Me kujdesin e duhur, masat paraprake, informimin e duhur dhe vaksinimin adekuat, shumica e femrave mund të udhëtojnë të sigurta gjatë shtatzanisë.
Kudo që të shkoni, bëni kërkime dhe informohuni rreth qendrave mjekësore që ndodhen në vendin ku ju po udhëtoni në rast se do të keni nevojë për ndihmë mjekësore urgjente. Gjithashtu është mirë që të mbani me vete një dosje me gjithë të dhënat tuaja mjekësore rreth shtatzanisë.
Kur mund të udhëtojmë gjatë shtatzanisë?
Disa femra preferojnë të mos udhëtojnë gjatë 12 javëve të para të shtatzanisë për shkak të diskomfortit që sjell trimestri i parë (nauze, të vjella, lodhje etj). Gjithashtu, risku për abort spontan është më i lartë gjatë 3 muajve të parë të shtatzanisë, pavarësisht nëse udhëtoni ose jo.
Të udhëtuarit në muajt e fundit të shtatzanisë mund të jetë e lodhshme dhe e parehatshme, kështu shumica e femrave preferojnë të udhëtojnë ose të shkojnë me pushime midis muajit 4 dhe 6 të shtatzanisë.
Të fluturuarit gjatë shtatzanisë
Fluturimet nuk janë të dëmshmë për ju dhe bebin, megjithatë çdo problem shëndetsor ose komplikacion duhet diskutuar me mjekun tuaj paraprakisht.
Shancet që të nisi lindja spontanisht janë normalisht të larta pas javës së 37 të shtatzanisë (javës së 32 nëse keni binjakë) dhe disa linja ajrore nuk pranojnë pasagjerë të cilët janë në këto kushte. Pas javës së 28, disa linja ajrore kërkojnë një letër nga mjeku juaj në të cilën ai konfirmon datën e kalkuluar të lindjes dhe që ju nuk jeni në risk për komplikacione gjatë fluturimit.
Ekziston edhe një risk i lehte për mpiksje gjaku dhe trombozë në fluturime për distanca të mëdha (mbi 4 orë). Nëse ju duhet të bëni një udhëtim të tillë, sigurohuni të pini shumë ujë dhe të bëni lëvizje të shpeshta (afërsisht çdo 30 minuta).
Vaksinimet për të udhëtuar gjatë shtatzanisë
Shumica e vaksinave që përmbajnë baktere ose viruse të gjalla nuk janë të rekomanduara në shtatzani për shkak të dëmeve që mund të kenë për bebin. Megjithatë, disa vaksina të tilla mund të konsiderohen gjatë shtatzanisë nëse risku i infektimit është më i madh se risku i vaksinimit.
Vaksinat që përmbajnë baktere dhe viruse jo të gjalla (te inaktivizuara) janë të sigurta për përdorim në shtatzani.
Drejtohuni tek mjeku juaj për këshillim rreth vaksinimit gjatë shtatzanisë.
Udhëtimet me makinë gjatë shtatzanisë
E mira është që udhëtimet e gjata me makinë gjatë shtatzanisë të shmangen. Megjithatë, nëse ju duhet patjetër të bëni një udhëtim të tillë, sigurohuni që të ndaloni shpesh për të dalë nga makina për t’u shtriqur dhe për të lëvizur nga pak.
Gjithashtu ju mund të bëni disa ushtrime në makinë (kur nuk jeni duke i dhënë makinës), si përshembull të shtriqni dhe rrotulloni këmbët dhe gishtërinjtë. Kjo do të ndihmojë qarkullimin e gjakut në këmbë dhe do të reduktojë mpirjen dhe diskomfortin. Në farmaci mund të gjeni edhe disa streçe kompresioni që ndihmojnë në qarkullimin e gjakut dhe parandalojnë mpiksjen e gjakut.
Lodhja dhe marramendjet janë normale gjatë shtatzanisë, kështu që është e rëndësishme që të hidratoheni mirë dhe të hani shëndetshëm gjatë udhëtimeve me makinë.
Kujdes me rripin e sigurimit. Mbajtja e tij është një domosdoshmëri, por sigurohuni që rripi të vijë poshtë barkut tuaj dhe jo mbi të.
Gjithashtu sigurohuni që të mos udhëtoni vetëm, gjithmonë duhet të jeni të shoqëruara.
Të lundruarit gjatë shtatzanisë
Kompanitë e trageteve kanë kufizimet e tyre dhe mund të refuzojnë të pranojnë gra shtatzëna (shpesh përtej 32 javëve). Kontrolloni rregulloren e kompanisë së trageteve para se të rezervoni.
Për udhëtime më të gjata me varkë, si përshembull kroçere, interesohuni nëse ka lehtësira në bord për gratë shtatzëna dhe shërbime mjekësore në portet e ankorimit.
Ushqimi dhe pijet jashtë shtetit në shtatzani
Kujdesuni që të shmangni gjëndjet e shkaktuara nga ushqimet dhe pijet, si përshembull nauzenë e udhëtimit dhe diarrenë e udhëtimit. Disa ilaçe që qetësojnë të vjellat e udhëtimit nuk janë të këshillueshme gjatë shtatzanisë.
Gjithmonë sigurohuni që të pini ujë të pastër. Uji i ambalazhuar është gjithmonë ide e mirë.
Ku të shkoj?
Sigurohuni që trajektorja e udhëtimit tuaj të bëjë të mundur qasjen karshi ndihmës mjeksore të specializuar obstetrikale. Rekomandimi im është të keni si destinacion vende ku ndihma e specializuar mjeksore obstetrikale të jetë e mundur.
P.S – mos qëndroni gjatë udhëtimit në makinë sikurse në foton e artikullit. 🙂
Përshtati: Ines Mustafaj
Dr. Ardi Prushi