9

Mit apo fakt – jepi fund dyshimeve…

Mit #1: Duhet të jem 21 vjeç për të kryer vizitën time të parë tek një obstetër-gjinekolog.

Në fakt, këshillohet që vizitat e para tek mjeku obstetër-gjinekolog të nisin rreth moshës trembëdhjetë vjeçare. Kryerja e vizitave të rregullta që në paraadoleshencë lejon për krijimin e një marrëdhënieje besimi me mjekun dhe gjithashtu i jep këtij të fundit mundësinë e ndërtimit të një historiku shëndetësor për referencë të mëvonshme. Kontrollet rutinë dhe këshillimet në lidhje me ciklin menstrual, seksualitetin, sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe parandalimin e shtatzënisë janë ndër pikat kyçe që një obstetër-gjinekolog mund të asistojë një vajzë në fillimet e pubertetit.

Mit #2: Nuk kam nevojë të kryej vizita të përvitshme tek mjeku obstetër-gjinekolog.

Kur gjithçka shkon mirë, është e vështirë të marrim iniciativën për të vizituar mjekun. Fatkeqësisht, bashkë me vizitën shmangen edhe kontrolle shëndetesore jetike për: tensionin, osteoporozën, sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe kancerin. Çdo shqetësim tjetër juaji mund të diskutohet lehtësisht në vizitën e përvitshme si edhe shumë probleme shëndetesore mund të adresohen në kohë në mënyrë që trajtimi të jetë më i lehtë dhe i përballueshëm.

Miti #3: Mëmësia mund të presë deri në të dytezat!

Koha për t’u bërë nënë ndikohet nga faktorë të ndryshëm dhe është unike për çdo grua, megjithatë statistikisht të mbeturit shtatzënë vështirësohet me kalimin e viteve. Mundësitë për të mbetur shtatzënë për një grua deri në të tridhjetat variojnë mes 25-30%, ndërkohë me afrimin e të dyzetave këto mundesi arrijnë në më pak se 10%.

Miti #4: Marrja e kontraceptivëve për një kohë të gjatë mund të ulë fertilitetin.

Kontraceptivët luajnë rol të rëndësishëm për gratë që nuk dëshirojnë të mbeten shtatzënë ose për të tjera që kanë  qëllim rregullimin e ciklit të tyre menstrual. Ekziston një opinion i pabazuar në studime dhe fakte reale se marrja e kontraceptivëve për një kohë të gjatë mund të ulë mundësitë për shtatzëni në një kohë të dytë. Kjo është absolutisht e pavërtetë: shtatzënia është e mundur në çastin e parë që gruaja ndërpret përdorimin e kontraceptivit! Nga ana tjetër. rikthimi i ciklit menstrual si në gjendjen pre-hormonale, pra para marrjes së kontraceptivit, mund të kërkojë deri në një vit.

Miti #5: Kontrollet gjinekologjike dhe testi PAP përfshijnë dhe detektojnë edhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Mjeku obstetër-gjinekolog nuk mund të kryejë kontrolle për sëmundje seksualisht të transmetueshme pa kërkesën tuaj për dicka të tillë. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se testi PAP nuk mund të detektojë sëmundje seksualisht të transmetueshme. Nëse e ndjeni të nevojshme të kryeni një kontroll të tillë, mos hezitoni t’ia kërkoni mjekut tuaj obstetër-gjinekolog.

Miti #6: Vizitat e rregullta gjinekologjike kanë të bëjnë vetëm me shëndetin riprodhues.

Pavarësisht se mjeku obstetër-gjinekolog është i specializuar në shëndetin riprodhues, testet dhe checkup-et e rregullta iu sigurojnë që gëzoni shëndet të plotë në tërësi dhe jo vetëm kundrejt riprodhimit.

Miti #7: Nuk kam nevojë të kryej vizita tek mjeku obstetër-gjinekolog pas menopauzës.

Mjekët obstetër-gjinekologë nuk u shërbejnë vetëm grave që presin të bëhen nëna! Kontrollet jetike për kancerin, opsionet e kontraceptivëve apo asistim dhe këshillim gjatë menopauzës janë vetëm disa ndër çështjet që një obstetër-gjinekolog mund t’iu ofrojë ndihmë të specializuar. Vazhdimi i rutinës pre-menopauzale është në të mirën e shëndetit tuaj të përgjithshëm.

Miti #8: Kanceri i gjirit merr jetën e grave më shumë se çdo sëmundje tjetër.

Në fakt, kanceri i gjirit mban vendin e dytë. Të parin e mbajnë sëmundjet e zemrës.

Miti #9: Nuk duhet të kryesh vizitë gjinekologjike gjatë ciklit.

Për të vendosur në lidhje me këtë, duhet të konsideroni sasinë e gjakderdhjes. Në sasi të ulët deri normale nuk interferon me testin PAP. Një sasi e lartë përtej normales suaj mund të jetë tregues anomalie dhe një problem i tillë mund të diskutohet me mjekun edhe përgjatë ciklit. Nëse jeni të pavendosura, telefononi mjekun tuaj obstetër-gjinekolog për këshillim të mëtejshëm.

Miti #10: Kontrollet për kancerin e qafës së mitrës duhen kryer vetëm nga gratë seksualisht aktive.

Kanceri i qafës së mitrës mund t’i ndodhë kujtdo që posedon këtë organ dhe ka qenë të paktën një herë seksualisht aktiv! Nëse jeni nën 65 vjec, duhet të vazhdoni patjetër kontrollet rutinë. Një infeksion HPV i pazbuluar mund të sjellë pasojë në të ardhmen kancerin e qafës së mitrës.

Miti #11: Nëse je e vaksinuar kundra HPV, mund edhe të mos e kryesh testin PAP.

Në fakt, ka disa shtame të HPV. Vaksina fatkeqësisht nuk ofron mbrojtje kundra të gjithë shtameve, ndaj kontrollet rutinë këshillohet të kryhen edhe nga gratë e vaksinuara.

Miti #12: Kur je shtatzënë ushqehesh për dy!

Aspak. Edhe pse gratë shtatzëna kanë nevojë për nutrientë shtesë- vitamina, minerale dhe vecanërisht proteina- nevojat kalorike në fakt nuk ndryshojnë drastikisht, edhe pse besohet gjerësisht e kundërta. Një grua shtatzënë, në fund të shtatzënisë, ka nevojë për rreth 200 kalori më shumë sesa konsumon jashtë shtatzënisë, por gjithmonë në fund të shtatzënisë!

 

Dr. Ardi Prushi

Përshtati: Ajna Gjyla

 

4 Responses

Leave Your Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *