Çfarë është cikli menstrual?
Cikli menstrual është mënyra e trupit për t’u përgatitur për një shtatzani të mundshme çdo muaj në femrat të cilat kanë kaluar pubertetin. “Menstruacion” është termi mjeksor për periodat tuaja, i cili në vetvete përfaqëson gjakderdhjen që ndodh në fund të një cikli të plotë menstrual, gjakderdhje e cila ndodh rreth një herë në muaj.
Gjatë ciklit, shtresa e jashtme e mureve të mitrës trashet dhe pasurohet me enë gjaku, në mënyrë që të përgatitet për të suportuar një shtatzani të mundshme. Nëse shtatzania nuk ndodh, kjo shtresë e trashur shkolitet dhe nxirret jashtë duke u shoqëruar me gjakderdhje, pra me menstruacione, të cilat zgjasin 3 deri në 8 ditë. Për shumicën e femrave, ardhja e periodave ndodh sipas një modeli të rregullt dhe të parashikueshëm. Zgjatja kohore nga dita e parë e periodave deri në ditën e parë të periodave pasardhëse varion nga 21 deri në 35 ditë.
Si funksionon cikli menstrual?
Cikli menstrual kontrollohet nga një mori komplekse hormonesh, të cilët prodhohen nga hipotalamusi dhe hipofiza në tru, së bashku me vezoret. Ky cikël përfshin disa faza, koordinimi ekzakt i të cilave është i ndryshëm për çdo femër dhe mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Në tabelën e mëposhtme shpjegohet se çfarë ndodh gjatë një cikli mesatar 28 ditor.
Dita e ciklit | Ngjarjet |
Dita 1-5 | Dita e parë e ciklit konsiderohet dita e parë e periodave, të cilat mund të zgjasin 3-8 ditë (mesatarja 5 ditë). Zakonisht gjakderdhja është më e madhe gjatë 2 ditëve të para. |
Dita 6-14 | Me përfundimin e gjakderdhjes, shtresa e jashtme e murit të mitrës (e quajtur endometër) fillon të përgatitet për një shtatzani të mundshme duke u trashur e duke shtuar numrin e enëve të gjakut. |
Dita 14-25 | Diku nga dita 14, një vezë lëshohet nga vezorja dhe nis rrugëtimin nga gypat e Fallopit drejt mitrës. Nëse në këtë moment në gypa ndodhen spermatozoidë, mund të ndodh pllenimi i vezës. Nëse ndodh kjo, veza e pllenuar do të shkojë drejt mitrës dhe do të tentoj të implantohet në murin e trashur të saj. |
Dita 25-28 | Nëse nuk ndodh pllenimi ose implantimi i vezës, mitra sinjalizohet në rrugë hormonale që të përgatitet për te shkolitur shtresen e trashur dhe për ta nxjerrë jashtë. Veza tretet dhe nxirret jashtë gjithashtu. Cikli rinis përsëri në ditën e parë të periodave. |
Çfarë konsiderohet gjakderdhje normale?
Kjo varion në çdo person: disa femra kanë perioda të shkurtra me gjakderdhje te ulet, disa të tjera mund të kenë perioda më të gjata dhe me gjakderdhje më të madhe. Madje dhe në një person të vetëm kohëzgjatja dhe sasia e gjakut ndryshojnë me kalimin e kohes dhe fazave të jetës. Megjithatë, në teori një gjakderdhje normale ka këto karakteristika:
- Kohëzgjatja: 3-8 ditë
- Shtrirja kohorë nga perioda në periodë: 21-35 ditë
- Sasia totale e gjakut të humbur gjatë periodave: 2-3 lugë çaji (sekrecionet, indi endometrial dhe lëngje të tjera mund ta bejnë të duket si më shumë)
Si mund të gjurmoj ciklin tim?
Gjurmimi i ciklit tuaj me një kalendar, së bashku me mbajtjen shënim të disa detajeve rreth gjakderdhjeve dhe simptomave shoqeruese ose paraprirëse te ciklit mund t’ju ndihmojë në kuptimin e tij. Shënoni ditën e fillimit dhe mbarimit të periodave, sasinë e gjakderdhjeve gjatë cdo ditë, ndonjë dhimbje abdominale ose dhimbje gjoksi shoqëruese, ndryshime humori ose sjelljeje, fryrje barku etj. Pas gjurmimit të vazhdueshëm të disa cikleve rresht, ju do të vini re modelin e përsëritjeve të ngjarjeve, si dhe mund të vini re ndonjë çrregullim të mundshëm.
Për ta bërë këtë, ju mund të përdorni një kalendar dhe fletore, ose mund të përdorni aplikacione të ndyshme, të cilët janë dizenjuar posaçërisht për të gjurmuar ciklin tuaj dhe mund ti shkarkoni në celular, si psh: Flo, Clue, Lunar, Period Tracker etj.
Për çfarë më nevojitet gjurmimi i ciklit?
Ju mund ta përdorni këtë informacion për t’ju ndihmuar të planifikoni një shtatzani ose për ta evituar ate në mënyrë natyrale, për të menaxhuar më mirë simptomat menstruale që mund të përjetoni, për te planifikuar plane ose evente të mundshme që ndikohen nga ardhja e ciklit, për të evidentuar problematika të ndryshme shëndetësore etj.
Dr. Ardi Prushi
Përshtati: Ines Mustafaj
Leave Your Comment