Puerperium përkufizohet si periudha kohore nga lindja deri në javët e para të paslindjes. Kjo periudhë zakonisht konsiderohet të zgjatë gjashtë javë. Pas gjashtë javësh nga lindja, trupi i kthehet gjendjes së para-shtatzënisë. Në vijim përshkruhet shkurtimisht anatomia dhe fiziologjia e periudhës postpartum.
Mitra
Gjatë shtatzënise mitra, pa perfshirë fetusin, placentën dhe lëngjet, peshon mesatarisht 1000 gram. Pas gjashtë javësh nga lindja, uterusi i kthehet masës prej 50-100 gram.
Menjëherë pas lindjes, fundusi uterin është i prekshëm në ose pranë nivelit të umbilicusit (kërthizës) së nënës. Reduktimi më i ndjeshëm në përmasa dhe masë i mitrës ndodh në 2 javët e para pas lindjes. Në javët ne vazhdim, mitra gradualisht i kthehet gjendjes së para-shtatzënisë, duke mbetur megjithatë më e madhe në masë se mitra e dikurshme.
Endometriumi rigjenerohet me shpejtësi, aq sa në ditën e shtatë zakonisht gjëndrat endrometriale janë evidente. Deri në ditën e gjashtëmbëdhjetë, endrometriumi është rikthyer në normalitet përgjatë uterusit, pa përfshirë zonën e placentës.
Zona e placentës pëson një seri ndryshimesh në periudhën postpartum.Menjëherë pas lindjes, kontraktimet e muskulit të pavijëzuar arterial dhe kompresimi i enëve të gjakut prej kontraktimeve te miometriumit rezultojnë në homeostazë. Përmasa e shtratit placental përgjysmohet.
Menjëherë pas lindjes, një sasi e madhe gjaku kalon prej uterusit deri në momentin e kontraktimit. Vëllimi i sekrecioneve vaginale (lochia) ulet. Kohëzgjatja e këtyre sekrecioneve, të njohura si lochia rubra, varion. Sekrecionet në ngjyrë të kuqe progresivisht ndryshojnë drejt të kuqes në kafe duke ndryshuar edhe konsistencën (lochia serosa). Pas kësaj, sekrecionet vazhdojnë të ulen në sasi dhe marrin ngjyrë te verdhë (lochia alba). Kohëzgjatja e sekrecioneve (lochia) varion, megjithatë mesatarja është pesë jave.
Sasia dhe ngjyra e sekrecioneve ndryshon konsiderueshëm. 15% e grave vazhdojnë të kenë lochia deri ne 6 ose më shumë javë postpartum.
Qafa e mitrës
Qafa e mitrës ndryshon me shpejtësi, megjithate nuk i rikthehet gjendjes nulipare, pra të para-lindjes.
Vagina
Edhe vagina nis rikthimin drejt gjendjes së mëparshme, megjithëse nuk kthehet në përmasat e para-shtatzënisë. Vaskulariteti i rritur dhe edema nisin normalizimin nga java e tretë dhe rugae (palosjet) e vaginës rishfaqen në gratë që nuk janë duke ushqyer bebet me gji.
Perineum
Perineumi përgjatë procesit të lindjes pëson ndryshime drastike. Vulva e bymyer nis rikthimin në gjendjen e mëparshme brenda 2 javësh. Toni i muskujve rifitohet brenda 6 javësh, megjithatë përmirësime të ndjeshme vazhdojnë edhe në muaj më pas. Rikthimi në normalitet varet prej dëmtimit që mund të kenë pësuar muskujt, nervat dhe indet lidhore.
Muri abdominal
Muri abdominal mbetet i butë dhe jo i tonifikuar për javë në vazhdim. Rikthimi në gjendjen e para-shtatzënisë varet gjerësisht prej ushtrimeve.
Vezoret
Rikthimi i funksionit normal të vezoreve influencohet prej gjidhënies. Nënat që zgjedhin gjidhënien përjetojnë një periudhë më të gjatë të mungesës se ciklit dhe anovulacionit. Nënat që zgjedhin të mos ushqejnë foshnjen me gji mund të ovulojnë që prej 27 ditësh pas lindjes. Shumica e grave kanë periodat e para brenda 12 javësh, me mesatare të pergjithshme 7-9 javë.
Rikthimi i menseve varion prej një sërë faktorësh, duke përfshire sesa shpesh fëmija ushqehet dhe nëse ushqyerja e femijës me gji suplementohet edhe me qumesht formule. Vonesa në rikthimin e funksionit normal të vezoreve në nënën që zgjedh gjidhënien shkaktohet prej ndalimit të ovulacionit prej rritjes së nivelit të prolaktinës.
Gjinjtë
Ndryshimet e gjinjve që e përgatitin trupin për gjidhënie ndodhin përgjatë shtatzënisë. Laktogjeneza, që përkufizohet si zhvillim I aftësisë për të sekretuar qumësht, ndodh që në javën e 16 të shtatzënisë. Placenta bën të mundur qarkullimin e niveleve të larta të progesteronit, i cili aktivizon qelizat e maturuara alveolare në gjinj për të sekretuar sasi të vogla qumështi. Pas lindjes, rënia e nivelit të progesteronit stimulon prodhimin e qumështit dhe zmadhimin e gjinjve në periudhën postpartum. Kulloshtra është sasia e parë e prodhuar në 2-4 pas lindjes. I pasur me proteina dhe antitrupa, kulloshtra është protektive pët të sapolindurin. Qumështi vazhdon të ndryshojë përmbajtjen nutricionale në mënyre që të plotësojë nevojat e foshnjes.
Laktacioni është procesi i sekretimit të vazhdueshem të sasive të konsiderueshme të qumështit. Ky process nxit clirimin e prolaktinës nga gjendra pituitare anterirore. Stimulimi i thithkave prej bebes është i nevojshëm, sepse nxit prodhimin e oksitocinën prej gjëndrës pituitare posteriore. Clirimi i oksitocinës stimulon kompleksin thithe-areolar duke bërë që qelizat mioepiteliale të gjirit të kontraktohen dhe të nxitin daljen jashtë të qumështit. Nëse nëna nuk është në gjidhënie, mosdalja jashtë e qumështit sjell rritje të presionit intramamar ndërkohë që qumështi akumulohet. Përfundimisht, një inhibitor i laktacionit (FIL) ul nivelet e prolaktinës.
Dr. Ardi Prushi
Përshtati: Ajna Gjyla