67

GSM (Genito-urinary syndrome of Menopause)

Tharja vaginale dhe atrofia është një pandemi e heshtur e cila prek një masë të madhe femrash, të cilat pa asnjë dyshim po vuajnë në heshtje. Kjo gjëndje kronike dhe progresive prek 50-60% të grave në menopauzë e post-menopauzë; ku shumë mjek obs-gjin besojnë se kjo shifër është e kursyer. Me rritjen e jetëgjatësisë, kjo gjëndje, pra thatësira vaginale sa vjen dhe bëhet më problematike në cilësinë e jetës së gruas, disfunksionin seksual dhe në problemet urinare e infeksioze rekurente që kjo situatë shkakton. Gjithashtu, femrat në moshë të re janë të riskuara nga kjo problematikë e cila shpesh shfaqet me infeksionet kronike dhe kontaktet seksuale të dhimbshme.

Gratë me këtë problem shfaqin një klinikë shqetësuese si dhimbjet vulvo-vaginale, irritimi intern dhe ekstern si dhe krruarje vulvare, vaginale apo të kombinuara.
Simptoma të tjera dytësore të tharjes vaginale janë, skuqja, djegia, shtimi I sekrecioneve dhe sigurisht dhe dyspareunia (kontaktet e dhimbshme).
Këto gra ankojnë sigurisht për dëshirë të ulët seksuale e cila ne vetvete shkakton dhe stress mendor por dhe cenim të marrëdhënies së tyre me partnerin.
Simptomat urinare, si pasojë e dobesimit të murit të përparëm të vaginës, I cili në vetvete është në kontakt të ngushte e të drejtperdrejtë me qafen e fshikëzës së urinës janë gjithashtu të shpeshta.
Inkontinenca urinare e stresit (urinimi I pavullnetshëm gjatë shtrengimeve), djegiet urinare, ndjesia e urinimit të vazhdueshëm, zgjimi natën për të urinuar, infeksionet urinare kronike e rekurente janë shfaqje të shpeshta të atrofisë vaginale.
Të gjitha sa mësipër përbëjnë atë cka quhet sindroma genito-urinare e menopauzës.

Diagnoza e saj në fakt bazohet në historinë e problemeve, përjashtimin e shkaqeve të tjera si dhe egzaminimi fizik kryer nga mjeku obstetër-gjinekolog.
Një vaginë pa elasticitet, e thatë, me humbjen e rugave (brazdave, rrudhave) fiziologjike të vaginës dhe mukozë delikate janë disa prej shenjave që vihen re.
Ulja e furnizimit me gjak e cila në thelb është shkaktari kryesor I vaginës atrofike (trophos = ushqyerje, atrophia = mungesë ushqyerje), pra një mukozë e pa ushqyer mirë është thelbi I këtij problem. Kjo vërehet sërish në egzaminimin që kryen mjeku obs-gjin. Intrioitusi vaginal (hyrja) mund të shfaqet e ngushtuar me një epitel tepër delikat dhe mundet dhe I ulceruar.

Tipikisht në këto raste pH vaginal është I rritur >5.0 (kujtojme vagina ka një pH normal 3.8-4.5).

Thënë mësiper e duke I besuar gjithmonë teknologjisë si pararojë e shëndetit dhe trajtimit të problemeve vendosa të sjell Femilift, si një teknologji e miratuar nga FDA dhe e përdorur në mbi 200.000 gra në Europë e ShBA për probleme të ketij lloji me rezultate të shkelqyera.

Por c’është Femilift dhe si realizon regjenerimin vaginal?
Sikurse lëkura, vagina gjithashtu ka në thelb kolagjenin, I cili I jep vaginës elasticitetin dhe fortësine. Femilift përdor laserin CO2-pixel duke nxehur kështu vaginën, duke rritur stimulimin e kolagjenit, vaskularizimit (furnizimin me gjak) si dhe duke kontraktuar fibrat e kolagjenit prezent. Kjo teknologji Robotic Probe, njetrajtësisht prek gjithë vaginën duke garantuar dhe uniformitet.

Cilat janë benefitet e Femilift?
Kërkimet dhe studimet klinike tregojnë një rritje të shpejtë te furnizimit me gjak, shtim të lubrifikimit dhe një pergjigje të lartë imunitare ndaj infeksioneve rekurente/kronike.

Cilat janë grupmoshat e Femilift?
E krijuar tipikisht për moshat >50 vjec (perimenopauzë, menopauzë e postmenopauzë) në të cilat rezultatet janë realisht mbreslënëse, Femilift indikohet e në gratë e reja të cilat kanë kryer lindje vaginale e cila shpesh herë krijon probleme të laksitetit vaginal duke cuar kështu në simptoma urinare e sidomos të urinimit të pavullnetshëm gjatë shtrengimeve (kollitje, qeshje, tështima, ngritje pëshas, aktivitet fizik), pra në thelb cdo aktivitet i cili rrit presionin intra-abdominal.

Sa seanca janë të nevojshme?
Sigurisht kjo përcaktohet në vizitën që kryhet me mjekun obs-gjinekolog, por protokolli kërkon 3 seanca cdo 4-6 javë, (koha duhur e prodhimit të kolagjenit) si dhe 1 seancë mirëmbajtje në vit.
Që në seancën e dytë efektet janë mbreslënëse!

Pse Femilift dhe jo terapia hormonale zëvendësuese apo Estrogjeni lokal?
E thjeshtë: efektet anësore të medikamenteve dihen dhe efekti I tyre zgjat përsakohë ato përdoren, pra ndërprerja e tyre rezulton në rikthimin e simptomatikës vaginale. Këto probleme nuk egzistojnë me Femilift! Gjithashtu Femilift kryen 1 rrugë e disa punë, në ndryshim nga medikamentet që përdoren për këto probleme.
Femilift zgjidh simptomat e GSM.

Të dhëna statistikore mbi Femilift, pranuar nga FDA (Food & Drugs Administration)
386 gra të cilat vuanin me GSM (Genito-urinary syndrome of Menopause) trajtuara më CO2-Pixel – Femilift me 3 seanca:
Zgjidhje e thatësirës vaginale në 60-73%, djegies në 56%, dyspareunisë në 49%, krruarjes vaginale 56%. Këto efekte u raportuan direkt pas seancës së pare dhe me një kohezgjatje >1 vit pas seancës së fundit.
Disa gra, ankuan për discomfort të lehtë, skuqje e pakëz pickim vaginal deri 2 ditë pas seancës së parë cka është krejt normale.

E dini se?
Femilift ka një “Worth it of 93%” nga pacientët që e kanë përdorur.

Dr. Ardi PRUSHI
Obstetër-Gjinekolog.

64

Gjakderdhja Postpartum.

 

Çfarë është normale?

 

Gjakrrjedhja pas lindjes, e cila njihet me emrin lohje, është normale pas lindjes vaginale dhe pas asaj me Caesarean, megjithatë është e rëndësishme të njohim çfarë është normale dhe çfarë jo.

Pse kemi gjakrrjedhje pas lindjes?

Arsyet se pse gjakrrjedhja pas lindjes ndodh janë shërimi i vendit ku placenta është shkëputur nga uterusi dhe eleminimi i likidit të tepërt, gjakut dhe indit nga shtatzania.

Lohja është e ngjashme me menstruacionet në formën sesi është e përbërë nga gjak dhe ind, thjesht është me fluks më të rëndë dhe zgjat më shumë në kohë. Lohjet duhet të ndalojnë në javën 4-6 pas lindjes.

Faza e parë e gjakrrjedhjes pas lindjes njihet me emrin Lochia Rubra dhe zgjat 3-4 ditët e para. Gjakrrjedhja do jetë e kuqe apo e kuqe në kafe dhe mund të kemi dhe copa të vogla gjaku të mpiksura.

Në ditët në vazhdim lohjet do të ulen në volum. Kjo njihet me emrin Lochia Sclerosa dhe zgjat 4-10 ditë. Gjaku do jetë më i errët në ngjyrë dhe lohjet bëhen më të ujshme. Copat e mpiksura duhet të bëhen më të vogla dhe të zhduken.

Si përfundim do përjetoni Lochia alba, e cila zakonisht zgjat 1-2 javë të tjera, por mund të zgjasë dhe deri në 28 ditë. Sekrecionet janë në ngjyrë të bardhë në të verdhë, në disa ditë mund të shihni dhe njolla rozë apo kafe. Aroma nuk duhet të jetë më ndryshe se ajo që përjetoni gjatë periodave. Nëse ndjeni ndonjë aromë e cila nuk iu duket normale, kjo mund të jetë shenjë infeksioni.

Edhe pse lohjet janë normale, ka disa sinjale të cilat janë tregues që duhet ti drejtoheni personelit mjeksor për ndërhyrje të menjëhershme. Këto sinjale janë:

  • Gjakrrjedhja ndalon apo ngadalësohet, pastaj fillon përsëri.
  • Sasia e gjakrrjedhjes është e tillë, që juve iu duhet të ndërroni pecetat sanitare çdo 1 orë ose më shpejt.
  • Madhësia e copave të mpiksura të gjakut është më e madhe se 5 cm.
  • Keni temperaturë apo simptoma të ngjashme me gripin.
  • Keni dhimbje abdominale.

 

 

 

 

 

63

Rënia e flokëve pas shtatzënisë!

Shumë femrave u ndodh që pas shtatzënisë të përjetojnë një rënie të madhe flokësh. Një gjë e tillë në shumicën e rasteve është normale dhe vjen si pasojë e ndryshimeve hormonale që ndodhin në organizëm (rënia e estrogjenit). Kjo rënie fillon zakonisht 1-6 muaj pas lindjes dhe mund të zgjasë 12-18 muaj. Pas kësaj kohe zakonisht gjendja normalizohet. Nëse kjo nuk ndodh ose rënia e flokëve është tepër e madhe dhe shqetësuese, duhet konsultuar me mjekun pasi mund të ketë shkaqe të tjera si anemia ose çrregullime të gjëndrës tiroide.

Një ndryshim tjetër që mund të vihet re te flokët është ndryhimi i formës së tij, psh flokët e drejta mund të bëhen me onde. Por ky fenomen është më i rrallë.

Çfarë mund të bëjmë për të reduktuar rënien e flokëve?

Asgjë. E vetmja gjë që mund të bëhet është të pritet derisa hormonet në organizëm të ekuilibrohen dhe bashkë me to gjendja e flokëve të normalizohet. Nëse floku i hollë ju bezdis, mund të përdorni shampo që japin volum dhe të shmangni produktet që rëndojnë flokun si conditioner të rënda. Një model i shkurtër flokësh do ta bënte atë të dukej më i plotë dhe me volum.

 

Dr. Ardi Prushi

Përgatiti: Eleni Koça

 

60

Blighted ovum – shtatzënia pa embrion

Veza “qorre” ose shtatzënia pa embrion (blighted ovum) është një fenomen në të cilin veza e fertilizuar implantohet në muret e mitrës, por nuk arrin të zhvillojë një embrion ose embrioni zhvillohet dhe më pas ndërpret zhvillimin e tij. Ndërkohë sakusi zhvillohet.

Arsyet pse kjo ndodh nuk dihen, por mund të jetë për shkak të anomalive kromozomale në vezën e fertilizuar. Ky fenomen ndodh në shtatzëninë e hershme, atëherë kur akoma nuk e ke marrë vesh se je shtatzënë. Mund të ndodhë që testi i shtatzënisë të rezultojë pozitiv dhe simptoma të ndryshme të shtatzënisë të jenë të pranishme. Hormonet e shtatzënisë po ashtu rriten. Në momentin kur embrioni ndërpret zhvillimin, bien nivelet e hormoneve dhe simptomat zhduken. Mund të vihen re dhimbje barku  të lehta ose hemorragji. Diagnoza vendoset nëpërmjet ekografisë ku shihet mungesa e embrionit.

Ky fenomen përfundon në abort. Disa femra zgjedhin të abortojnë në mënyrë natyrale, të tjera zgjedhin të marrin barna për ta nxitur atë.

Shumica e femrave që kanë patur një shtatzëni pa embrion arrijnë të kenë një shtatzëni të suksesshme më vonë. Nëse abortet janë të përsëritura atëherë duhet folur me mjekun në mënyrë që të zbulohet shkaku.

 

Dr. Ardi Prushi

Përgatiti: Eleni Koça

50

Alkooli gjatë shtatzënisë – JO!

Konsumi i alkoolit gjatë shtatzënisë është vërtetuar të jetë i dëmshëm nga mjaft studime. Asnjë lloj alkooli (përfshrë këtu birrën, verën) nuk është produkt i sigurt për t’u konsumuar gjatë shtatzënisë në asnjë sasi, sado e vogël qoftë ajo.

Kur një grua shtatzënë konsumon alkool, ai kalon nëpërmjet placentës në gjakun e fetusit. Koha që i duhet fetusit për ta eleminuar alkoolin nga gjaku i tij është më e gjatë se koha që i duhet një të rrituri për të bërë të njëjtën gjë. Sa më gjatë të qëndrojë alkooli në organizmin e fetusit, aq më i madh  është risku i dëmtimeve jetëkërcënuese në tru dhe në organe të tjera jetësore.

Alkooli mund të japë dëme të llojeve të ndryshme. Ato mund të jenë të pranishme që në lindje ose të shaqen më vonë gjatë jetës së fëmijës. Ndër dëmet që mund të shkaktojë alkooli përmendim:

  • Tipare anormale të fytyrës
  • Madhësi e vogël e kokës
  • Shtat i shkurtër
  • Peshë trupore e ulët
  • Probleme në koordinim, përqëndrim, kujtesë
  • Koeficient inteligjence (IQ) i ulët
  • Vonesë në të folur
  • Probleme shikimi dhe dëgjimi
  • Dëmtime në zemër, kocka, veshka etj.

Disa prej këtyre dëmtimeve mund të jenë të korigjueshme kirurgjikalisht ose të trajtueshme nga ana mjekësore, ndërkohë që një pjesë tjetër janë mjaft të vështira për t’u menaxhuar.

Alkooli është gjithashtu një faktor risku për abort dhe lindje të parakohshme.

Për ta përmbyllur, rekomandimi i mjekut për mbarëvajtjen e shtatzënisë dhe ruajtjen e shëndetit të nënës dhe fëmijës është moskonsumi i alkoolit gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë ose ndërprerja sa më e hershme e konsumit të tij.

Përshtati: Eleni Koça
Dr. Ardi PRUSHI

46

Aborti medikal – pilulat e abortit: risqet dhe gjithçka që duhet të dini.

Aborti medikal është një proçedurë që përdor medikamentet për përfundimin e një shtatëzënie.  Ky abort nuk kërkon ndërhyrje kirurgjikale apo anestezi dhe mund të kryhet në një klinikë mjrkësore ose në shtëpi, gjithnjë duke planifikuar vizita kontrolli me mjekun tuaj.

Është një mënyrë e sigurt dhe efektive nëse kryhet në trimestrin e parë të shtatëzënisë.
Në momentin që po konsideroni të kryeni një abort mjekësor mund të përballeni me sfida emocionale dhe psikologjike. Prandaj është e rëndësishme që të keni informacionin e duhur dhe gjithashtu të konsultoheni me mjekun tuaj hap pas hapi.

Arsyet e kryerjes së një aborti medikal janë tërësisht personale. Zgjedhja është në dorën tuaj, mjafton të siguroheni që po e kryeni në kushtet më të mira të mundshme dhe gjithmonë pas diskutimit me një profesionist.

Risqet:

  • aborti jo i plotë, çka kërkon kryerjen e një proçedure kirurgjikale më pas
  • vazhdimi i shtatëzënisë, nëse proçedura nuk funksionon.
  • gjakrredhje e shumtë dhe e zgjatur
  • infeksion
  • temperaturë
  • diskomfort i sistemit digjestiv

Aborti mjekësor nuk ndikon në shtatëzënitë e mëvonshme nëse nuk është shoqëruar me komplikacione.

Kini parasysh që aborti mjekësor nuk është zgjedhja e duhur për ju nëse:

  • shtatëzënia është më tepër se 9 javë ( që nga menstruacioni i fundit)
  • keni një paisje intrauterine (IUD)
  • dyshoni për shtatëzëni ektopike ( shtatëzëni jashtë mitrës)
  • keni probleme shëndetësore të tilla si: çrregullime të koagulimit, sëmundje kardiake apo të enëve të gjakut, sëmundje të rënda të mushkërive, mëlçise apo veshkave, konvulsione të pakontrolluara.
  • jeni në mjekim me hollues gjaku apo me steroide ( kortizon, hidrokortizon, dexametazon etj.)
  • nuk keni të planifikuara vizita kontrolli me mjekun tuaj ose nuk keni akses në një qendër emergjencash mjekësore
  • jeni alergjikë ndaj medikamenteve të përdorura.

Për vajzat/gratë për të cilat eleminohet opsioni i abortit mjekësore, ekzistojnë të tjera mundësi aborti siç është dilatacioni dhe kyretazhi (D&C-proçedurë kirurgjikale e kryer nga mjekë specialistë).

Si të përgatiteni për një abort mjekësor?

Fillimisht duhet të konsultoheni me doktorin tuaj për të diskutuar proçedurën. Probabilisht mjeku juaj:

  • do vlerësoje historinë tuaj mjekësore dhe shëndetin e përgjithshëm
  • të konfirmojë shtatëzëninë me një ekzaminim fizik
  • të kryejë një ekografi për të vlerësuar moshën e shtatëzënisë dhe për të përjashtuar shtatëzëninë ektopike ose ndonjë masë tumorale të zhvilluar në uterus.
  • të kryejë analiza gjaku dhe urine
  • t’ju shpjegojë si funksionon proçedura, efektet anësore, risqet dhe komplikacionet e mundshme.

Gjatë proçedurës:

Aborti mjekësor mund të kryhet përmes medikamenteve të mëposhtme:

Mifeprostoni dhe misoprostoli oral- ky kombinim përbën tipin më të zakonshëm të abortit mjekësor.

Mifepristoni vepron duke bllokuar progesteronin, duke mos lejuar mitrën në këtë mënyrë të presë embrionin.

Misoprostoli nga ana tjetër, shkakton kontraktimin e mitrës në mënyrë që gjithçka që ndodhet brenda saj të dalë jashtë përmes vaginës (bashkë me embrionin).

Nëse ky është aborti që ju keni vendosur të zgjidhni bashkë me doktorin tuaj, me shumë siguri do e merrni mifepristonin në klinikë dhe misoprostolin në shtëpi pas disa orësh/ditësh sipas udhëzimeve të mjekut tuaj.

Rreth një jave pas proçedurës duhet të planifikoni një vizitë mjekësore për tu siguruar që aborti ka qenë i plotë.

Krahas tabletave orale të misoprostolit ekzistojnë  edhe tableta bukale (që vendosen në gojë), sublinguale (poshtë gjuhës) apo vaginale.  Për të tilla detaje ju informon dhe ju udhëzon për përdorimin mjeku juaj.

Një opsion tjetër është kombinimi i metotreksatit me misoprostolin vaginal.

Zgjedhja e opsionit të duhur për ju bëhet së bashku me specialistin e fushës i cili ju rekomandon medikamentet më të përshtatshme.

Disa efekte anësore të pilulave të përdorura për abort mjekësor janë:

  • të përzierat
  • të vjellat
  • temperatura
  • ethet
  • diarre
  • dhimbje koke.

Pas proçedurës

Shenja dhe simptoma që kërkojnë vëmendje mjekësore dhe për të cilat ju duhet të jeni shumë të vëmendshme janë:

  • gjakrrjedhje masive- përdorimi i dy ose më shumë linesave gjatë një ore, për të paktën 2 orë.
  • dhimbje e fortë abdominale/e shpinës
  • temperaturë që zgjat më tepër se 24 orë
  • rrjedhje vaginale me erë shumë të rëndë

KUJDES

Ndonëse aborti medikal nuk përfshin një ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk është e domosdoshme të kryhet në spital/klinikë mjekësore është i domosdoshëm kontrolli mjekësor pas kryerjes së tij.

Përgjithësisht është proçedurë e sigurt nëse kryhet në mënyrën e duhur dhe mbikqyret nga një profesionist.

Pas abortit mjekësor, në vizitën e kontrollit mjeku juaj do sigurohet që gjithçka po shkon ashtu siç duhet, do vlerësojë përmasat e mitrës, gjakrrjedhjen apo ndonjë shenjë infeksioni.

Për të ulur riskun për infeksion, shmangni marrëdhëniet seksuale vaginale apo përdorimin e tamponëve për 2 javë mbas abortit.

Me shumë mundësi doktori do ju pyesë nëse e keni ende ndjesinë e të qenit shtatëzënë, nëse e patë ekspulsionin (daljen nga vagina) të embrionit, sasinë e gjakrrjedhjes që keni patur apo nëse kjo gjakrrjedhje vazhdon.

Nëse doktori juaj dyshon për vazhdimin e shtatëzënisë do ti nënshtroheni një ekografie dhe nëse ky dyshim konfirmohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për të përfunduar abortin.

 

Dr. Ardi Prushi

Përgatiti: Frisiana Mirashi

 

44

Cfarë është “Cryptic Pregnancy”?

Një shtatzëni kriptike, e quajtur edhe një shtatzëni e fshehtë, është një shtatzëni që metodat konvencionale të testimit mjekësor mund të dështojnë për ta zbuluar. Shtatzënitë kriptike nuk janë të zakonshme, por nuk janë as të padëgjuara.

Mund të jetë tepër e frikshme dhe konfuze të zbuloni se jeni në të vërtetë shtatzënë në muajin e shtatë, tetë, nëntë. Disa gra me këtë gjendje madje befasohen nga dhimbjet e lindjes që janë “shenja” e tyre e parë e vërtetë e shtatzënisë.

Le të hedhim një vështrim më të afërt në simptomat, statistikat dhe historitë e kësaj shatëzanie të fshehtë.

Cilat janë simptomat e një shtatëzënie të fshehtë?

Për të kuptuar se si një shtatzëni e fshehtë mund të kalojë pa u vënë re, ju ndihmon të kuptoni se si duket një shtatzëni “normale” në fazat e saj të hershme. Në Shtetet e Bashkuara, shumica e njerëzve zbulojnë se janë shtatzënë brenda 5 deri 12 javëve.

Pas humbjes së një cikli menstrual, një test shatëzanie në përgjithësi do të tregojë një rezultat pozitiv. Testimi i mëtejshëm i urinës, një test gjaku dhe një Echo tek nje mjek obsteter gjinekolog do të konfirmojnë shtatzëninë. Shumica e njerëzve vërejnë simptoma të tilla si gjinjtë e butë dhe të fryrë, ndryshimet e humorit, lodhja dhe të përzierat herët gjatë tremujorit të parë.

Në rastet e  një shtatëzanie të fshehtë, asgjë nuk fillon zinxhirin e ngjarjeve që zbulon se jeni shtatzënë. Një test shtatzënie mund të rezultoj negativ edhe pasi të keni humbur periodat. Ju mund të ngatërroni përzierjen e hershme të shtatzënisë si malabsorbim. Ndoshta ju është thënë se keni infertilitet, ose periodat tuaja nuk vijnë rregullisht, që do të thotë se shtatzënia nuk është një mundësi që ju e merrni parasysh.

Sidomos nëse nuk keni qenë kurrë më parë shtatzënë, është e lehtë të hidhni poshtë simptomat e shtatzënisë si lëvizja e fetusit, shtimi i lehtë në peshë dhe lodhja si rezultat i zgjedhjeve dietike ose stilit të jetesës.

Nivelet e ulëta të hormoneve të shtatzënisë mund të nënkuptojnë që simptomat tuaja të shtatzënisë janë shumë të lehta ose gati të pamundura për tu vënë re.

 

Çfarë e shkakton një shtatëzani të fshehtë?

  • Sindromi Ovarian Polikistik (PCOS). Kjo gjendje mund të kufizojë fertilitetin tuaj, të krijojë cekuilibër hormonal dhe të shkaktojë cikël menstrual të parregullt.
  • Perimenopauza është koha kur periodatfillojnë të jenë gjithnjë e me të pa qëndrueshme derisa ndalen plotësisht, e cila shënon menopauzën. Simptomat e shtatzënisë si shtimi në peshë dhe luhatjet e hormoneve mund të imitojnë simptomat e perimenopauzës.
  • Pilulat e kontrollit të shatëzanisë dhe pajisjet intrauterine (IUDs) mund t’ju bëjnë të ndiheni të sigurt se një shtatzëni nuk është e mundur për ju, por pavarësisht efiksaitet të tyre asnjëra nuk ofron siguri 100%.
  • Është e mundur të mbeteni përsëri shtatzënë pas një shtatëzënie para se tju kthehen periodat. Meqenëse ushqyerja me gji dhe faktorët hormonalë mund të shkaktojnë që trupi juaj të vonojë ovulimin dhe periodat  për disa muaj pas lindjes, mund të supozoni se simptomat tuaja janë thjesht përshtatja e trupit tuaj me gjendjen e tij pas lindjes kur jeni në të vërtetë shtatzënë edhe një herë.

Si mund të jenë testet e shtatzënisë negative nëse jeni shtatzënë?

Testet e shtatzënisë dhe madje edhe echo mund të rezultojë negative nëse jeni duke përjetuar një shtatzëni të fshehtë. Arsyet pse do të ndryshojnë nga rasti në rast.

  • Nëse keni PCOS, periodat mungojnë, jeni jashtëzakonisht aktivë ose atletikë, ose keni lindur kohët e fundit:

Ju keni më shumë gjasa të keni hormone të luhatshme . Nëse nuk e keni perioda të rregullta, hCG (hormoni i shtatzënisë) mund të mos grumbullohet në mënyrë aq të rëndësishme sa tju dhënë  një test pozitiv shtatzënie.

  • Edhe një echo mund të dështojë për të gjetur një fetus në rritje nëse nuk është duke kërkuar në vendin e duhur. Nëse testimet e mëparshme kanë treguar se nuk jeni shtatzënë, është gjithashtu e mundur që një imazherist të mos kalojë shumë kohë duke kërkuar një fetus në rritje.
  • Nëse jeni miratuar të bëni një echo pavarësisht një testi negativ të shtatzënisë, është e mundur që ajo të mos shfaqet në tremujorin e parë për shkak të:

një parregullsi në vendin ku implantohet embrioni

mënyrës sesi është formuar mitra juaj

një gabim nga ana e teknologjisë me ultratinguj

Si është lindja gjatë një shtatëzënie të fshehtë?

Lindja në fund të një shtatëzënie kriptike do të jetë fizikisht e ngjashme me çdo shtatëzani tjetër. Ju si zakonisht do të keni kontraktime që ndihen si ngërçe të forta ndërsa qafa e mitrës do dilatohet për të qenë në gjendje të lindë fëmijën. Ajo që ndryshon nga lindja e zakonshme  është se ju mund të mos e prisni fare. Kjo mund të shkaktojë shqetësim të fortë psikologjik .

Shtatzënia kriptike është një gjendje e vërtetë, megjithëse është e pazakontë dhe disi e keqkuptuar. Nëse besoni se jeni shtatzënë, duhet të jeni të vetëdijshëm se metodat konvencionale të testimit të tremujorit të pare – testet e gjakut, testet e urinës dhe echo-të janë të sakta për shumicën e shtatzënive

Nëse vazhdoni të keni simptoma pas një testi negativ të shtatzënisë , diskutoni rrethanat tuaja specifike me një mjek të cilit i besoni. Duke pritur për një ose dy javë për të parë nëse simptomat tuaja do të qetësohen nuk do të dëmtojë fëmijën tuaj, por mos vononi të kërkoni përgjigje me muaj.

 

NENSI XHAXHO

 

43

Të udhëtosh gjatë shtatzënisë

Me kujdesin e duhur, masat paraprake, informimin e duhur dhe vaksinimin adekuat, shumica e femrave mund të udhëtojnë të sigurta gjatë shtatzanisë.

Kudo që të shkoni, bëni kërkime dhe informohuni rreth qendrave mjekësore që ndodhen në vendin ku ju po udhëtoni në rast se do të keni nevojë për ndihmë mjekësore urgjente. Gjithashtu është mirë që të mbani me vete një dosje me gjithë të dhënat tuaja mjekësore rreth shtatzanisë.

Kur mund të udhëtojmë gjatë shtatzanisë?

Disa femra preferojnë të mos udhëtojnë gjatë 12 javëve të para të shtatzanisë për shkak të diskomfortit që sjell trimestri i parë (nauze, të vjella, lodhje etj). Gjithashtu, risku për abort spontan është më i lartë gjatë 3 muajve të parë të shtatzanisë, pavarësisht nëse udhëtoni ose jo.

Të udhëtuarit në muajt e fundit të shtatzanisë mund të jetë e lodhshme dhe e parehatshme, kështu shumica e femrave preferojnë të udhëtojnë ose të shkojnë me pushime midis muajit 4 dhe 6 të shtatzanisë.

Të fluturuarit gjatë shtatzanisë

Fluturimet nuk janë të dëmshmë për ju dhe bebin, megjithatë çdo problem shëndetsor ose komplikacion duhet diskutuar me mjekun tuaj paraprakisht.

Shancet që të nisi lindja spontanisht janë normalisht të larta pas javës së 37 të shtatzanisë (javës së 32 nëse keni binjakë) dhe disa linja ajrore nuk pranojnë pasagjerë të cilët janë në këto kushte. Pas javës së 28, disa linja ajrore kërkojnë një letër nga mjeku juaj në të cilën ai konfirmon datën e kalkuluar të lindjes dhe që ju nuk jeni në risk për komplikacione gjatë fluturimit.

Ekziston edhe një risk i lehte për mpiksje gjaku dhe trombozë në fluturime për distanca të mëdha (mbi 4 orë). Nëse ju duhet të bëni një udhëtim të tillë, sigurohuni të pini shumë ujë dhe të bëni lëvizje të shpeshta (afërsisht çdo 30 minuta).

Vaksinimet për të udhëtuar gjatë shtatzanisë

Shumica e vaksinave që përmbajnë baktere ose viruse të gjalla nuk janë të rekomanduara në shtatzani për shkak të dëmeve që mund të kenë për bebin. Megjithatë, disa vaksina të tilla mund të konsiderohen gjatë shtatzanisë nëse risku i infektimit është më i madh se risku i vaksinimit.

Vaksinat që përmbajnë baktere dhe viruse jo të gjalla (te inaktivizuara) janë të sigurta për përdorim në shtatzani.

Drejtohuni tek mjeku juaj për këshillim rreth vaksinimit gjatë shtatzanisë.

Udhëtimet me makinë gjatë shtatzanisë

E mira është që udhëtimet e gjata me makinë gjatë shtatzanisë të shmangen. Megjithatë, nëse ju duhet patjetër të bëni një udhëtim të tillë, sigurohuni që të ndaloni shpesh për të dalë nga makina për t’u shtriqur dhe për të lëvizur nga pak.

Gjithashtu ju mund të bëni disa ushtrime në makinë (kur nuk jeni duke i dhënë makinës), si përshembull të shtriqni dhe rrotulloni këmbët dhe gishtërinjtë. Kjo do të ndihmojë qarkullimin e gjakut në këmbë dhe do të reduktojë mpirjen dhe diskomfortin. Në farmaci mund të gjeni edhe disa streçe kompresioni që ndihmojnë në qarkullimin e gjakut dhe parandalojnë mpiksjen e gjakut.

Lodhja dhe marramendjet janë normale gjatë shtatzanisë, kështu që është e rëndësishme që të hidratoheni mirë dhe të hani shëndetshëm gjatë udhëtimeve me makinë.

Kujdes me rripin e sigurimit. Mbajtja e tij është një domosdoshmëri, por sigurohuni që rripi të vijë poshtë barkut tuaj dhe jo mbi të.

Gjithashtu sigurohuni që të mos udhëtoni vetëm, gjithmonë duhet të jeni të shoqëruara.

Të lundruarit gjatë shtatzanisë

Kompanitë e trageteve kanë kufizimet e tyre dhe mund të refuzojnë të pranojnë gra shtatzëna (shpesh përtej 32 javëve). Kontrolloni rregulloren e kompanisë së trageteve para se të rezervoni.

Për udhëtime më të gjata me varkë, si përshembull kroçere, interesohuni nëse ka lehtësira në bord për gratë shtatzëna dhe shërbime mjekësore në portet e ankorimit.

Ushqimi dhe pijet jashtë shtetit në shtatzani

Kujdesuni që të shmangni gjëndjet e shkaktuara nga ushqimet dhe pijet, si përshembull nauzenë e udhëtimit dhe diarrenë e udhëtimit. Disa ilaçe që qetësojnë të vjellat e udhëtimit nuk janë të këshillueshme gjatë shtatzanisë.

Gjithmonë sigurohuni që të pini ujë të pastër. Uji i ambalazhuar është gjithmonë ide e mirë.

Ku të shkoj?
Sigurohuni që trajektorja e udhëtimit tuaj të bëjë të mundur qasjen karshi ndihmës mjeksore të specializuar obstetrikale. Rekomandimi im është të keni si destinacion vende ku ndihma e specializuar mjeksore obstetrikale të jetë e mundur.

P.S – mos qëndroni gjatë udhëtimit në makinë sikurse në foton e artikullit. 🙂

Përshtati: Ines Mustafaj

Dr. Ardi Prushi

42

Hemorragjia e tremujorit të parë – Cili është shkaku?

Trimestri i parë, pra tri muajt e parë të shtatzënisë, shoqërohen me ndryshime dramatike të trupit.

Pavarësisht se masa e pantallonave mund të mos ju ketë ndryshuar, shumë është duke ndodhur në fakt brenda trupit tuaj. Këtu përfshihen ndryshimet hormonale dhe një sistem qarkullimi i gjakut tërësisht i ri! Me kaq shumë ndryshime dhe zhvillime, gjakderdhja përgjatë trimestrit të parë afërmendsh haset shpesh.

Duke iu referuar një studimi të 2009, 30% e grave kanë gjakderdhje të lehtë në trimestrin e parë. Kjo mund të jetë pjesë e një shtatzënie normale. Në fakt, shumica e grave në të cilat haset, procedojnë në një shtatzëni normale dhe të shëndetshme.

Gjakderdhja në trimestrin e parë vjen si pasojë e disa arsyeve, të përmendura dhe shpjeguara më poshtë.

Shkaqet e gjakderdhjes në trimestrin e parë:

Gjakderdhjet e lehta nuk paraqesin shqetësim, vecanërisht nëse zgjasin vetëm një ose dy ditë. Sipas studimeve, është treguar se gratë që kanë gjakderdhje gjatë muajve të parë të shtatzënisë, përjetojnë shtatzëni të ngjashme me ato që nuk kanë.

Nga ana tjetër, gjakderdhjet në masë shoqëruar edhe me simptoma të tjera mund të jenë indikatorë të problemeve më serioze.

Gjakderdhja e implantimit

Implantimi nënkupton vezën e fertilizuar në përpjekje për të gjetur hapësirën e saj dhe për t’u vendosur përfundimisht në brendësi të mitrës. Kjo ndodh 6 deri në 12 ditë pas konceptimit. Veza e fertilizuar udhëton drejt shtëpisë së saj të re dhe duhet të vetëvendoset në veshjen e brendshme të mitrës për të siguruar oksigjenin dhe ushqimin e nevojshëm.

Kjo vendosje mund të bëhet shkak për gjakderdhje. Gjakderdhja e implantimit zakonisht ndodh pikërisht para ditës së pritur për ardhjen e periodave dhe shpesh keqinterpretohet si nisje e tyre.

Të dalluarit midis gjakderdhjes së implantimit dhe periodave mund të jetë sfidues. Kjo edhe sepse simptomat jane të ngjashme:

  1. Dhimbje mesatare (cramps)
  2. Dhimbje fundshpine
  3. Dhimbje koke
  4. Nausea
  5. Gjinj sensitivë

Megjithatë, dallimet midis të dyjave ekzistojnë: si fillim ngjyra, e cila në gjakderdhjen e implantimit është më e lehtë- rozë e lehtë deri në kafe të hapur. Së dyti kohëzgjatja, zakonisht nga disa orë deri në dy ditë dhe nuk përfshin asnjëherë gjakderdhje në masë.

Polipet e qafës së mitrës

Përafërsisht 2 deri në 5% e grave kanë polipe- zgjatime të vogla në formën e gishtave-në qafën e mitrës, midis vaginës dhe mitrës.

Polipet e mitrës zakonisht nuk shkaktojnë kancer. Megjithatë, ato mund të pësojnë inflamacion ose të irritohen duke sjellë gjakderdhje në ngjyrë të kuqe të ndezur.

Marrëdhëniet seksuale ose ekzaminimet fizike

Ekzaminimet fizike dhe kryerja e marrëdhënieve seksuale mund të irritojnë qafën e mitrës duke shkaktuar gjakderdhje. Kjo ndodh sepse ndryshimet hormonale gjatë shtatzënisë mund ta bëjne zonën më sensitive se zakonisht.

Pra, nëse përjetoni gjakderdhje në të kuqe të ndezur menjëherë pas seksit ose një ekzaminimi fizik, mos u shqetësoni! Gjakderdhja me shumë gjasa do të ndalojë vetvetiu.

Aborti

Ndonjëherë gjakderdhjet e lehta shndërrohen në më të rënda. Në fakt, thuhet se cdo gjakderdhje në masë në trimestrin e parë, vecanërisht nëse shoqërohet me dhimbje, mund të jetë e lidhur me një abort. Shumica e aborteve spontane ndodhin në trimestrin e parë të shtatzënisë.

Rreth 20% e shtatzënive kalojnë në abort. Shumica e tyre nuk mund të parandalohen dhe nuk janë absolutisht përgjegjësi e gruas ose shenjë që dicka nuk shkon me të. Nga ana tjetër, shumica e grave arrijnë të kenë të tjera shtatzëni të shëndetshme edhe pas një aborti.

Simptomat e abortit spontan janë si më poshtë:

  • Gjakderdhje vaginale në masë të konsiderueshme
  • Gjakderdhje në ngjyrë të kuqe të ndezur ose kafe
  • Dhimbje në zonën e poshtme të stomakur
  • Dhimbje e fortë dhe therëse në fundshpinë
  • Mpiksje të gjakut

Nëse simptomat e mësipërme janë prezente, telefononi mjekun tuaj. Mund të keni gjakderdhje ose simptoma të tjera të abortit spontan, pa bërë në fakt abort.

Shkaqet e këtyre simptomave, kur nuk janë paralajmëruese të abortit, përfshijnë:

  • Trauma të zonës së stomakut
  • Infeksione
  • Ekspozim ndaj medikamentesh specifike

Të qenit shtatzënë me disa foshnje

Shtatzënia me binjakë ose më shumë se një bebe sjell mundësi më të larta për gjakderdhje gjatë trimestrit të parë per shkak të implantimit.

Gjithashtu, abortet në trimestrin e parë hasen më shpesh në shtatzënitë multiple.

Shtatzënitë ektopike

Shtatzënia ektopike ndodh kur veza e fertilizuar gabimisht vetëvendoset jashtë mitrës. Shumica e shtatzënive ektopike gjenden në tubat e Fallopit-lidhjet midis vezoreve dhe mitrës.

Shtatzënitë ektopike janë më pak prevalente se abortet. Hasen në rreth 2.5% të të gjithë shtatzënive. Foshnja mund të zhvillohet dhe rritet vetëm në mitër, kështu që shtatzënitë ektopike kërkojnë trajtim medikamentoz.

Simptomat e shtatzënise ektopike përfshijnë:

  • Gjakderdhje
  • Dhimbje therëse
  • Presion rektal

Nëse shtatzënia ektopike ju ndodh, duhet të jeni të vetëdijshme që nuk jeni ju shkaktarët.

Shtatzënia molare

Një tjetër shkak i gjakderdhjes në trimestrin e parë është shtatzënia molare. Ky komplikacion i rallë dhe serioz haset vetëm 1 në 1000 shtatzëni.

Shtatzënia molare ndodh kur indi i placentës rritet përtej normales për shkak të një gabimi gjenetik gjatë fertilizimit. Fetusi mund të mos rritet aspak. Shtatzënitë molare rezultojnë në abort në trimestrin e parë.

Simptomat përfshijnë:

  • gjakderdhje në ngjyrë të kuqe të ndezur ose kafe
  • dhimbje ose trysni në zonën e poshtme të stomakut
  • nausea
  • të vjella

Hemorragjia subkorionike

Hemorragjika subkorionike ose hematoma është gjakderdhje që vjen si pasojë e placentës minimalisht të shkëputur prej murit të mitrës. Një qese formohet në zonën midis.

Hemorragjitë subkorionike variojnë: të voglat janë më të shpeshta. Më të mëdhatë shkaktojnë më shumë gjakderdhje. Një numër i madh grash mund të kenë hematoma dhe gjithashtu një shtatzëni të shëndetshme. Megjithatë, hemorragjia subkorionike e konsiderueshme mund të rrisë riskun për abort në 20 javët e para të shtatzënisë.

Simptomat përfshijnë:

  • Gjakderdhje në ngjyrë rozë, të kuqe, ose kafe.
  • Dhimbje në zonën e poshtme të stomakut

Infeksionet

Gjakderdhja në trimestrin e parë mund të mos ketë si shkak shtatzëninë. Shkaqe të tjera mund të përmendim: infeksione në zonën e legenit, fshikëz ose traktin urinar. Këto infeksione mund të kenë origjinën nga baktere, viruse, ose fungi.

Infeksione mykotike serioze ose inflamacione (vaginitis) mund gjithashtu të shkaktojë gjakderdhje. Simptoma të tjera shoqëruese janë:

  • Kruarje
  • Dhimbje në zonën e poshtme të stomakut
  • Djegie gjatë urinimit
  • Sekrecione në ngjyrë të bardhë
  • Gunga në zonën e jashtme të vaginës

 

 

 

Gjakderdhja në trimestrin e dytë dhe të tretë

Gjakderdhja në trimestrin e dytë ose të tretë paraqitet zakonisht më serioze se ajo e trimestrit të parë.

Shkaqet përfshijnë:

  • Probleme të qafës së mitrës: inflamacioni ose rritjet në qafën e mitrës mund të shkaktojnë gjakderdhje të lehta, zakonisht jo serioze.
  • Shkëputja e placentës: placenta shkëputet nga mitra përpara ose gjatë lindjes. Kjo ndodh në vetëm 1% të grave.
  • Previa placentare: placenta është e pozicionuar në zonën e poshtmë të mitrës dhe pjesërisht mbulon qafën e mitrës. Gjakderdhja nuk shoqërohet me dhimbje.
  • Vasa previa: disa nga enët e gjakut të placentës përshkojnë qafën e mitës.
  • Lindje premature

Kur duhet të kërkoni ndihmën e mjekut:

Vini në dijeni mjekun tuaj për cdo lloj gjakderdhjeje përgjatë shtatzënisë. Kujdes shëndetësor i menjëhershëm nevojitet kur hasni një ose disa prej simptomave të mëposhtme:

  • Gjakderdhje në sasi të madhe
  • Sekrecione të shoqëruara me mpiksje
  • Dhimbje të forta
  • Cramping intense
  • Nausea
  • Marrje mendsh
  • Ethe
  • Temperature mbi 38°C

Mjeku do të interesohet për:

Një ekzaminim i shpejtë mund të shfaqë shkakun e gjakderdhjes. Mund t’ju kerkohet:

  1. Një ekzaminim fizik
  2. Ultratinguj
  3. Ekzaminim Doppler
  4. Analizë gjaku

Analiza e gjakut tregon nivelet hormonale. Hormoni kryesor gjatë shtatzënisë-i prodhuar nga placenta- është human chorionic gonadotropin (hCG).

Nivele të larta të hCG mund të nënkuptojnë:

  • Shtatzëni multiple
  • Shtatzëni molare

Nivele të ulta të hCG mund të nënkuptojnë:

  • Shtatzëni ektopike
  • Abort i mundshëm
  • Rritje anormale

Skaneri mund të tregojë vendndodhjen dhe rritjen e foshnjës. Përmasat e foshnjës mund të sigurohen përmes ultratingujve. Rrahjet e zemrës mund të kontrollohen me anë të ultratingujve ose skanerit Doppler që në 5 javët e para të shtatzënisë.

Trajtimi

Disa nga shkaqet që rezultojnë në gjakderdhje, si polipet e qafës së mitrës, mund të trajtohen menjëherë nga mjeku. Komplikacione të tjera mund të kenë nevojë për trajtime më të zgjatura, medikamente, ose kirurgji.

Nëse gjakderdhja është shenjë që shtatzënia juaj nuk mund të vazhdojë normalisht, mjeku mund t’u pershkruajë medikamente si:

  • Methotrexate, i cili ndihmon trupin në përthithjen e indit të dëmshëm si në shtatzëninë ektopike
  • Misoprostol, i cili përdoret për t’I dhënë fund një shtatzënie potencialisht të rrezikshme në 7 javët e para.

Mjeku juaj gjithashtu ju keshillon për kohën e nevojshme para përpjekjeve të reja për një tjetër shtatzëni.

Abortet spontane mund t’ju rëndojnë psikologjikisht. Drejtojuni psikologut për t’ju asistuar në këtë humbje.

Përmbledhje

Gjakderdhja në trimestrin e parë mund të ngjajë alarmuese dhe e frikshme, por në më të shumtat e rasteve është thjesht një pjesë normale e javëve të para të shtatzënisë.  

Gjakderdhja në masë mund të jetë shenjë e dickaje më serioze. Konsultohuni me mjekun tuaj.

 

 

Shkaqet e gjakderdhjes së lehtë të trimestrit të parë që zakonisht nuk paraqesin rrezik janë:

  • Implantimi
  • Polipet e qafës së mitrës
  • Infeksionet uterine
  • Infeksionet e mykut
  • Shtatzënitë multiple

Shkaqe më serioze të gjakderdhjes në trimestrin e parë përfshijnë: miscarriage

  • Shtatzëni molare
  • Shtatzëni ektopike
  • Hemorragji subkorionike

Shtatzënia mund të jetë një karvan emocionesh dhe simptomash. Mos harroni të shijoni udhëtimin!

Përshtati: Ajna Gjyla

Dr. Ardi Prushi

39

I pari Cesarian, po i dyti?

 Çfarë zgjedhjesh më ofrohen

Keni dy zgjedhje në dispozicion:

  • Lindje natyrale (vaginale) pas një lindjeje me prerje cezariane (VBAC).
  • Prerje cezariane të planifikuar.

 

Pyesni veten nëse jeni një kandidat i mirë për VBAC? Nëse përfitimet e VBAC tejkalojnë rreziqet? Përgjigja mund të varet nga ju. Këtu keni ndihmë për të peshuar të mirat dhe të këqijat. Sidoqoftë, zgjedhja për të ndjekur VBAC ose për të caktuar një lindje cezariane  mund të jetë e vështirë.

 

Pse e konsideroni VBAC?

Krahasuar me kryerjen e një lindje me prerje cezariane, lindja vaginale  nuk përfshin asnjë operacion, asnjë nga ndërlikimet e mundshme të operacionit, një qëndrim më të shkurtër në spital dhe një kthim më të shpejtë në aktivitetet normale të përditshme. VBAC gjithashtu mund të jetë njö opsion tërheqës nëse doni të përjetoni lindje vaginale.

Është  e rëndësishme të merren parasysh edhe shtatzënitë e ardhshme. Nëse jeni duke planifikuar për më shumë shtatzëni, VBAC mund t’ju ndihmojë të shmangni rreziqet e lindjeve të shumta cezariane, siç janë problemet e placentës.

 

 

Cilat janë rreziqet e VBAC?

Ndërsa një VBAC i suksesshëm shoqërohet me më pak komplikime sesa një lindje me prerje cezariane e përzgjedhur nga vetë ju, një përpjekje  e dështuar e lindjes vaginale  pas një operacioni cezarian është e lidhur me më shumë komplikime, duke përfshirë një rupturë (çarje) të mitrës.

Çarja  e mitrës është e rrallë, ndodh në më pak se 1% të grave që tentojnë një provë të lindjes natyrale  pas asaj cezariane. Sidoqoftë, ruptura e mitrës është kërcënuese për jetën  tuaj dhe për foshnjën tuaj.

Gjatë një rupture të mitrës, plaga ku është kryer prerje e mëparshme cezariane në mitër hapet. Një operacion urgjent cezarian  është i nevojshëm për të parandaluar komplikimet kërcënuese për jetën. Trajtimi mund të përfshijë heqjen kirurgjikale të mitrës (histerektomi). Nëse mitra juaj hiqet, nuk do të jeni në gjendje të mbeteni përsëri shtatzënë.

 

Kush i përmbush kriteret  për VBAC?

Pranueshmëria e VBAC varet nga shumë faktorë. Për shembull:

Çfarë lloj prerjeje (incizioni) të mitrës është përdorur për prerjen e mëparshme cezariane?

Shumica e operacioneve cezariane përdorin një prerje të ulët tërthore (transversale). Gratë që kanë pasur një prerje të ulët tërthore ose të ulët vertikale janë zakonisht kandidate për VBAC. Nëse keni pasur një prerje paraprake të lartë vertikale (klasike), VBAC nuk rekomandohet për shkak të rrezikut të çarjes së mitrës.

 

A keni pasur ndonjëherë rupturë  të mitrës? Nëse po, ju nuk jeni kandidat për VBAC.

 

A keni pasur operacione të tjera në mitrën tuaj? Nëse keni pasur operacione të tjera të mitrës, të tilla si për heqjen e fibroidit, VBAC nuk rekomandohet për shkak të rrezikut të rupturës  së mitrës.

 

A keni pasur lindje të mëparshme vaginale? Një lindje vaginale të paktën një herë para ose pas prerjes tuaj C-lindore rrit probabilitetin e një VBAC të suksesshëm.

 

Sa operacione cezariane  keni pasur? Shumë ofrues të kujdesit shëndetësor nuk do të ofrojnë VBAC nëse keni pasur më shumë se dy operacione cezariane.

 

Kur keni lindur për herë të fundit? Rreziku i rupturës së mitrës është më i lartë nëse provoni VBAC më pak se 18 muaj pas lindjes tuaj të mëparshme.

 

A keni ndonjë shqetësim shëndetësor që mund të ndikojë në lindjen vaginale? Lindja cezariane mund të rekomandohet nëse keni probleme me placentën, foshnja juaj është në një pozicion jonormal, ose prisni  trinjakë ose  më shumë.

 

Ku do ta lindni fëmijën? Planifikoni të lindni në një strukturë të pajisur për të  kryer një operacion emergjent cezarian.  Lindja  në shtëpi nuk është e përshtatshme për VBAC.

 

A do të keni nevojë të nxisni procesin e lindjes? Lindja e detyruar zvogëlon gjasat e një VBAC të suksesshëm.

Si ndryshon lindja  gjatë VBAC nga lindja rutinë vaginale?

Nëse zgjidhni VBAC, kur të  fillojë procesi i lindjes do të ndiqni një proces të ngjashëm me atë të përdorur për çdo lindje vaginale. Sidoqoftë, ofruesi juaj i kujdesit shëndetësor ka të ngjarë të rekomandojë monitorimin e vazhdueshëm të rrahjeve të zemrës së foshnjës suaj dhe të jetë i përgatitur për të bërë një operacion cezarian të përsëritur  nëse është e nevojshme.

 

Çfarë këshille tjetër i ofrohet grave që po marrin parasysh VBAC?

Nëse jeni duke marrë parasysh VBAC, diskutoni opsionin, shqetësimet  dhe pritshmëritë tuaja me ofruesin tuaj të kujdesit shëndetësor në fillim të shtatzënisë. Sigurohuni që ai ose ajo të ketë historinë tuaj të plotë mjekësore, duke përfshirë çdo të dhënë lidhur me operacionet e mëparshme cezariane  dhe çdo procedurë tjetër kirurgjikale  në mitër. Ofruesi juaj i kujdesit shëndetësor mund të llogarisë mundësinë që të keni një VBAC të suksesshëm.

 

Gjithashtu,  duhet të planifikoni ta lindni fëmijën tuaj në një strukturë të pajisur për të kryer një operacion urgjent .Vazhdoni të diskutoni për rreziqet dhe përfitimet e VBAC gjatë gjithë shtatëzanisë, veçanërisht nëse shfaqen faktorë të caktuar rreziku.

 

Mbi të gjitha, përpiquni të qëndroni fleksibël. Rrethanat e shtatzënisë suaj suaj mund ta bëjnë VBAC një zgjedhje të qartë ose, pas këshillimit, ju dhe ofruesi juaj i kujdesit shëndetësor mund të vendosni që një operacion i përsëritur cezarian  do të ishte zgjedhja më  e mirë.

V.O – Vendimi përfundimtar sigurisht do të vlerësohet nga mjeku juaj.

Dr. A. Prushi
Përpunoi: Dr. Ina Cala