një virus, si herpes simplex virus (HSV) ose papiloma virus (HPV) që shpërhapet përmes seksit.

 

Sëmundjet  seksualisht të transmetueshme shpeshherë janë asimptomatike. Nëse jeni seksualisht aktive dhe sidomos nëse keni partnerë të shumtë seksualë, duhet të flisni me doktorin tuaj dhe të testoheni për to.

Nëse lihen të pamjekuara të tilla sëmundje mund të shkaktojnë dëmtime të përhershme në organet tuaja riprodhuese. Gjithashtu ekziston risku i transmetimit tek partneri juaj.

 

Ndonjëherë kruarjet, djegiet apo sekrecionet e shtuara mund të ndodhin edhe pa praninë e e një infeksioni (vaginitis joinfeksioz). Më shpesh ndodh si reaksion alergjik ose irritim nga produkte si:

-Detergjentë

-Zbutësit e rrobave

-Sapunët e aromatizuar

-Spermicidet

-Spray vaginalë

 

Gjithashtu mund të ndodhë nga niveli i ulët i hormoneve seksuale si rrjedhojë e menopauzës ose heqjes kirurgjikale të ovareve.  Karakteristike është thatësia e vaginës dhe emërtimi që merr është vaginitis atrofik. Marrëdhëniet seksuale bëhen të dhimbshme dhe mund të ndjeni kruarje dhe djegie.

 

Diagnoza pa dyshim duhet vendosur nga një doktor i specializuar.  Dy shkaqet më të zakonshme të vaginitis janë infeksioni mykotik dhe bakterial. Në të dyja rastet ju mund të vini re sekrecione të bardha në gri.  Sekrecionet me erë të keqe probabilisht janë nga një infeksion bakterial. Nga ana tjetër nëse këto sekrecione kanë një konsistencë të shtuar mund të jetë infeksion mykotik.

Simptomat e vaginitis

Sekrecione me erë të rëndë

Djegie ose kruarje

Irritim i zonës intime më i shtuar gjatë natës

Përkeqësimi i simptomave gjatë marrëdhënieve seksuale

Trajtimi

Çelësi për trajtimin e infeksioneve vaginale qëndron në diagnostikimin e saktë. Mundohuni të përshkruani me përpikmëri erën, ngjyrën, sasinë, konsistencën e sekrecioneve tek doktori juaj.

Shmangni marrjen e medikamenteve që jepen pa recetë, pa marrë më herët mendimin dhe sugjerimin e doktorit.

Vaginiti joinfeksioz menaxhohet duke shmangur agjentin irritues/shkaktar.

Për ndryshime hormonale dhe probleme të tjera që kërkojnë mjekim të specializuar është doktori juaj ai që ju orienton.

 

Dr.Ardi Prushi

Përshtati: Frisiana Mirashi

 

Check up rutinë… Kur duhet filluar?

 

Kur bëhet fjalë për kujdesin ndaj shëndetit të tyre, gratë përballen me më shumë komplikacione sesa burrat. Përvec lindjes së fëmijës dhe menopauzës, shumë kushte të zakonshme shëndetësore ndikojnë ndryshe tek gratë. Për shembull, sëmundja e zemrës është shkaku kryesor i vdekjes për burrat dhe gratë në SH.B.A., por gratë kanë më shumë të ngjarë të vdesin pas një ataku kardiak. Lajmi i mirë është se gratë janë zakonisht aktive me vizitat parandaluese shëndetësore.

“Mund të duket mbingarkuese, por sa më herët gratë të fillojnë me kujdesin parandalues, aq më mirë”, thotë Dr. Mary Rosser, një OB-GYN (mjeke obstetër gjinekologe) në New York-Presbyterian / Columbia University Irving Center dhe një profesor asistente e obstetrikës dhe gjinekologjisë në Universitetin Columbia Kolegji Vagelos i Mjekëve dhe Kirurgëve. “Kujdesi i hershëm i pacientit për depistimin dhe parandalimin është thelbësor për të ruajtur rezultatet pozitive të shëndetit. Ne duhet të adresojmë shëndetin e përgjithshëm të grave në një mënyrë gjithëpërfshirëse, të personalizuar, në mënyrë që kujdesi të përqendrohet në pacientin individual, rrezikun  dhe nevojat e saj. ”

Dr. Rosser është kryetare e një Task Force  të Kolegjit Amerikan të Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG) për t’u përqëndruar në sigurimin e një kujdes më të efektshëm, të personalizuar gjatë gjithë jetës të grave.

Kontrollet që duhen kryer për vajzat në adoleshencën e tyre

  • Vizitë në OB-GYN: Duke filluar nga 13-17 vjeç, vajzat duhet të takohen me një mjek obsteter gjinekolog për të filluar të kuptojnë se çfarë të presin në vizitat në të ardhmen dhe të marrin informacione se si të qëndrojnë të shëndetshëme. Pacientët adoleshentë nuk kanë nevojë domosdoshmërisht për një ekzaminim pelvik (të legenit), edhe nëse janë seksualisht aktivë dhe nuk kanë nevojë për Pap test deri në moshën 21 vjeç, pasi studimi sugjeron se rreziqet e ofrimit të depistimit të qafës së mitrës para moshës 21 vjeç janë më të mëdha se përfitimet. “Edhe midis moshave 21-25 vjeç, udhëzimet e fundit tregojnë se përfitimi i depistimit është jashtëzakonisht i ulët,” shpjegon Dr. Rosser. “Kur jeni nën 25 vjeç, është e zakonshme të keni ndryshime në qelizat e qafës së mitrës – qelizat jonormale – dhe këto zakonisht zhduken vetvetiu. Marrja e një rezultati jonormal të Pap testit shpesh çon në teste pasuese të cilat kanë një shans të vogël, por real për të shkaktuar komplikime. ” Kjo vizitë mund të përfshijë gjithashtu:
  • Këshillim kontraceptiv – pavarësisht nëse një adoleshent është ose jo seksualisht aktiv. “Më pëlqen të prezantoj idenë e aktivitetit seksual, duke u kujdesur për trupin tuaj dhe duke respektuar trupin tuaj së pari, si dhe si të mbroheni. Ne diskutojmë për kontracepsionin dhe çfarë duhet të shikojmë në lidhje me marrëdhëniet e shëndetshme dhe dhunën nga partneri, “thotë ajo.
  • Orientimi seksual dhe dëshirat gjinore. “Është me të vërtetë e rëndësishme që njerëzit të ndihen rehat me klinicistin që ata zgjedhin, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të flasin për dëshirat e tyre gjinore dhe orientimin seksual nëse zgjedhin”, thotë Dr. Rosser.
  • Vaksina kundër Virusit të Papillomës (HPV): Vaksina HPV mbron nga shfaqja e kancerit më vonë gjatë jetës, siç është kanceri i qafës së mitrës. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve  rekomandon që të gjithë djemtë dhe vajzat të bëjnë vaksinën e tyre HPV në moshën 11 ose 12 vjeç.
  • Kontrolli i presionit të gjakut: Kjo vlerëson për faktorët e rrezikut si diabeti, mbipesha dhe sëmundjet e zemrës. “Ndërsa mund të duket herët për të diskutuar këto çështje, nga përvoja ime, është më mirë të filloni këto biseda më shpejt në mënyrë që vajzat të jenë të ditura për t’u kujdesur për shëndetin e tyre dhe trupat e tyre”, thotë Dr. Rosser. “Sa më shumë që flisni për këtë, aq më shumë ata do të dëgjojnë. Të mësuarit është përsëritje. ”
  • Ekzaminimi i lipideve: Duke filluar në vitet e vonë të adoleshencës. Kjo test gjaku kontrollon sasinë e kolesterolit dhe triglicerideve.

Këto vizita shëndetësore janë gjithashtu një mundësi për të folur në lidhje me alkoolin, përdorimin e drogës dhe përdorimin e duhanit, si dhe tema të tilla si ankthi dhe depresioni”, shton Dr. Rosser.

 

Kontrollet që duhen kryer për gratë në moshat 20 dhe 30 vjeç

  • Vizitë e kujdesit parësor: Një herë në vit. “Të 20-tat dhe të 30-at tuaja janë një kohë e shkëlqyeshme për të ruajtur shëndetin që keni ose për të identifikuar faktorët tuaj të rrezikut për sëmundje të ndryshme, pavarësisht nëse është mbipesha, diabeti, historia familjare e çështjeve si kanceri dhe sëmundjet e zemrës, ose zvogëlimi i rrezikut të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme”, thotë Dr. Rosser.
  • Pap-testi dhe ekzaminimi pelvik : Një Pap-test bëhet gjatë një vizite të OB-GYN për depistimin e kancerit të qafës së mitrës dhe HPV. Është një keqkuptim i zakonshëm që gratë kanë nevojë për një Pap test çdo vit, thotë Dr. Rosser. “Udhëzimet nga ACOG dhe organizatat e tjera shëndetësore të grave zakonisht këshillojnë një ulje të numrit të testeve që gratë marrin gjatë gjithë jetës së tyre për t’u siguruar se marrin përfitimet e testimit janë maksimalle dhe duke minimizuar dëmin.”

o Gratë e moshës 21-29 vjeç duhet të kontrollohen për kancer të qafës së mitrës çdo tre vjet. Për gratë e moshave 21-25, përfitimi i një Pap testi është shumë më i vogël sepse rreziku i kancerit të qafës së mitrës është jashtëzakonisht i ulët. Sidoqoftë, për gratë që nuk kanë bërë vaksinën HPV, shqyrtimi mund të konsiderohet. Nëse nuk jeni të sigurt, ju lutemi diskutoni me OB-GYN tuaj.

o Gratë e moshës 30–65 vjeç duhet të kontrollohen çdo tre vjet vetëm për kancerin e qafës së mitrës, çdo pesë vjet vetëm për HPV, ose çdo pesë vjet nëse bashkë-testohet për të dy.

  • Ekzaminimi klinik i gjirit: Kjo zakonisht fillon në moshën 19 vjeçare.
  • Kontrollimi i infeksionit seksualisht të transmetueshëm (IST): Të gjitha gratë aktive seksualisht, më të reja se 25 vjeç duhet të testohen për Gonorrea dhe Klamidia çdo vit. Gratë 25 vjeç e lart që kanë partnerë të rinj ose të shumtë seksualë ose një partner që ka një IST duhet gjithashtu të testohen për Gonorre dhe Klamidia çdo vit. Ekzistojnë një numër shqyrtimesh të tjera të IST-ve që gratë mund të dëshirojnë të marrin në konsideratë me mjekun e tyre, veçanërisht nëse kanë partnerë të shumtë seksi. “Nëse jeni seksualisht aktiv, testimi për IST është një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëni për të mbrojtur shëndetin tuaj”, shton Dr. Rosser. “Sigurohuni që të keni një bisedë të hapur dhe të sinqertë në lidhje me historinë tuaj seksuale dhe testin e IST me mjekun tuaj dhe pyesni nëse duhet të testoheni për IST.”

Shënim: Kontrolli për IST gjatë shtatëzënësisë ndodh në intervale specifike.

  • Planifikimi familjar: Kjo bëhet gjatë një vizite me mejkun obstetër gjinekolog ; sjell vëmendje ndaj kontracepsionit, shëndetit riprodhues dhe planifikimit riprodhues, të gjitha këto janë të rëndësishme për gratë e interesuara për krijimin e një familjeje.

o Për gratë që kanë qenë shtatzënë në të kaluarën, vlerësimi i historisë së shtatzënisë është kritik. Për shembull, nëse dikush ka diabet ose ka pasur probleme të presionit të gjakut, siç është preeklampsia ndërsa është shtatzënë, kjo rrit rrezikun e tyre për të pasur sëmundje të zemrës gjatë jetës së tyre. “Shtatzënia shpesh është një dritare në shëndetin e ardhshëm të një gruaje”, thotë Dr. Rosser.

  • Kontrollimi i presionit të gjakut: Një herë në vit. Për shkak se sëmundja e zemrës është shkaku kryesor i vdekjes për gratë në Sh.B.A., Dr. Rosser këshillon që t’i kushtohet vëmendje e madhe presionit të gjakut, kolesterolit, menaxhimit të peshës dhe faktorëve të jetesës si dieta dhe ushtrimet fizike. “Është mirë të kontrolloni presionin tuaj të gjakut disa herë në vit, jo vetëm gjatë kontrollit një herë në vit.”
  • Opsionale: Testimi gjenetik. “Nëse ka një histori të fortë familjare të kancerit, duke përfshirë kancerin e gjirit, vezoreve, kancerin e qafës së mitrës ose kancerin e zorrës së trashë, atëherë unë do t’i referoj këto gra tek një këshilltar gjenetik”, thotë Dr. Rosser.

Mendimi i ekspertëve: ” Grate , veçanërisht ato që lënë pediatrin e tyre dhe kalojnë  të 20-at, 30-at dhe madje 40-at “, duhet ti përdorin këto vizita me mjekun  për t’u përqëndruar në të gjithë aspektet e shëndetit të gruas.

* Këto udhëzime updatohen rregullisht nga organizata të ndryshme të bazuara në kërkime dhe ndryshojnë në varësi të faktit nëse një grua ka pasur  histerektomi, një histori të lezioneve parakanceroze të shkallës së lartë, ose është e imunokompromentuar. Për udhëzimet më të fundit, pyesni OB-GYN ose vizitoni Ëomen’s Preventive Services Initiative – ËPSI (ëomenspreventivehealth.org) .

 

Kontrollet që duhen kryer për gratë në të 40-at dhe 50-at

  • Vizitë e kujdesit parësor: Të paktën një herë në vit ose sa më shpesh të jetë e nevojshme.
  • Testet rutinore të gjakut dhe shqyrtimi i lipideve: Mat presionin e gjakut, sheqerin në gjak, kolesterolin, etj. Të paktën një herë në vit ose aq shpesh sa të jetë e nevojshme.
  • Pap testi dhe ekzaminimi pelvik: depistim çdo tre vjet për kancerin e qafës së mitrës, çdo pesë vjet për HPV, ose çdo pesë vjet kur kombinoni të dy testet.
  • Depistim për kancerin e gjirit: Një herë në vit, duke filluar nga mosha 45 vjeç. Gratë e moshës 40–44 vjeç kanë mundësinë e fillimit të mamografive vjetore nëse dëshirojnë; gratë 55 vjeç e lart mund të kalojnë në çdo dy vjet nëse zgjedhin.
  • Kolonoscopia: Shoqata Amerikane e Kancerit rekomandon fillimin e depistimit në moshën 45 vjeç – më herët nëse keni një histori familjare të kancerit të zorrës së trashë. Për ata që nuk kanë histori të kancerit të zorrës së trashë, zakonisht rekomandohet të bëjnë një kolonoskopi çdo 10 vjet pas shqyrtimit fillestar.
  • Shfaqja e kancerit të mushkërive: Task Forca e Shërbimeve Parandaluese të Sh.B.A rekomandon që të rriturit 55vjec e më shumë duhet të kontrollohen nëse kanë pirë duhan për 30 vjet dhe aktualisht pinë duhan ose nëse e kanë lënë duhanin brenda 15 viteve të fundit.

 

Kontrollet që duhen kryer për gratë në të 60-at dhe më të vjetra

  • Pap-testi dhe ekzaminimi pelvik : Bazuar në udhëzimet e fundit , Pap-testi nuk rekomandohet në mënyrë rutinore pas moshës 65 vjeç. Vendimi duhet të merret midis gruas dhe klinicistit të saj dhe bazuar në historikun e saj.
  • Testet rutinore të gjakut dhe shqyrtimi i lipideve: Të paktën një herë në vit ose aq shpesh sa të jetë e nevojshme. Ndryshon për secilin individ dhe varet nga historia familjare e kancerit të zorrës së trashë dhe rezultateve të kolonoskopisë. Për shumicën e njerëzve që janë në rrezik mesatar, rekomandohet një kolonoskopi një herë në 10 vjet pasi të keni mbushur 45 vjeç.
  • Skrining i osteoporozës: Gratë 65 vjeç e lart me masë normale kockore duhet të bëjnë një test të dendësisë minerale të kockave (BMD) çdo 15 vjet. Testimi më i shpeshtë rekomandohet për gratë me faktorë të caktuar rreziku për osteoporozë, të tilla si pirja e duhanit, alkoolizmi, historia fracture legeni në një prind, ose artriti reumatoid.
  • Ekzaminimi i kancerit të lëkurës: Një herë në vit. Më shpesh nëse ka një histori familjare të kancerit të lëkurës ose një histori të ekspozimit të zgjatur në diell.
  • Kontrollimi kardiologjik: Të paktën një herë në vit ose sipas nevojës,keni pasur preeklampsi ose presion të lartë të gjakut gjatë shtatzënisë, ose keni një histori familjare të sëmundjes së zemrës.

Mendimi i  ekspertit: “Nëse jeni mbi 65 vjeç dhe dëshironi të vazhdoni me Pap-teste të rregullta për shkak të rrezikut nga HPV ose shqetësime të tjera, flisni me mjekun tuaj në mënyrë që ata të vlerësojnë rreziqet tuaja dhe ju të krijoni një plan së bashku, ”Thotë Dr. Rosser.

Dr. Rosser është një mbështetëse e grave që përfshihen në çdo fazë të kujdesit të shëndetit të tyre. “Njerëzit ose janë vërtet të angazhuar në kujdesin e tyre shëndetësor ose janë të shqetësuar dhe nervozë dhe mund të shmangin disa kontrolle dhe vizita”, thotë ajo. “Ne duam t’i angazhojmë gratë në kujdesin e tyre shëndetësor në mënyrë që ato të  jetojnë një jetë të gjatë dhe të shëndetshme.”

 

Dr. Ardi Prushi

Përshtati: Nensi Xhaxho

28

Vizita prekoncepsionale – Vërtet ul risqet për bebin tim?

Shëndeti prekoncepsional i referohet shëndetit të femrave dhe meshkujve përgjatë viteve të riprodhimit, vitet në të cilat këta të fundit mund të ngjizin një fëmije. Fokusi qëndron në hapat që duhen marrë paraprakisht për të garantuar shëndetin e fëmijës në të ardhmen.

Megjithatë, shëndeti prekoncepsional sjell benefite të përgjithshme, pavarësisht planeve për fëmijë në të ardhmen. Kjo vjen për shkak se shëndeti prekoncepsional ka për qëllim shëndetin e përgjithshëm optimal të individëve përgjatë gjithë jetës. Gjithashtu, askush nuk i gëzohet një shtatzënie të paplanifikuar! Por ndodh shpesh. Në fakt, sipas statistikave, rreth gjysma e shtatzënive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të paplanifikuara.

Kujdesi mjekësor prekoncepsional
Kujdesi mjekësor prekoncepsional fokusohet në rritjen e mundësive për një shtatzëni dhe është i ndryshëm, bazuar në nevojat unike të cdo pacienti.


Gra të shëndetshme
Shëndeti prekoncepsional është i rëndësishëm për cdo grua, jo vetëm për ato që planifikojnë të bëhen nëna. Shëndet prekoncepsional do të thotë të jesh nën kontroll dhe të krijosh zakone të shendetshme, do të thotë të jetosh mirë, të jesh e shëndetshme fizikisht dhe mendërisht dhe të ndihesh mirë për jetën tënde. Shëndet prekoncepsional do të thotë të kesh një plan për të ardhmen dhe të hedhësh hapat e duhur për të arritur atë.

Burra të shëndetshëm
Shëndeti prekoncepsional është po aq i rëndësishëm për meshkujt gjithashtu. Si partner, do të thotë të inkurajosh dhe mbështetësh shëndetin e partneres. Si baba, do të thotë të mbrosh fëmijët e tu. Shëndeti prekoncepsional të ofron ty dhe të afërmve të tu një të ardhme më të mirë.

 Foshnje të shëndetshme
Shëndeti prekoncepsional është një dhuratë për bebet! Nënkupton që prindërit ndoqën hapat e duhur për të qenë plotësisht të shëndoshë para se të tentonin për nje bebe. Foshnja të tilla kanë më pak mundësi të lindin premature ose të zotërojnë peshë të vogël trupore. Gjithashtu, probabiliteti është më i ulët që këto foshnja të vijnë me defekte në lindje. Shëndeti prekoncepsional ju jep bebeve dhuratën më të mirë: mundësinë për të nisur jetën të shëndetshëm!

Familje të shëndetshme
Kujdesi për shëndetin prekoncepsional është një mënyrë e mirë për të krijuar një familje të shëndetshme.

Planifikimet për shtatzëni
Nëse keni filluar të mendoni për të patur një fëmijë, nuk është aspak herët të përgatiteni për shtatzëni duke u siguruar se gëzoni shëndet të plotë. Për disa nëna, përgatitja për një shtatzëni mund të zgjasë vetëm pak muaj, për të tjera më gjatë. Hapat e përshkruara në vijim janë të rëndësishme për këdo që tenton të mbesë shtatzënë, qoftë me fëmijën e parë, të dytë, apo të gjashtë.

1. Bëj një plan dhe zbatoje.

Me shumë mundësi e keni menduar se sa fëmijë dëshironi dhe kur i dëshironi ata. Hidhini hapat në bazë të planeve tuaja për të ardhmen.

2. Vizito mjekun tënd.

Para se të tentoni për të mbetur shtatzënë, duhet të konsultoheni me mjekun tuaj për shëndetin prekoncepsional. Mjeku do të interesohet për historikun tuaj shëndetësor dhe cdo gjendje shëndetësore që mund të ketë ndikim në shtatzëninë tuaj, probleme me shtatzëni të mëparshme, mjekime me të cilat mund të jeni duke u trajtuar, vaksinime të mundshme dhe hapat që duhet të kryeni për të parandaluar defektet në lindje. Nëse mjeku juaj nuk jua ka përmendur kujdesin për shëndetin prekoncepsional, duhet te siguroheni t’i drejtoni pyetje për të.

Sigurohuni të diskutoni me mjekun tuaj:

Gjendjen tuaj shëndetësore

Këtu përfshihen: sëmundjet seksualisht të transmetueshme, diabeti, tensioni i lartë dhe sëmundje të tjera kronike.

Stilin e jetës dhe zakonet e përditshmërisë
Diskutoni për zakone si: duhanpirja, përdorimi i alkoolit ose i drogërave ose për stresin në jetën e përditshme nëse jetoni në një mjedis abuziv. Profesionistët shëndetësorë mund t’ju adresojnë në vendet e duhura për të kërkuar shërbime këshillimi dhe trajtimi.

 Mjekime të mundshme
Marrja e disa mjekimeve të caktuara përgjatë shtatzënise mund të shkaktojë probleme serioze në lindje. Këtu përfshihen disa ilace me recetë ose jo, si edhe suplemente dietare ose herbalë. Nëse planifikoni një shtatzëni, duhet të diskutoni nevojën tuaj për këto mjekime me mjekun para se të mbeteni shtatzënë dhe të siguroheni se po merrni vetëm mjekimet që vërtetë ju nevojiten. Përdorimi i opioideve gjatë shtatzënisë me ose pa recetë, për arsye shëndetësore ose rekreacionale, duhet përmendur patjetër në konsultë.

Vaksinime

Ka vaksina që këshillohen dhe administrohen para shtatzënisë, përgjatë ose pas. Vaksinimi në kohën e duhur parandalon sëmundje të ndryshme tek ju dhe fëmija juaj.

3. Rekomandohet marrja e 400 mikrogramë acid folik cdo ditë.

Acidi folik është vitaminë B kritike për shëndetin e foshnjës. Nëse nëna ka nivele të mjaftueshme të acidit folik të paktën një muaj para shtatzënisë dhe përgjatë saj, mundësia për lindje me defekte në tru dhe shtyllën kurrizore zvogëlohet.

4. Ndalo duhanpirjen, pirjen e alkoolit dhe përdorimin e drogërave.

Përdorimi i drogës, alkoolit dhe pirja e duhanit sjell probleme madhore si lindje premature, defekte në lindje dhe vdekje të foshnjes

5. Shmang substancat toksike dhe kontaminantët mjedisorë.

Këtu përfshihen substancat kimike sintetike, metalet, fertilizuesit, spërkatësit e insekteve, etj. Këto substanca mund të sjellin dëme në shëndetin riprodhues të femrave dhe meshkujve dhe mund të vështirësojnë ngjizjen. Ekspozimi ndaj tyre, edhe në sasi të vogla, gjatë shtatzënisë, foshnjërisë, fëmijërisë ose pubertetit mund të rezultojë në sëmundje.

6. Ruaj një peshë të shëndetshme

Të qenit mbi peshë ose obez sjell risk më të lartë për komplikacione shëndetësore, edhe gjatë shtatzënisë. Midis tyre mund të përmendim sëmundjet e zemrës, diabetin e tipit 2, lloje të kancerit si ai i gjirit dhe endometrial. Të qenit nënpeshë gjithashtu shoqërohet me risqe të caktuara. Çelësi i të arriturit dhe ruajturit të një peshe të shëndetshme nuk qëndron në ndryshimet dietike temporare, por në krijimin dhe përshtatjen e një stili jetese të shëndetshëm. Nëse jeni mbi ose nënpeshë, konsultohuni me mjekun tuaj para se të mbetni shtatzënë.

7. Informohu mbi historikun tënd familjar.

Njohuritë në lidhje me sëmundje ose gjendjë shëndetësore të cilat kanë shoqëruar familjen tuaj janë të rëndësishme dhe duhen ndarë me mjekun. Në rastet e aborteve spontane të shpeshta, vdekjeve foshnjore dhe infertilitetit, konsultat gjenetike janë të këshilluara.

8. Ji mendërisht e shëndetshme.

Çfarë ne mendojmë, qasjet ndaj problemeve, çfarë ndiejmë dhe si e shohim veten përbën mirëqenien mendore. Çdokush përjeton situata të pakëndshme që shoqërohen me ndjesi negative si stres, mërzi, ankth. Sidoqoftë, nëse vlerësoni se ndjesi të tilla janë duke interferuar me jetën tuaj të përditshme, mos hezitoni të kërkoni ndihmë profesionale dhe opsione trajtimi.

 

Përshtati: Ajna Gjyla

Dr. Ardi Prushi

Histeroskopia! Realitet edhe tek ne.

 

Histeroskopia është procedura që përdoret për të ekzaminuar brendësinë e mitrës. Për të kryer këtë procedurë përdoret një histeroskop, që është një teleskop i pajisur me dritë dhe kamera në njërën anë. Imazhet dërgohen në një monitor të caktuar në mënyrë që mjeku të mund të shohë brendësine e mitrës. Histeroskopi depërton në mitër përmes vaginës dhe qafës së mitrës, që do të thotë se është një metodë minimalisht invasive.

Kur mund të kryhet histeroskopia?

Histeroskopia mund të përdoret për:

  1. Të kuptuar më shumë në lidhje me simptoma ose probleme si: perioda në sasi të madhe, gjakderdhje vaginale e pazakontë, dhimbje të legenit, aborte të përsëritura ose vështirësi në të mbeturin shtatzënë.
  2. Të diagnostikuar: fibroidet dhe polipet (masa jo-kancerogjene në mitër)
  3. Të trajtuar probleme si: heqja e fibroideve, polipeve, zhvendosja e IUDs, ngjitja e indeve intrauterine që mund të sjellë mungesë cikli dhe fertilitet të reduktuar.

Cfarë ndodh gjatë histeroskopisë?

Zakonisht, pas histeroskopisë pacientja mund të lërë spitalin brenda ditës. Anestezia mund ose jo të përdoret, me një prevalencë më të lartë të anestezisë lokale në rastet e përdorimit. Procedura zgjat 5 deri në 30 minuta.

A është e dhimbshme?

Kjo varion konsiderueshëm. Disa paciente ndiejnë pak ose aspak dhimbje, të tjera përjetojnë dhimbje të mëdha. Nëse ndiheni jo komfort, duhet t’ia bëni të ditur mjekut. Ky i fundit mundet lehtësisht ta ndërpresë procedurën.

Pas histeroskopisë:

Pjesa më e madhe e pacienteve janë të mundura t’i kthehen aktivitetit ditor normal 1 deri në 2 ditë pas histeroskopisë. Gjatë kësaj kohe:

-mund të vazhdoni regjimin tuaj ushqimor, pa asnjë ndryshim.

-mund të përjetoni dhimbje të ngjashme me ato premenstruale dhe/ose gjakderdhje në sasi të vogël- kjo nuk paraqet shqetësim për sa kohë sasia mbetet e vogël.

-duhet të shmangni kryerjen e marrëdhënieve seksuale për një javë ose derisa gjakderdhja të ndalojë, për të reduktuar riskun e marrjes së infeksioneve

Mjeku ndan me ju rezultatet ose gjetjet e procedurës para largimit tuaj nga spitali.

Rreziqet e histeroskopisë

Në të shumtën e rasteve, histeroskopia nuk paraqet rreziqe, megjithatë këto janë të pranishme si në çdo procedurë tjetër mjekësore. Disa prej rreziqeve janë:

  1. Dëmtim aksidental i mitrës: me probabilitet të ulët për të ndodhur, mund të kërkojë trajtim me antibiotikë ose në raste edhe më të rralla, ndërhyrje kirurgjikale për të riparuar dëmin.
  2. Dëmtim aksidental i qafës së mitrës: ndodh në raste të rralla dhe riparohet lehtësisht.
  3. Gjakderdhje e lartë përgjatë ose pas ndërhyrjes: kjo mund të ndodhë në rastet e përdorimit të anestezisë së plotë.
  4. Infeksion i mitrës: mund të sjellë si pasojë sekrecione vaginale me aromë, ethe dhe gjakderdhje në sasi të mëdha. Trajtohet me antibiotikë.
  5. Gjendje të fikti: prek 1 në 200 gra që i nënshtrohen histeroskopisë pa anestezi.

Duhet rikujtuar fakti se rreziqet që lidhen me këtë procedurë janë minimale dhe mjeku zgjedh ta performojë vetëm kur benefitet janë proporcionalisht më të larta se rreziqet e mbartura.

Alternativa të tjera përvec histeroskopisë:

  1. Ultratinguj të zonës së legenit: rezultati është prodhimi i imazhit të brendësisë së mitrës.
  2. Biopsi endometriale: një tub i ngushtë kalohet nga qafa e mitrës drejt mitrës, me qëllim marrjen e materialit nga mitra për ekzaminim.

Këto metoda nuk japin informacion të mjaftueshëm krahasuar me histeroskopinë dhe nuk mund të përdoren për të trajtuar probleme në të njëjtën mënyrë si histeroskopia.

Të përgatitesh për histeroskopi

Në javët para histeroskopisë mund të këshilloheni të:

-kryeni teste që përcaktojnë nëse mund të performohet procedura: teste gjaku ose shtatzënie.

-përdorni kontraceptivë në mënyrë që të parandaloni një shatzëni të mundshme.

-ndaloni duhanpirjen: rrit rrezikun për komplikacione nga anestezia.

Nëse histerospokia do të përdoret për eliminimin e fibroideve, zvogëlimi i përmasave të këtyre të fundit mund të bëhet paraprakisht.

Zgjedhja e anestezisë

Histeroskopia është një procedurë e shpejtë që zakonisht performohet lehtësisht pa nevojën e anestezisë. Ibuprofeni ose paracetamoli rreth një orë para procedurës reduktojnë diskomfortin pas saj. Në disa raste, anestezia lokale gjen përdorim. Në të tjera më të komplikuara, sic është heqja e fibroideve, anestezia e plotë është e nevojshme.

Në ditën e histeroskopisë

Nëse procedura do të kryhet nën anestezi të plotë, duhet të shmagni të ngrënën për disa orë para.

Anestezia lokale ju lejon të ushqeheni normalisht.

Në spital do ju kërkohet të largoni veshjen në pjesën e poshtme të trupit.

Kur t’i drejtoheni mjekut?

Kontaktoni menjëherë mjekun nëse:

  1. Keni dhimbje të forta që nuk reduktohen as me përdorimin e ibuprofenit ose paracetamolit.
  2. Keni gjakderdhje të konsiderueshme.
  3. Keni gjakderdhje në ngjyrë të hapur ose mpiksje gjaku.
  4. Keni sekrecione me aromë.
  5. Keni ethe.

Këto simptoma mund të jenë treguese të problemeve si infeksionet.

Dr. Ardi Prushi

Përshtati: Ajna Gjyla

 

16

Mosha dhe fertiliteti. Ç’ndodh?

Një grua lind me të gjitha vezët që do të ketë gjatë jetës së saj. Vezët e saj plaken me të, duke u zvogëluar në cilësi dhe sasi. Mosha është faktori i vetëm më i rëndësishëm që ndikon në pjellorinë e një gruaje. Ndërsa shëndeti i mirë përmirëson mundësinë për të mbetur shtatzënë dhe për të pasur një fëmijë të shëndetshëm, ai nuk arrin ti tejkalojë  efektet e moshës në pjellorinë e një gruaje.

Një grua në fillim  deri në mes të të 20-ave ka 25-30% mundësi të mbetet shtatzënë çdo muaj. Fertiliteti zakonisht fillon të zvogëlohet kur një grua është në fillim të të 30-ave, dhe më shumë pas moshës 35 vjeç. Deri në moshën 40 vjeç, shansi për të mbetur shtatzënë në çdo cikël mujor është rreth 5%.

Mosha e grave dhe  Fertilizimi In Vitro

Është një keqkuptim i zakonshëm që trajtimi IVF mund të tejkalojë infertilitetin e lidhur me moshën. Megjithatë, mosha e një gruaje ndikon në mundësinë e suksesit të IVF.

Në Australi, mundësia e një lindje të gjallë nga një cikël i plotë IVF (i cili përfshin të gjitha transferimet e embrioneve të freskëta dhe të ngrira të ngrira pas një stimulimi të vezoreve) është rreth:

  • 43% për gratë e moshës 30 deri 34 vjeç
  • 31% për gratë e moshës 35 deri 39 vjeç
  • 11% për gratë e moshës 40 deri 44 vjeç.

Për gratë e moshuara mundësia për të pasur një fëmijë rritet nëse ato përdorin vezë të dhuruara nga një grua më e re.

  • Si ndikon mosha në vezët e një gruaje?

Gratë fillojnë jetën me një numër të caktuar të vezëve në vezoret e tyre. Numri i vezëve zvogëlohet  ndërkohë që një grua fillon të plaket. Gjithashtu, vezët e mbetura në gratë e moshuara kanë më shumë të ngjarë të kenë kromozome anormale. Dhe ndërkohë që  gratë plaken, ato janë në rrezik më të lartë të çrregullimeve që mund të ndikojnë në pjellori, siç janë miomat e mitrës dhe endometrioza.

  • Cilat janë rreziqet e shtatzënisë së vonshme?

Gratë që mbeten shtatzënë më vonë gjatë jetës kanë një rrezik më të lartë të ndërlikimeve. Për shembull, gratë shtatzëna mbi 40 vjeç kanë një rrezik në rritje të preeklampsisë. Shtatzënia e vonë në jetë gjithashtu mund të ndikojë në shëndetin e fetusit.

  • A ka mënyra për të ruajtur pjellorinë?

Aktualisht, nuk ka asnjë teknikë mjekësore që mund të garantojë që pjelloria do të ruhet. Nëse e dini që dëshironi të keni fëmijë më vonë gjatë jetës, një mundësi mund të jetë fekondimi in vitro (IVF). Me IVF, sperma kombinohet me vezët e një gruaje në një laborator. Nëse spermatozoidi fekondon vezët, embrionet mund të rriten.

Dr Ardi Prushi
Përshtati Dr.Ina Çala

14

Cikli menstrual! Si ta deshifrojmë atë?

Çfarë është cikli menstrual?

Cikli menstrual është mënyra e trupit për t’u përgatitur për një shtatzani të mundshme çdo muaj në femrat të cilat kanë kaluar pubertetin. “Menstruacion” është termi mjeksor për periodat tuaja, i cili në vetvete përfaqëson gjakderdhjen që ndodh në fund të një cikli të plotë menstrual, gjakderdhje e cila ndodh rreth një herë në muaj.
Gjatë ciklit, shtresa e jashtme e mureve të mitrës trashet dhe pasurohet me enë gjaku, në mënyrë që të përgatitet për të suportuar një shtatzani të mundshme. Nëse shtatzania nuk ndodh, kjo shtresë e trashur shkolitet dhe nxirret jashtë duke u shoqëruar me gjakderdhje, pra me menstruacione, të cilat zgjasin 3 deri në 8 ditë. Për shumicën e femrave, ardhja e periodave ndodh sipas një modeli të rregullt dhe të parashikueshëm. Zgjatja kohore nga dita e parë e periodave deri në ditën e parë të periodave pasardhëse varion nga 21 deri në 35 ditë.

Si funksionon cikli menstrual?


Cikli menstrual kontrollohet nga një mori komplekse hormonesh, të cilët prodhohen nga hipotalamusi dhe hipofiza në tru, së bashku me vezoret. Ky cikël përfshin disa faza, koordinimi ekzakt i të cilave është i ndryshëm për çdo femër dhe mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Në tabelën e mëposhtme shpjegohet se çfarë ndodh gjatë një cikli mesatar 28 ditor.

 

 

 

Dita e ciklit Ngjarjet
Dita 1-5 Dita e parë e ciklit konsiderohet dita e parë e periodave, të cilat mund të zgjasin 3-8 ditë (mesatarja 5 ditë). Zakonisht gjakderdhja është më e madhe gjatë 2 ditëve të para.
Dita 6-14 Me përfundimin e gjakderdhjes, shtresa e jashtme e murit të mitrës (e quajtur endometër) fillon të përgatitet për një shtatzani të mundshme duke u trashur e duke shtuar numrin e enëve të gjakut.
Dita 14-25 Diku nga dita 14, një vezë lëshohet nga vezorja dhe nis rrugëtimin nga gypat e Fallopit drejt mitrës. Nëse në këtë moment në gypa ndodhen spermatozoidë, mund të ndodh pllenimi i vezës. Nëse ndodh kjo, veza e pllenuar do të shkojë drejt mitrës dhe do të tentoj të implantohet në murin e trashur të saj.
Dita 25-28 Nëse nuk ndodh pllenimi ose implantimi i vezës, mitra sinjalizohet në rrugë hormonale që të përgatitet për te shkolitur shtresen e trashur dhe për ta nxjerrë jashtë. Veza tretet dhe nxirret jashtë gjithashtu. Cikli rinis përsëri në ditën e parë të periodave.

 

Çfarë konsiderohet gjakderdhje normale?

Kjo varion në çdo person: disa femra kanë perioda të shkurtra me gjakderdhje te ulet, disa të tjera mund të kenë perioda më të gjata dhe me gjakderdhje më të madhe. Madje dhe në një person të vetëm kohëzgjatja dhe sasia e gjakut ndryshojnë me kalimin e kohes dhe fazave të jetës. Megjithatë, në teori një gjakderdhje normale ka këto karakteristika:

  • Kohëzgjatja: 3-8 ditë
  • Shtrirja kohorë nga perioda në periodë: 21-35 ditë
  • Sasia totale e gjakut të humbur gjatë periodave: 2-3 lugë çaji (sekrecionet, indi endometrial dhe lëngje të tjera mund ta bejnë të duket si më shumë)

Si mund të gjurmoj ciklin tim?

Gjurmimi i ciklit tuaj me një kalendar, së bashku me mbajtjen shënim të disa detajeve rreth gjakderdhjeve dhe simptomave shoqeruese ose paraprirëse te ciklit mund t’ju ndihmojë në kuptimin e tij. Shënoni ditën e fillimit dhe mbarimit të periodave, sasinë e gjakderdhjeve gjatë cdo ditë, ndonjë dhimbje abdominale ose dhimbje gjoksi shoqëruese, ndryshime humori ose sjelljeje, fryrje barku etj. Pas gjurmimit të vazhdueshëm të disa cikleve rresht, ju do të vini re modelin e përsëritjeve të ngjarjeve, si dhe mund të vini re ndonjë çrregullim të mundshëm.
Për ta bërë këtë, ju mund të përdorni një kalendar dhe fletore, ose mund të përdorni aplikacione të ndyshme, të cilët janë dizenjuar posaçërisht për të gjurmuar ciklin tuaj dhe mund ti shkarkoni në celular, si psh: Flo, Clue, Lunar, Period Tracker etj.

Për çfarë më nevojitet gjurmimi i ciklit?

Ju mund ta përdorni këtë informacion për t’ju ndihmuar të planifikoni një shtatzani ose për ta evituar ate në mënyrë natyrale, për të menaxhuar më mirë simptomat menstruale që mund të përjetoni, për te planifikuar plane ose evente të mundshme që ndikohen nga ardhja e ciklit, për të evidentuar problematika të ndryshme shëndetësore etj.

Dr. Ardi Prushi

Përshtati: Ines Mustafaj

11

Menopauza – problem apo normalitet i ri?

 

  1. Vështrim i përgjithshëm
  2. Simptomat
  3. Trajtimi

 

Menopauza është kur një grua pushon së pasuri menstruacione dhe natyrisht  nuk është më në gjendje të mbetet shtatzënë.

Periodat zakonisht fillojnë të bëhen më pak të shpeshta për një periudhë disa mujore ose edhe vite  para se të ndalen fare. Ndonjëherë ato mund të ndalen papritmas.

Menopauza është një pjesë e natyrshme e plakjes që zakonisht ndodh midis moshës 45 dhe 55 vjeç, pasi nivelet e estrogjenit të një gruaje bien. Në  Mbretërinë e bashkuar, mosha mesatare e  një gruaje që arrin  menopauzën është 51 vjeç.

Por rreth 1 në 100 gra përjetojnë menopauzë para moshës 40 vjeç. Kjo njihet si menopauzë e parakohshme ose pamjaftueshmëri e parakohshme e vezoreve.

 

Simptomat e menopauzës

Shumica e grave përjetojnë simptoma të menopauzës. Disa prej tyre mund të jenë mjaft të rënda dhe të kenë një ndikim të rëndësishëm në aktivitetet tuaja të përditshme.

Simptomat e zakonshme përfshijnë:

  • afshe të të nxehtit
  • djersitje natën
  • thatësi vaginale dhe diskomfort gjatë seksit
  • vështirësi për të fjetur
  • luhatje të humorit ose ankth
  • dëshirë seksuale e reduktuar ( ulje e libidos)
  • probleme me kujtesën dhe përqendrimin

 

Simptomat e menopauzës mund të fillojnë muaj, madje vite para se të ndërpriten menstruacionet dhe të zgjasin rreth 4 vjet pas periodës suaj të fundit, megjithëse disa gra i përjetojnë ato për shumë më gjatë.

 

Kur  duhet të flasësh me një mjek?

Është gjithnjë ide e mirë ti drejtoheni mjekut tuaj të familjes nëse keni simptoma të menopauzës që ju shqetësojnë ose nëse po përjetoni simptoma të menopauzës para moshës 45 vjeç.

Ata zakonisht mund të konfirmojnë nëse jeni në menopauzë bazuar në simptomat tuaja, por edhe një analizë  gjaku për të matur nivelet e hormoneve tuaja mund të kryhet nëse jeni nën 45 vjeç.

 

Trajtimet për simptomat e menopauzës

Mjeku juaj i përgjithshëm mund të ofrojë trajtime dhe të sugjerojë ndryshime në stilin e jetës nëse keni simptoma të rënda të menopauzës që ndërhyjnë në  cilësinë e jetës suaj të përditshme.

 

Kjo perfshin:

  • terapi zëvendësuese hormonale (HRT) – tableta, ngjitësa lëkure, xhel dhe implante që lehtësojnë simptomat e menopauzës duke zëvendësuar estrogjenin
  • kremra vaginalë me përmbajtje estrogjeni, lubrifikantë ose hidratues për tharjen vaginale
  • terapia e njohjes së sjelljes (CBT) – një lloj i terapisë së të folurit që mund të ndihmojë me luhatjet e humorit dhe ankthin
  • të hash një dietë të shëndetshme, të ekuilibruar dhe të ushtroshohesh rregullisht – mbajtja e një peshe të shëndetshme dhe qëndrimi në formë mund të përmirësojnë disa simptoma të menopauzës

Mjeku juaj  mund t’ju drejtojë te një specialist i menopauzës nëse simptomat tuaja nuk përmirësohen pasi keni provuar trajtimin ose nëse nuk jeni në gjendje të merrni terapi zëvendësuese hormonale.

 

Çfarë e shkakton menopauzën?

Menopauza shkaktohet nga një ndryshim në ekuilibrin e hormoneve seksuale të trupit, i cili ndodh kur plakeni.

Ndodh kur vezoret tuaja ndalojnë së prodhuari  aq shumë estrogjen sa më parë dhe nuk lëshojnë më një vezë çdo muaj.

Menopauza e parakohshme ose e hershme mund të ndodhë në çdo moshë, dhe në shumë raste nuk ka ndonjë shkak të qartë.

Ndonjëherë shkaktohet nga një trajtim i tillë si ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e vezoreve (ooforektomia), disa trajtime të kancerit të gjirit, kimioterapia ose radioterapia, ose mund të shfaqet nga një tjetër situatë mjekësore, siç është sindroma Dawn ose sëmundja Addison.

Simptomat

Shumica e grave do të përjetojnë disa simptoma rreth menopauzës. Kohëzgjatja dhe ashpërsia e këtyre simptomave ndryshojnë nga një grua në tjetrën.

Simptomat zakonisht fillojnë disa muaj ose vite para se të ndalojë menstruacionet, të njohur si perimenopauza, dhe mund të vazhdojnë për disa  kohë më pas.

Mesatarisht, shumica e simptomave zgjasin për rreth 4 vjet nga perioda juaj e fundit. Sidoqoftë, rreth 1 në 10 gra i përjetojnë ato deri në 12 vjet.

Nëse përjetoni menopauzë papritmas – për shembull, si rezultat i trajtimit të kancerit – simptomat tuaja mund të jenë më të këqija.

 

 

 

Ndryshimet në periodat  tuaja

Shenja e parë e menopauzës është zakonisht një ndryshim  në atë që njihet si modeli normal i menstruacioneve. Mund të filloni të keni sasi të shtuar ose pakësuar  në mënyrë të konsiderueshme të fluksit të gjakut gjatë periodave.

Frekuenca e menstruacioneve mund të ndikohet gjithashtu. Mund t’i keni çdo 2 ose 3 javë, ose mund t’i mos keni për muaj me radhë.

Kjo derisa  të mos keni më perioda në mënyrë përfundimtare.

 

Simptoma të zakonshme të menopauzës

Rreth 8 në çdo 10 gra do të kenë simptoma shtesë për disa kohë para dhe pas ndalimit të menstruacioneve. Këto mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në jetën e përditshme për disa gra.

Simptomat e zakonshme përfshijnë:

  • afshe të nxehtësisë – ndjenja të shkurtra dhe të papritura të nxehtësisë, zakonisht në fytyrë, qafë dhe gjoks, gjë që e bën lëkurën tuaj të skuqur dhe të djersitur
  • djersitje gjatë natës – afshe të nxehtësisë që ndodhin gjatë natës
  • vështirësi gjatë gjumit – kjo mund të ju bëjë të ndiheni të lodhur dhe nervoz gjatë ditës
  • një dëshirë seksuale e reduktuar ( ulje e libidos)
  • probleme me kujtesën dhe përqendrimin
  • thatësi dhe dhimbje vaginale, kruarje ose diskomfort gjatë seksit
  • dhimbje koke
  • luhatjet e humorit, të tilla si ulje humorit ose ankthi
  • palpitacione – rrahjet e zemrës që befas bëhen më të ndjeshme
  • ngurtësim të kyçeve, dhembje
  • zvogëlim i masës muskulore
  • infeksione të përsëritura të traktit urinar (UTI)

Menopauza gjithashtu mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të problemeve të caktuara të tjera, të tilla si ulje e densitetit të kocave(osteoporoza).

Drejtojuni mjekut tuaj  nëse i shihni simptomat  veçanërisht shqetësuese, pasi  ka trajtimet  në dispozicion dhe lexoni se si të menaxhoni simptomat e menopauzës.

Trajtimi kryesor për simptomat e menopauzës është terapia e zëvendësimit hormonal (HRT), edhe pse trajtime të tjera janë gjithashtu në dispozicion për disa nga  këto simptoma.

 

Terapia zëvendësuese hormonale (HRT)

HRT zëvendëson hormonet që mungojnë. Shumica e simptomave shkaktohen nga nivele të ulëta të estrogjenit, kështu që ky është hormoni më i rëndësishëm për t’u zëvendësuar. Nëse keni një mitër ju duhet edhe një progesteron për të mbrojtur  shtresën  e brendshme  të saj.

HRT është jashtëzakonisht efektiv në lehtësimin e simptomave të menopauzës dhe është në dispozicion si tableta, ngjitëse lëkure, xhel për tu fërkuar në lëkurë ose implante.

Përfitimet dhe rreziqet e terapisë hormonale zëvendësuese(HRT)

Përfitimi kryesor i HRT është se mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të menopauzës, duke përfshirë afshet  e nxehtësië, hutimin, dhimbjet e kyçeve, ndryshimet e humorit dhe thatësinë vaginale.

Mund të ndihmojë gjithashtu në parandalimin e uljes së densitetit të kockave, të cilat mund të çojnë në fraktura (osteoporozë). Osteoporoza është më e zakonshme pas menopauzës.

Disa lloje të HRT mund të rrisin lehtësisht rrezikun e kancerit të gjirit dhe mpiksjes së gjakut në disa gra. Ju duhet të diskutoni nëse keni ndonjë faktor rreziku me një mjek ose infermier.

Dëshmitë thonë se rreziqet e HRT janë të vogla dhe zakonisht tejkalohen nga përfitimet.

Mjeku juaj  mund t’ju japë më shumë informacion në lidhje me rreziqet dhe përfitimet e HRT për t’ju ndihmuar të vendosni nëse doni ta merrni atë.

 

 

Afshet e nxehta dhe djersitja natën

Nëse përjetoni afshe dhe djersitje gjatë natës si rezultat i menopauzës, nganjëherë mund të ndihmojnë masa të thjeshta, të tilla si:

  • veshu me rroba të lehta
  • mbajtja e dhomës së gjumit të freskët gjatë natës
  • bërja e një dushi të freskët, përdorimi i një ventilatori ose një pije e ftohtë
  • përpiquni të zvogëloni nivelet e stresit tuaj
  • shmangia e nxitësve të mundshëm, të tilla si ushqimi pikant, kafeina, pirja e duhanit dhe alkooli
  • ushtrohuni rregullisht dhe humbisni peshë nëse jeni mbipeshë

 

Nëse afshet dhe djersitjet janë të shpeshta ose të forta, mjeku juaj mund të sugjerojë marrjen e HRT.

Nëse HRT nuk është i përshtatshëm për ju, ose do të preferonit të mos e merrnit atë, mjeku  mund të rekomandojë ilaçe të tjera që mund të ndihmojnë, të tilla si klonidina (një ilaç i presionit të lartë të gjakut) ose antidepresantë të caktuar.

Këto ilaçe mund të shkaktojnë efekte anësore të pakëndshme, prandaj është e rëndësishme të diskutoni rreziqet dhe përfitimet me mjekun tuaj para se të filloni trajtimin.

 

 

Luhatjet e humorit

Disa gra përjetojnë ulje të humorit dhe ankth rreth kohës së menopauzës.

Masat e vetë-ndihmuese si pushimi i bollshëm, ushtrimet e rregullta dhe kryerja e aktiviteteve relaksuese të tilla si joga dhe tai chi mund të ndihmojnë. Barnat  dhe trajtimet e tjera janë gjithashtu në dispozicion, duke përfshirë HRT dhe terapinë njohëse të sjelljes (CBT).

 

CBT është një lloj i terapisë së të folurit që mund të përmirësojë uljet e humorit dhe ndjenjat e ankthit. Mjeku juaj  mund të jetë në gjendje t’ju referojë për terapinë në fjalë, ose të rekomandojë opsione  të tilla si kurse online CBT.

Antidepresantët mund të ndihmojnë nëse jeni diagnostikuar me depresion.

 

Ulje e dëshirës seksuale

Është  zakonshme që gratë të humbin interesin për seks gjatë kohës së menopauzës, por HRT shpesh mund të ndihmojë me këtë. Nëse HRT nuk është efektiv, mund t’ju ofrohet një xhel testosteroni për ta aplikuar në një zonë të lëkurës, siç është barku ose pjesa e sipërme e këmbës.

Testosteroni është hormoni seksual mashkullor dhe mund të ndihmojë në rivendosjen e dëshirës  seksuale në disa gra.

Aktualisht nuk është i licencuar për përdorim te gratë, megjithëse mund të përshkruhet pas menopauzës nga një mjek specialist nëse mendojnë se mund të ndihmojë në rivendosjen e dëshirës suaj seksuale.

Efektet anësore të mundshme të përdorimit të testosteronit përfshijnë puçrrat dhe rritjen e padëshiruar të qimeve.

Thatësi dhe diskomfort vaginal

Nëse vagina juaj bëhet e thatë, e dhimbshme ose kruhet si rezultat i menopauzës, mjeku juaj  mund të përshkruajë trajtim me estrogjen që vendoset direkt në vaginën tuaj si unazë  vaginale.

Kjo mund të përdoret në mënyrë të sigurt krahas HRT.

Zakonisht do të duhet të përdorni estrogjen vaginal për një kohë të pacaktuar, pasi simptomat tuaja ka të ngjarë të kthehen kur ndërpritet trajtimi. Sidoqoftë, efektet anësore janë shumë të rralla. Ju gjithashtu mund të përdorni hidratues ose lubrifikantë vaginalë pa recetë përveç ose në vend të estrogjenit vaginal.

 

Dobësimi i kockave ( Ulja e densitetit tö kockave)

Gratë që kanë kaluar menopauzën janë në një rrezik në rritje të zhvillimit të osteoporozës si rezultat i nivelit më të ulët të estrogjenit në trup.

Ju mund të zvogëloni shanset tuaja për të zhvilluar osteoporozë:

  • marrja e HRT – HRT mund të ndihmojë në parandalimin e dobësimit të kockave tuaja, megjithëse ky efekt nuk ka tendencë të zgjasë pasi të ndalet trajtimi
  • Ushtrime të rregullta – përfshirë ushtrime të mbajtjes së peshave dhe rezistence
  • ngrënia e një diete të shëndetshme që përfshin shumë fruta, perime dhe burime të kalciumit, të tilla si qumësht me yndyrë të ulët dhe kos
  • marrja e rrezeve – rrezet e diellit në lëkurën tuaj shkaktojnë prodhimin e vitaminës D, e cila mund të ndihmojë për të mbajtur kockat tuaja të forta
  • ndalimi i pirjes së duhanit dhe ulja e alkoolit
  • marrja e shtesave të kalciumit dhe / ose vitaminës D nëse nuk ndieni se po merrni mjaftueshëm – diskutojeni këtë me mjekun tuaj

 

Takimet pasuese ( Follow-up)

Nëse jeni duke trajtuar simptomat e menopauzës, do të duhet të ktheheni tek mjeku juaj për një rishikim pas 3 muajsh, dhe një herë në vit pas kësaj.

Gjatë takimeve tuaja, mjeku juaj  mund të:

  • sigurohet që simptomat tuaja të jenë nën kontroll
  • pyesë për ndonjë efekt anësor dhe mënyrën e gjakderdhjes
  • kontrollojë peshën dhe presionin e gjakut
  • rishikojë llojin e HRT që po merrni dhe bëjë çdo ndryshim të nevojshëm
  • diskutoni nëse duhet ta vazhdoni atë ose nëse vendosni të ndaloni, si duhet të bëhet.

 

Shumë gra do të kenë nevojë për trajtim për disa vjet, derisa të kalojnë shumica e simptomave të tyre në menopauzë. Disa gra mund të dëshirojnë të marrin HRT për shumë vite. Përfitimet dhe rreziku i tyre individual duhet të vlerësohen çdo vit.

 

 

Terapitë plotësuese dhe alternative

Trajtimet plotësuese dhe alternative, të tilla si ilaçet bimore dhe hormonet bioidentike (“natyrore”), nuk rekomandohen për simptomat e menopauzës. Kjo sepse në përgjithësi është e paqartë se sa të sigurt dhe efektive janë ato.

Hormonet bioidentike  nuk janë të njëjta me hormonet identike të trupit. Hormonet identike të trupit, ose progesteroni i mikronizuar, mund të përshkruhen për të trajtuar simptomat e menopauzës. Disa terapi plotësuese dhe alternative mund të ndërveprojnë me ilaçe të tjerë dhe të shkaktojnë efekte anësore.

Pyesni mjekun ose farmacistin tuaj për këshilla nëse po mendoni të përdorni një terapi plotësuese.

Dr. Ardi Prushi

Përshtati: Dr. Ina Çala