2

Shtatzënia jashtë mitre

Gravidanca ekstrauterine

Shtatëzania nis me fertilizimin e vezës. Normalisht, kjo vezë e fertilizuar vendoset në murin e uterusit (mitres). Shtatëzania ektopike ndodh kur veza nuk implantohet dhe nuk zhvillohet brenda kavitetit të uterusit.

Vendi më i shpeshtë që  ndodh shtatëzania ektopike janë tubat e Fallopit, të cilët transportojnë vezën nga ovaret drejt uterusit. Në disa raste shtatëzania mund të ndodh dhe në zona të tjera të trupit si përshembull : ovaret, kaviteti abdominal ose në qafën e mitrës e cila komunikon me vaginën. Kjo veze e fertilizuar nuk mund të mbijetojë.

Simptomat

Është e zakontë që në fillim pacienti të mos shfaq simptoma. Megjithate, disa femra mund të zhvillojne shenjat e hershme të shtatëzanise si mungesa e ciklit menstrual, të përzierat.

Kryerja e një testi shtatëzanie rezulton pozitiv, e megjithate kjo shtatëzani nuk mund të vazhdojë normalisht. Me zhvillimin e vezës edhe simptomat bëhen më evidente.

  • Simptomat fillestare paralajmëruese:

Shpeshherë simptomat më të hershme jane dhimbja pelvike dhe gjakderdhja vaginale e lehtë. Simptomat specifike varen nga vendi në të cilin është grumbulluar gjaku dhe cilat nerva ka prekur. Nëse gjakderdhja vjen nga tubat e Fallopit mund të ndjesh një dhimbje në shpatull.

  • Simptoma emergjente

Nëse kjo vezë e fertilizuar vazhdon të zhvillohet në tubin e Fallopit, mund të cojë në rupturë(carje) të tij dhe për pasojë në gjakderdhje masive në kavitetin abdominal. Simptoma të kësaj situate mjaft jetëkërcënuese janë marrje mendsh, gjendje të fikëti ose shoku.

  • Kur duhet të drejtohemi tek mjeku?

Kërko menjëhere ndihme mjekësore nëse shfaq këto simptoma të një barre ekstrauterine:

  • Dhimbje të forta abdominale ose pelvike të shoqëruara me gjakderdhje vaginale
  • Marrje mendsh ose gjendje të fikëti e shpeshtë
  • Dhimbje në shpatull

Shkaqet:

Shtatëzania në tubin e Fallopit, e hasur më shpesh,  ndodh kur veza e fertilizuar ngec gjatë rrugës së saj për në uterus, për shkak të dëmtimeve inflamatore ose morfologjikë të tubit. Rol mendohet se mund të luajnë edhe crregullimet hormonale ose zhvillimi anormal i vezës.

Faktorët e riskut:

  • Shtatzëni e mëparshme ektopike. Nëse keni pasur këtë lloj shtatzënie më parë, ka më shumë të ngjarë që ajo të përsëritet.
  • Inflamacioni ose infeksioni. Infeksionet seksualisht të transmetueshme, si gonorrea ose klamidia, mund të shkaktojnë inflamacion në tuba dhe organe të tjera pranë dhe të rrisin  në këtë mënyrë rrezikun e një shtatzënie ektopike.
  • Trajtimet e fertilitetit. Duke u bazuar në disa studime, gratë që realizojnë fekondimin in vitro (IVF) ose trajtime të ngjashme kanë më shumë të ngjarë të kenë një shtatzëni ektopike. Vetë infertiliteti gjithashtu mund të rrisë rrezikun tuaj.
  • Kirurgjia e tubave. Kirurgjia për të korrigjuar një tub fallopian të mbyllur ose të dëmtuar mund të rrisë rrezikun e një shtatzënie ektopike.
  • Kontrolli i shtatëzanisë( birth control). Mundësia për të mbetur shtatzënë kur përdorni një pajisje intrauterine është e rrallë. Sidoqoftë, nëse mbeteni shtatzënë megjithë përdorimin e saj, ka më shumë të ngjarë të jetë ektopike. Lidhja e tubave, një metodë e përhershme e kontrollit të lindjes, gjithashtu rrit rrezikun tuaj, nëse mbeteni shtatzënë pas kësaj procedure.
  • Pirja e duhanit. Pirja e duhanit pak para se të mbeteni shtatzënë mund të rrisë rrezikun e një shtatzënie ektopike. Sa më shumë të konsumoni duhan, aq më i madh është rreziku.

Komplikimet

Një shtatzëni ektopike mund të shkaktojë rupturën e tubit tuaj fallopian. Pa trajtim, kjo mund të çojë në gjakderdhje të rrezikshme për jetën.

Parandalimi

Nuk ka asnjë mënyrë për të parandaluar një shtatzëni ektopike, por këto janë disa nga mënyrat për të ulur rrezikun tuaj:

  • Kufizimi i numrit të partnerëve seksualë dhe përdorimi i prezervativit gjatë seksit ndihmon në parandalimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjes inflamatore të legenit.
  • Mos pini duhan. Nëse e bëni, lëreni përpara se të përpiqeni të mbeteni shtatzënë.

Dr. Ardi Prushi

Përshtati : Nensi Xhaxho