Vaginitis është inflamacioni i vaginës si pasojë e një disbalance të mykut dhe bakterieve që normalisht jetojnë aty.
Krahas diskomfortit, mund të vini re dhe një erë ndryshe nga normalja. Infeksioni mund të shkaktohet nga bakteret, myku ose viruset.
Kimikatet në sapunë, spray ose në veshje që kanë kontakt me këtë zonë mund të irritojnë lëkurën delikate.
Në momentin që vini re të tilla ndryshime është e këshillueshme ti drejtoheni doktorit tuaj.
Tipet dhe shkaqet e vaginitis
Shkaktarët më të shpeshtë janë :
-Vaginoza bakteriale- inflamacioni i vaginës nga një rritje bakteriale. Shoqërohet me erë të rëndë, të keqe.
-Kandida ose infeksioni mykotik, nga rritja e fungeve kandida, që normalisht janë në sasi të vogla në vaginë.
-Klamidia është infeksioni më i shpeshtë i transmetuar seksualisht tek gratë, zakonisht të moshave 18 deri në 35 që kanë patur partnerë të shumtë seksualë.
-Gonorrea- një tjetër infeksion seksualisht i transmetueshëm.
-Trikomoniazis- një infeksion i transmetuar gjatë seksit i shkaktuar nga një parazit. Rrit riskun për SST të tjera.
-Vaginiti viral- inflamacion i shkaktuar nga një virus, si herpes simplex virus (HSV) ose papiloma virus (HPV) që shpërhapet përmes seksit.
Sëmundjet seksualisht të transmetueshme shpeshherë janë asimptomatike. Nëse jeni seksualisht aktive dhe sidomos nëse keni partnerë të shumtë seksualë, duhet të flisni me doktorin tuaj dhe të testoheni për to.
Nëse lihen të pamjekuara të tilla sëmundje mund të shkaktojnë dëmtime të përhershme në organet tuaja riprodhuese. Gjithashtu ekziston risku i transmetimit tek partneri juaj.
Ndonjëherë kruarjet, djegiet apo sekrecionet e shtuara mund të ndodhin edhe pa praninë e e një infeksioni (vaginitis joinfeksioz). Më shpesh ndodh si reaksion alergjik ose irritim nga produkte si:
-Detergjentë
-Zbutësit e rrobave
-Sapunët e aromatizuar
-Spermicidet
-Spray vaginalë
Gjithashtu mund të ndodhë nga niveli i ulët i hormoneve seksuale si rrjedhojë e menopauzës ose heqjes kirurgjikale të ovareve. Karakteristike është thatësia e vaginës dhe emërtimi që merr është vaginitis atrofik. Marrëdhëniet seksuale bëhen të dhimbshme dhe mund të ndjeni kruarje dhe djegie.
Diagnoza pa dyshim duhet vendosur nga një doktor i specializuar. Dy shkaqet më të zakonshme të vaginitis janë infeksioni mykotik dhe bakterial. Në të dyja rastet ju mund të vini re sekrecione të bardha në gri. Sekrecionet me erë të keqe probabilisht janë nga një infeksion bakterial. Nga ana tjetër nëse këto sekrecione kanë një konsistencë të shtuar mund të jetë infeksion mykotik.
Simptomat e vaginitis
Sekrecione me erë të rëndë
Djegie ose kruarje
Irritim i zonës intime më i shtuar gjatë natës
Përkeqësimi i simptomave gjatë marrëdhënieve seksuale
Trajtimi
Çelësi për trajtimin e infeksioneve vaginale qëndron në diagnostikimin e saktë. Mundohuni të përshkruani me përpikmëri erën, ngjyrën, sasinë, konsistencën e sekrecioneve tek doktori juaj.
Shmangni marrjen e medikamenteve që jepen pa recetë, pa marrë më herët mendimin dhe sugjerimin e doktorit.
Vaginiti joinfeksioz menaxhohet duke shmangur agjentin irritues/shkaktar.
Për ndryshime hormonale dhe probleme të tjera që kërkojnë mjekim të specializuar është doktori juaj ai që ju orienton.
Dr.Ardi Prushi
Përshtati: Frisiana Mirashi
Leave Your Comment