9

Mit apo fakt – jepi fund dyshimeve…

Mit #1: Duhet të jem 21 vjeç për të kryer vizitën time të parë tek një obstetër-gjinekolog.

Në fakt, këshillohet që vizitat e para tek mjeku obstetër-gjinekolog të nisin rreth moshës trembëdhjetë vjeçare. Kryerja e vizitave të rregullta që në paraadoleshencë lejon për krijimin e një marrëdhënieje besimi me mjekun dhe gjithashtu i jep këtij të fundit mundësinë e ndërtimit të një historiku shëndetësor për referencë të mëvonshme. Kontrollet rutinë dhe këshillimet në lidhje me ciklin menstrual, seksualitetin, sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe parandalimin e shtatzënisë janë ndër pikat kyçe që një obstetër-gjinekolog mund të asistojë një vajzë në fillimet e pubertetit.

Mit #2: Nuk kam nevojë të kryej vizita të përvitshme tek mjeku obstetër-gjinekolog.

Kur gjithçka shkon mirë, është e vështirë të marrim iniciativën për të vizituar mjekun. Fatkeqësisht, bashkë me vizitën shmangen edhe kontrolle shëndetesore jetike për: tensionin, osteoporozën, sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe kancerin. Çdo shqetësim tjetër juaji mund të diskutohet lehtësisht në vizitën e përvitshme si edhe shumë probleme shëndetesore mund të adresohen në kohë në mënyrë që trajtimi të jetë më i lehtë dhe i përballueshëm.

Miti #3: Mëmësia mund të presë deri në të dytezat!

Koha për t’u bërë nënë ndikohet nga faktorë të ndryshëm dhe është unike për çdo grua, megjithatë statistikisht të mbeturit shtatzënë vështirësohet me kalimin e viteve. Mundësitë për të mbetur shtatzënë për një grua deri në të tridhjetat variojnë mes 25-30%, ndërkohë me afrimin e të dyzetave këto mundesi arrijnë në më pak se 10%.

Miti #4: Marrja e kontraceptivëve për një kohë të gjatë mund të ulë fertilitetin.

Kontraceptivët luajnë rol të rëndësishëm për gratë që nuk dëshirojnë të mbeten shtatzënë ose për të tjera që kanë  qëllim rregullimin e ciklit të tyre menstrual. Ekziston një opinion i pabazuar në studime dhe fakte reale se marrja e kontraceptivëve për një kohë të gjatë mund të ulë mundësitë për shtatzëni në një kohë të dytë. Kjo është absolutisht e pavërtetë: shtatzënia është e mundur në çastin e parë që gruaja ndërpret përdorimin e kontraceptivit! Nga ana tjetër. rikthimi i ciklit menstrual si në gjendjen pre-hormonale, pra para marrjes së kontraceptivit, mund të kërkojë deri në një vit.

Miti #5: Kontrollet gjinekologjike dhe testi PAP përfshijnë dhe detektojnë edhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Mjeku obstetër-gjinekolog nuk mund të kryejë kontrolle për sëmundje seksualisht të transmetueshme pa kërkesën tuaj për dicka të tillë. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se testi PAP nuk mund të detektojë sëmundje seksualisht të transmetueshme. Nëse e ndjeni të nevojshme të kryeni një kontroll të tillë, mos hezitoni t’ia kërkoni mjekut tuaj obstetër-gjinekolog.

Miti #6: Vizitat e rregullta gjinekologjike kanë të bëjnë vetëm me shëndetin riprodhues.

Pavarësisht se mjeku obstetër-gjinekolog është i specializuar në shëndetin riprodhues, testet dhe checkup-et e rregullta iu sigurojnë që gëzoni shëndet të plotë në tërësi dhe jo vetëm kundrejt riprodhimit.

Miti #7: Nuk kam nevojë të kryej vizita tek mjeku obstetër-gjinekolog pas menopauzës.

Mjekët obstetër-gjinekologë nuk u shërbejnë vetëm grave që presin të bëhen nëna! Kontrollet jetike për kancerin, opsionet e kontraceptivëve apo asistim dhe këshillim gjatë menopauzës janë vetëm disa ndër çështjet që një obstetër-gjinekolog mund t’iu ofrojë ndihmë të specializuar. Vazhdimi i rutinës pre-menopauzale është në të mirën e shëndetit tuaj të përgjithshëm.

Miti #8: Kanceri i gjirit merr jetën e grave më shumë se çdo sëmundje tjetër.

Në fakt, kanceri i gjirit mban vendin e dytë. Të parin e mbajnë sëmundjet e zemrës.

Miti #9: Nuk duhet të kryesh vizitë gjinekologjike gjatë ciklit.

Për të vendosur në lidhje me këtë, duhet të konsideroni sasinë e gjakderdhjes. Në sasi të ulët deri normale nuk interferon me testin PAP. Një sasi e lartë përtej normales suaj mund të jetë tregues anomalie dhe një problem i tillë mund të diskutohet me mjekun edhe përgjatë ciklit. Nëse jeni të pavendosura, telefononi mjekun tuaj obstetër-gjinekolog për këshillim të mëtejshëm.

Miti #10: Kontrollet për kancerin e qafës së mitrës duhen kryer vetëm nga gratë seksualisht aktive.

Kanceri i qafës së mitrës mund t’i ndodhë kujtdo që posedon këtë organ dhe ka qenë të paktën një herë seksualisht aktiv! Nëse jeni nën 65 vjec, duhet të vazhdoni patjetër kontrollet rutinë. Një infeksion HPV i pazbuluar mund të sjellë pasojë në të ardhmen kancerin e qafës së mitrës.

Miti #11: Nëse je e vaksinuar kundra HPV, mund edhe të mos e kryesh testin PAP.

Në fakt, ka disa shtame të HPV. Vaksina fatkeqësisht nuk ofron mbrojtje kundra të gjithë shtameve, ndaj kontrollet rutinë këshillohet të kryhen edhe nga gratë e vaksinuara.

Miti #12: Kur je shtatzënë ushqehesh për dy!

Aspak. Edhe pse gratë shtatzëna kanë nevojë për nutrientë shtesë- vitamina, minerale dhe vecanërisht proteina- nevojat kalorike në fakt nuk ndryshojnë drastikisht, edhe pse besohet gjerësisht e kundërta. Një grua shtatzënë, në fund të shtatzënisë, ka nevojë për rreth 200 kalori më shumë sesa konsumon jashtë shtatzënisë, por gjithmonë në fund të shtatzënisë!

 

Dr. Ardi Prushi

Përshtati: Ajna Gjyla

 

6

Higjiena intime – Këshilla praktike

Higjiena Intime

Mbroni ekuilibrin e PH të vaginës pa bërë dush

Normalisht, pH i vaginës është rreth 3.8 deri në 4.5, por bërja e dushit  mund të ndërhyjë në nivelet e pH , duke zvogëluar aciditetin dhe duke prishur biomën e shëndetshme vaginale – përbërjen bakteriale të vaginës tuaj – dhe duke krijuar kështu një ambient të përshtatshëm për zhvillimin e infeksioneve bakteriale.

Nëse vagina juaj ka një erë të fortë ose të pakëndshme, vizitoni mjekun tuaj; dushi do të mbulojë vetëm erën pa kuruar problemin që e shkakton atë. Shmangni përdorimin e sapunëve ose pastruesve të ashpër në vulvë ose brenda vaginës, pasi këto gjithashtu kanë ndikim të madh në  ekuilibrin e shëndetshëm të pH.

 

 

Mbani një Dietë të Shëndetshme për Shëndetin Vaginal

Ndoshta nuk e keni kuptuar, por të ndjekurit e një diete të ekuilibruar, ushqyese dhe pirja e shumë lëngjeve, janë të dyja çelësi për shëndetin vaginal dhe riprodhues. Në fakt, disa ushqime mund të jenë efektive në trajtimin e problemeve shëndetësore të vaginës.

Kosi potencialisht mund të ndihmojë në parandalimin e infeksioneve të majave dhe ndihmon në trajtimin e tyre. “Jogurti është i pasur me probiotikë, veçanërisht kosi i thjeshtë grek, kështu që nëse një grua është e prirur ndaj infeksioneve të majave, marrja e një probiotiku që është i pasur me [bakterin] Lactobacilli, ose ngrënia e kosit të thjeshtë grek çdo ditë mund të jetë e dobishme”, shpjegon Millheiser.

Nëse jeni të prirur për infeksione të traktit urinar, studimi i botuar në korrik 2012 në revistën Archives of Internal Medicine sugjeroi se mund të jetë e dobishme të merrni një dozë të boronicës së kuqe çdo ditë.

 

-Praktikoni seks të sigurt për të mbajtur larg mikrobet e dëmshme

Përdorimi i prezervativëve – qoftë mashkull ose femër – gjatë seksit ndihmon në mbrojtjen kundër infeksioneve seksualisht të transmetueshme (SST), të tilla si HIV, herpes gjenital, sifilizi, gonorrea, lythat gjenitale dhe klamidia. Disa prej tyre, si HIV dhe herpes gjenital, nuk janë të kurueshme (nuk kanë shërim). Ndërsa të tjera, si Papilloma Virus (HPV) që shkakton lythat gjenitale, dihet se janë shkaktarë të kancerit.

Prezervativët duhet të ndryshohen kur kaloni nga seksi oral ose anal në seksin vaginal, për të parandaluar futjen e baktereve të dëmshme në vaginë. Ju gjithashtu duhet të shmangni ndarjen e lodrave seksuale me partnerin tuaj, vëren Millheiser, pasi ju mund të përhapni SST në atë mënyrë – veçanërisht HPV.

 

 

-Vizitoni Gjinekologun tuaj – ose Mjekun e Kujdesit Parësor – për kujdesin parandalues

Bërja e kontrolleve të rregullta gjinekologjike është thelbësore për ruajtjen e shëndetit tuaj të vaginës. Kongresi Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve rekomandon që gratë të kryejnë ekzaminimin e tyre të parë gjinekologjik në moshën 21 vjeç. Rekomandohet gjithashtu që gratë t’i nënshtrohen Pap-testeve duke filluar nga mosha 21 vjeç për të kontrolluar ndryshimet në qelizat vaginale që mund të tregojnë praninë e kancerit. Gjinekologët dhe shumë mjekë të kujdesit parësor janë trajnuar (specializuar) për të diagnostikuar sëmundjet dhe çrregullimet që mund të dëmtojnë vaginën ose sistemin tuaj riprodhues në tërësi.

 

-Trajtoni infeksionet kur ato shfaqen

Tre janë llojet më të zakonshme të infeksioneve vaginale: infeksionet fungale, vaginoza bakteriale dhe trikomoniaza. Nëse jeni të prirur ndaj infeksioneve mykotike dhe i njihni simptomat, është “në rregull të vetë-trajtohet me një ilaç pa recetë”, thotë Millheiser. “Por nëse simptomat nuk zhduken, atëherë duhet të shihni një specialist sa më shpejt të jetë e mundur.”

Ndërsa funget janë infeksione mykotike, vaginoza bakteriale shkaktohet nga rritje e shpejtë bakteriale në vaginë. Trikomoniaza është një infeksion i shkaktuar nga një parazit dhe transmetohet seksualisht. Trajtimi i këtyre infeksioneve është thelbësor sepse në të kundërt mund të çojë në probleme të pakëndshme, të dhimbshme dhe serioze të shëndetit riprodhues. Millheiser vëren se nëse tashmë keni një infeksion vaginal dhe më pas jeni i ekspozuar ndaj HIV, ju jeni mëse të prirur të infektoheni.

Vlen të përmendet se gratë që kanë diabet të pakontrolluar ose janë të infektuara me HIV shpesh mund të përjetojnë përsëritje të infeksione mykotike. “Nëse po përjetoni shumë infeksione fungale gjatë një viti, duhet të ekzaminoheni nga mjeku juaj për t’u siguruar që nuk ka asgjë më shqetësuese”, thotë Millheiser.

 

-Përdorni lubrifikant të mjaftueshëm, por jo vazelinë

Lubrifikimi është një pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve seksuale. Pa të, lëkura e labias dhe vaginës mund të irritohet dhe të shkaktojë kruarje. Ndërsa lubrifikimi vaginal zakonisht ndodh natyrshëm gjatë ereksionit të femrave (tek femrat), disa gra nuk prodhojnë mjaftueshëm lubrifikant natyral. Në këtë rast, ato duhet të përdorin një lubrifikant artificial për të zvogëluar fërkimet dhe për të rritur kënaqësinë.

Nëse jeni duke u përpjekur të mbeteni shtatzënë, disa lubrifikantë mund të ndërhyjnë në spermatozoidë dhe sjellin vështirësi në të ngelurit shtatzënë, pohon Millheiser. Në këtë rast, ajo rekomandon përdorimin e një produkti me pH të balancuar të quajtur Pre-Seed. Nëse nuk po përpiqeni të mbeteni shtatzënë, lubrifikantët me bazë uji, me bazë silikoni dhe vaji nuk përbëjnë problem, në varësi të nevojave tuaja. “Nëse keni nevojë për pak lubrifikant, atëherë me bazë uji është i shkëlqyeshëm. Në të kundërt, kini parasysh të përdorni ato me bazë silikoni ose me bazë vaji”, thotë Millhesier.

Nëse përdorni prezervativë, mos përdorni një lubrifikant me bazë vaji – ato mund të shkaktojnë prishjen e latexit në prezervativ. Millheiser gjithashtu paralajmëron: “Asnjëherë mos vendosni vazelinë brenda vaginës tuaj. Kjo shkakton inflamacion dhe mund të sjellë fillimin e një infeksioni”.

-Zgjidhni veshjet me kujdes për të qëndruar e thatë

Vagina juaj duhet të qëndrojë e pastër dhe e thatë – dhe cfarë ju vishni ka shumë ndikim. Disa lloje të caktuara të pëlhurave dhe veshjet e ngushta krijojnë kushte të ngrohta dhe të lagështa në të cilat funget lulëzojnë. Vishni të brendshme pambuku dhe shmangni tangat. Nëse jeni të prirur për infeksione fungale, ndërroni sa më shpejt të jetë e mundur rrobat e lagura të banjës dhe rrobat e djersitura të stërvitjes.

Një këshillë nga Dr. Millheiser: “Nëse përjetoni shumë sekrecione gjatë ditës, merrni me vete dy palë të brendshme kur shkoni në punë ose shkollë dhe ndërrojini të brendshmet gjatë ditës. Kjo do t’ju ndihmojë të ndiheni më rehat dhe do të ndihmojë në parandalimin e infeksionit”.

 

 

-Të paturit e një  higjiene të mirë

Pas defekimit, pastrohuni nga përpara prapa për të shmangur ndotjen bakteriale të vaginës dhe për të ulur rrezikun e infeksionit të fshikëzës. Ndërroni jastëkët dhe tamponët rregullisht gjatë ciklit tuaj menstrual. Dr. Millheiser thotë se  është mirë të mbash peceta higjenike një ditore për të thithur sekrecionet  normale të vaginës për sa kohë që i ndryshon ato shpesh, megjithëse ajo shton se gratë që i veshin ato gjatë gjithë kohës mund të përjetojnë disa acarime vulvare.

Dr. Ardi Prushi
Përpunoi: Nensi Xhaxho

2

Shtatzënia jashtë mitre

Gravidanca ekstrauterine

Shtatëzania nis me fertilizimin e vezës. Normalisht, kjo vezë e fertilizuar vendoset në murin e uterusit (mitres). Shtatëzania ektopike ndodh kur veza nuk implantohet dhe nuk zhvillohet brenda kavitetit të uterusit.

Vendi më i shpeshtë që  ndodh shtatëzania ektopike janë tubat e Fallopit, të cilët transportojnë vezën nga ovaret drejt uterusit. Në disa raste shtatëzania mund të ndodh dhe në zona të tjera të trupit si përshembull : ovaret, kaviteti abdominal ose në qafën e mitrës e cila komunikon me vaginën. Kjo veze e fertilizuar nuk mund të mbijetojë.

Simptomat

Është e zakontë që në fillim pacienti të mos shfaq simptoma. Megjithate, disa femra mund të zhvillojne shenjat e hershme të shtatëzanise si mungesa e ciklit menstrual, të përzierat.

Kryerja e një testi shtatëzanie rezulton pozitiv, e megjithate kjo shtatëzani nuk mund të vazhdojë normalisht. Me zhvillimin e vezës edhe simptomat bëhen më evidente.

  • Simptomat fillestare paralajmëruese:

Shpeshherë simptomat më të hershme jane dhimbja pelvike dhe gjakderdhja vaginale e lehtë. Simptomat specifike varen nga vendi në të cilin është grumbulluar gjaku dhe cilat nerva ka prekur. Nëse gjakderdhja vjen nga tubat e Fallopit mund të ndjesh një dhimbje në shpatull.

  • Simptoma emergjente

Nëse kjo vezë e fertilizuar vazhdon të zhvillohet në tubin e Fallopit, mund të cojë në rupturë(carje) të tij dhe për pasojë në gjakderdhje masive në kavitetin abdominal. Simptoma të kësaj situate mjaft jetëkërcënuese janë marrje mendsh, gjendje të fikëti ose shoku.

  • Kur duhet të drejtohemi tek mjeku?

Kërko menjëhere ndihme mjekësore nëse shfaq këto simptoma të një barre ekstrauterine:

  • Dhimbje të forta abdominale ose pelvike të shoqëruara me gjakderdhje vaginale
  • Marrje mendsh ose gjendje të fikëti e shpeshtë
  • Dhimbje në shpatull

Shkaqet:

Shtatëzania në tubin e Fallopit, e hasur më shpesh,  ndodh kur veza e fertilizuar ngec gjatë rrugës së saj për në uterus, për shkak të dëmtimeve inflamatore ose morfologjikë të tubit. Rol mendohet se mund të luajnë edhe crregullimet hormonale ose zhvillimi anormal i vezës.

Faktorët e riskut:

  • Shtatzëni e mëparshme ektopike. Nëse keni pasur këtë lloj shtatzënie më parë, ka më shumë të ngjarë që ajo të përsëritet.
  • Inflamacioni ose infeksioni. Infeksionet seksualisht të transmetueshme, si gonorrea ose klamidia, mund të shkaktojnë inflamacion në tuba dhe organe të tjera pranë dhe të rrisin  në këtë mënyrë rrezikun e një shtatzënie ektopike.
  • Trajtimet e fertilitetit. Duke u bazuar në disa studime, gratë që realizojnë fekondimin in vitro (IVF) ose trajtime të ngjashme kanë më shumë të ngjarë të kenë një shtatzëni ektopike. Vetë infertiliteti gjithashtu mund të rrisë rrezikun tuaj.
  • Kirurgjia e tubave. Kirurgjia për të korrigjuar një tub fallopian të mbyllur ose të dëmtuar mund të rrisë rrezikun e një shtatzënie ektopike.
  • Kontrolli i shtatëzanisë( birth control). Mundësia për të mbetur shtatzënë kur përdorni një pajisje intrauterine është e rrallë. Sidoqoftë, nëse mbeteni shtatzënë megjithë përdorimin e saj, ka më shumë të ngjarë të jetë ektopike. Lidhja e tubave, një metodë e përhershme e kontrollit të lindjes, gjithashtu rrit rrezikun tuaj, nëse mbeteni shtatzënë pas kësaj procedure.
  • Pirja e duhanit. Pirja e duhanit pak para se të mbeteni shtatzënë mund të rrisë rrezikun e një shtatzënie ektopike. Sa më shumë të konsumoni duhan, aq më i madh është rreziku.

Komplikimet

Një shtatzëni ektopike mund të shkaktojë rupturën e tubit tuaj fallopian. Pa trajtim, kjo mund të çojë në gjakderdhje të rrezikshme për jetën.

Parandalimi

Nuk ka asnjë mënyrë për të parandaluar një shtatzëni ektopike, por këto janë disa nga mënyrat për të ulur rrezikun tuaj:

  • Kufizimi i numrit të partnerëve seksualë dhe përdorimi i prezervativit gjatë seksit ndihmon në parandalimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjes inflamatore të legenit.
  • Mos pini duhan. Nëse e bëni, lëreni përpara se të përpiqeni të mbeteni shtatzënë.

Dr. Ardi Prushi

Përshtati : Nensi Xhaxho