51

Masters & Johnson

Puna e William Masters dhe Virginia Johnson ka dhënë një kontribut të madh në kuptimin më të qartë të seksualitetit njerëzor si nga ana shkencore dhe ajo sociale. Më poshtë do të flasim për punën e tyre kërkimore dhe se si ndikuan rezultatet e studimit të tyre në shoqëri.

Kush ishin Masters dhe Johnson?

Për kohën e sotme mund të duket si diçka e çuditshme, por ka ekzistuar një periudhë gjatë së cilës disa tema të caktuara nuk diskutoheshin në ShBA dhe as nuk studioheshin në akademi. Për shembull, seksi ka qenë një nga ato tema për të cilën nuk flitej lirisht dhe studiohej shumë përciptazi. Kjo ka qenë kështu deri në vitet 1950 kur William Masters nisi punën kërkimore mbi seksualitetin njerëzor.

William Masters ka qenë një gjinekolog amerikan i cili nisi punën e tij mbi seksualitetin në Universitetin e Uashington në vitet 1950. Ai ka drejtuar një studim vëzhgues mbi anatominë dhe fiziologjinë e marrëdhënieve seksuale dhe përgjigjes seksuale së bashku me asistenten e tij, Virginia Johnson.

Masters dhe Johnson u njohën në vitin 1957 kur William Masters punësoi Virginia Johnson  si asistenten e tij. Sipas autorit Thomas Maier, Masters dhe Johnson monitoroin në laborator vullnetarë të paguar gjatë marrëdhënieve seksuale. Ata u përfshinë edhe vet në studim si subjekte të tij dhe përfunduan duke u dashuruar me njëri-tjetrin. Maier pohoi se Masters dhe Johnson i kalonin shpesh pushimet e verës së bashku në shtëpinë e Masters ndërkohë që gruaja e tij, Libby dhe fëmijët udhëtonin. Gjithashtu në kohën kur martesës së Masters po i vinte fundi, Masters dhe Johnson udhëtonin bashkë çdo ditë të javës. Maier pohoi po ashtu se Masters kalonte më shumë kohë në laborator me kolegen e tij, Johnson se sa në shtëpi me fëmijët dhe gruan e tij. Masters u divorcua me gruan e tij të parë për t’u martuar me Johnson në vitin 1971. Masters dhe Johnson u divorcuan në 18 mars 1993. Pavarësisht kësaj ata vazhduan të punojnë së bashku.

Më parë, studimi i seksualitetit njerëzor (seksologjia) ka qenë një fushë e lënë pas dore për shkak të mendësisë që ekzistonte.

Alfred Kinsey dhe kolegë të tij në Universitetin e Indianës kishin publikuar më herët dy vëllime mbi sjelljet seksuale në vitet 1948 dhe 1953. Ato njihen si “Raportet e Kinsey” (Kinsey Reports) dhe të dyja kanë qenë revolucionare për kohën. Puna e Kinsey kishte të bënte me hetimin e shpeshtësisë në të cilën ndodhin një numër sjelljesh të caktuara në popullatë dhe ishte e bazuar në intervista personale, jo në vëzhgim laboratorik. Në ndryshim nga kjo, puna e Masters dhe Johnson ishte studimi i strukturës, psikologjisë dhe fiziologjisë së sjelljeve seksuale. Kjo u arrit duke vëzhguar në laborator masturbimet ose marrëdhëniet seksuale.

Fillimisht, pjesëmarrëset në studim ishin prostituta. Masters dhe Johnson shpjeguan se këto ishin një grup socialisht i izoluar, kishin njohuri mbi seksin dhe kishin dëshirë të mernin pjesë në studim. Nga 145 prostituta që morën pjesë, vetëm një pjesë e vogël u vlerësuan më tej mbi anatominë e gjenitaleve dhe përgjigjet fiziologjike. Në studime të mëvonshme u rekrutuan 382 femra dhe 312 meshkuj nga komuniteti. Pjesa më e madhe e tyre ishin të bardhë, me arsim të lartë dhe çifte të martuara.

Përveç gjithë punës shkencore, Masters dhe Johnson u përpoqën që të sillnin një ndryshim në mënyrën se si shoqëria e shihte seksin. Ata i paraqitën rezultatet e tyre në një mënyrë të tillë që e paraqiste seksin si një aktivitet i natyrshëm dhe i shëndetshëm që duhet shijuar dhe konsideruar si një burim kënaqësie dhe intimiteti.

Në periudhën kur ata kryen studimet, u lejua përdorimi i metodave që nuk ishin përdorur më parë dhe që nuk janë përdorur më që atëherë.

 

Dr. Ardi Prushi

Përgatiti: Eleni Koça