50

Alkooli gjatë shtatzënisë – JO!

Konsumi i alkoolit gjatë shtatzënisë është vërtetuar të jetë i dëmshëm nga mjaft studime. Asnjë lloj alkooli (përfshrë këtu birrën, verën) nuk është produkt i sigurt për t’u konsumuar gjatë shtatzënisë në asnjë sasi, sado e vogël qoftë ajo.

Kur një grua shtatzënë konsumon alkool, ai kalon nëpërmjet placentës në gjakun e fetusit. Koha që i duhet fetusit për ta eleminuar alkoolin nga gjaku i tij është më e gjatë se koha që i duhet një të rrituri për të bërë të njëjtën gjë. Sa më gjatë të qëndrojë alkooli në organizmin e fetusit, aq më i madh  është risku i dëmtimeve jetëkërcënuese në tru dhe në organe të tjera jetësore.

Alkooli mund të japë dëme të llojeve të ndryshme. Ato mund të jenë të pranishme që në lindje ose të shaqen më vonë gjatë jetës së fëmijës. Ndër dëmet që mund të shkaktojë alkooli përmendim:

  • Tipare anormale të fytyrës
  • Madhësi e vogël e kokës
  • Shtat i shkurtër
  • Peshë trupore e ulët
  • Probleme në koordinim, përqëndrim, kujtesë
  • Koeficient inteligjence (IQ) i ulët
  • Vonesë në të folur
  • Probleme shikimi dhe dëgjimi
  • Dëmtime në zemër, kocka, veshka etj.

Disa prej këtyre dëmtimeve mund të jenë të korigjueshme kirurgjikalisht ose të trajtueshme nga ana mjekësore, ndërkohë që një pjesë tjetër janë mjaft të vështira për t’u menaxhuar.

Alkooli është gjithashtu një faktor risku për abort dhe lindje të parakohshme.

Për ta përmbyllur, rekomandimi i mjekut për mbarëvajtjen e shtatzënisë dhe ruajtjen e shëndetit të nënës dhe fëmijës është moskonsumi i alkoolit gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë ose ndërprerja sa më e hershme e konsumit të tij.

Përshtati: Eleni Koça
Dr. Ardi PRUSHI

49

“Shenjat dhe simptomat” e ovulacionit

Si të kuptojmë që jemi në ovulim?

 Ovulimi është proçesi gjatë së cilit veza çlirohet nga ovari.  Veza e çliruar nga ovari mund të fertilizohet brenda 12 deri në 24 orë që nga momenti i çlirimit. Shancet më të larta për të konceptuar janë gjatë kësaj periudhe fertile- pra 3-4 ditë përpara ovulimit ( sperma mund të mbijetojë në traktin riprodhues femëror deri në 5 ditë) dhe ditën e ovulimit.

Në ciklin menstrual prej 28 ditësh, ovulimi përgjithësisht ndodh 14 ditë përpara fillimit të menstruacionit.

Cilat janë simptomat e ovulimit?

  • temperatura juaj bazale është një ndër shenjat kryesore për të treguar ovulimin. Mënyra e duhur për ta matur është në mëngjes pa u ngritur ende nga krevati.  Temperatura e lartë është treguese për prodhimin e progesteronit, i cili është hormoni ovarian që prodhohet pas ovulimit.

Përpara ovulimit, temperatura e zgjimit është 36.1°C-36.5°C. Pas ovulimit, temperatura bazale rritet me 0.3°C dhe qëndron e tillë deri sa ju vijnë menstruacionet dhe fillon cikli i ri.  Disa ditë të kësaj rritjeje të vogël temperature, por tepër sinjifikante janë të mjaftueshme për t’ju treguar se ju keni ovuluar.

  • mukusi cervikal bëhet më i qartë, më i hollë, më i rrëshqitshëm, si të bardhat e vezës. Mukusi cervikal me këto karakteristika është më i dukshëm në ditët para ovulimit, por ju mund ta shihni edhe në fillim të ciklit kur estrogjeni juaj është goxha më i lartë në krahasim me progesteronin.

 

Mund të vini re gjithashtu:

  • ndjeshmëri të rritur të gjinve
  • fryrje
  • krampe abdominale.

 

Një ndjesi e lehtë dhimbjeje

 Ekziston mundësia që ju ta ndjeni ovulimin përmes një dhimbjeje të lehtë në ovarin e njërës anë diku në mes të ciklit menstrual. Gjithsesi duke qenë se shumë vajza/gra nuk e ndjejnë nuk mund të bazoheni tek prania ose jo e dhimbjes për të kuptuar nëse keni ovuluar apo jo.

Gjithsesi këto shenja nuk janë specifike dhe mund të ndryshojnë nga njëri individ tek tjetri.

Ndryshimet fizike gjatë ciklit vijnë për shkak të luhatjeve të nivelit hormonal.

Gjatë gjysmës së parë të ciklit, ovaret tuaja prodhojnë estrogjen. Nivelet e larta të estrogjenit, çojnë në çlirimin e vezës nga ovari. Pas këtij proçesi, trupi prodhon progesteron i cili çon në rritjen e temperaturës trupore.

 

Kitet e parashikimit  të ovulimit

Kitet e parashikimit të ovulimit mund të blihen në farmaci dhe japin një ide më preçize se kur është dritarja juaj fertile. Ato funksionojnë pak a shumë si testet e shtatëzënisë, por në ndryshim nga këto të fundit masin nivelin e hormonit luteinizues- LH në urinën tuaj.  LH arrin nivele të larta 24-36 orë përpara ovulimit.

 

Testet e ovulimit me progesteron

 Këto teste ju tregojnë nëse keni ovuluar ose jo dhe këtë e bëjnë përmes matjes së metabolitëve të progesteronit në urinë.  Këto metabolite rriten në urinë tipikisht 24-36 orë pas ovulimit.

Ndonëse ovulimi ka shancet më të mëdha të ndodhë midis ditës së 10 dhe të 14 të ciklit, jo të gjithë ciklet menstruale funksionojnë sipas një kalendari të mirëpërcaktuar. Ju gjithmonë mund ti drejtoheni mjekut tuaj për më tepër informacion dhe këshilla sidomos nëse cikli juaj menstrual është i çrregullt.

 

Dr.Ardi Prushi

Përgatiti: Dr.Frisiana Mirashi

 

48

Seksualiteti dhe SST – parashtrim

Të kesh më shumë se një (apo edhe një) partnerë seksualë nuk do të thotë në vetvete se do të marrësh detyrimisht SST. Marrëdhënia e pambrojtur me partnerë të shumtë mund të rrisë rrezikun tuaj për të marrë SST.

 

Çfarë do të thotë marrëdhënie seksuale e mbrojtur?

Përdorimi i prezervativëve dhe prezervativëve oralë. Marrëdhënia seksuale orale dhe anale gjithashtu mund t’ju ​​japë infeksione seksualisht të transmetueshme prandaj prezervativët oralë duhen përdorur po aq sa dhe prezervativët konvencionalë.

 

Kur mund të kryesh marrëdhënie seksuale të pambrojtur?

As ti, as partneri yt nuk keni pasur partnerë të tjerë seksualë më parë dhe të dy keni marrëdhënie seksuale vetëm me njëri tjetrin.

Ose nëse jeni testuar për IST, keni dalë negativë dhe jeni të angazhuar në marrëdhënie seksuale vetëm me njëri tjetrin.

Në fund të ditës, seksi i pambrojtur me çdo lloj numri partnerësh është i rrezikshëm për infektimin me SST.

 

Sa ka të ngjarë që të merrni një IST nga një partner i ri?

Të gjithë duhet të testohen në fillim të një marrëdhënieje të re, pavarësisht nga historia e tyre seksuale. Duhet vetëm një takim seksual i pambrojtur për të marrë një SST ose për të zhvilluar një shtatzëni të padëshiruar.

Nuk ka asnjë të dhënë që sugjeron që të kesh një numër më të madh të partnerëve seksualë rrit rrezikun e SST-ve. Në fund të ditës, bëhet fjalë për sigurinë dhe mbrojtjen.

Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton më shumë se 1 milion SST merren çdo ditë megjithatë shumë nuk shkaktojnë simptoma.

 

Si të praktikoni marrëdhënie seksuale të sigurt?

Për të praktikuar marrëdhënie seksuale të sigurt, duhet të:

  • Testoheni para dhe pas çdo partneri seksual.
  • Përdorni prezervativë me çdo partner, sa herë që kryeni marrëdhënie seksuale.
  • Përdorni prezervativë oralë sa herë të kryeni marrëdhënie orale.
  • Përdorni prezervativët në mënyrë korrekte dhe hidhini ato siç duhet.
  • Përdorni një lubrifikant të sigurt me kondom me bazë uji ose silikoni për të zvogëluar rrezikun e prishjes së prezervativit.
  • Nëse keni alergji nga lateksi, ka opsione prezervativësh pa përmbajtje lateksi. Gjithmonë ka zgjidhje për të siguruar një marrëdhënie seksuale të mbrojtur.
  • Vaksinohuni kundër papillomavirusit njerëzor (HPV- human papilloma virus)

Dr. Ardi PRUSHI
Përgatiti: Nensi Qemalli

46

Aborti medikal – pilulat e abortit: risqet dhe gjithçka që duhet të dini.

Aborti medikal është një proçedurë që përdor medikamentet për përfundimin e një shtatëzënie.  Ky abort nuk kërkon ndërhyrje kirurgjikale apo anestezi dhe mund të kryhet në një klinikë mjrkësore ose në shtëpi, gjithnjë duke planifikuar vizita kontrolli me mjekun tuaj.

Është një mënyrë e sigurt dhe efektive nëse kryhet në trimestrin e parë të shtatëzënisë.
Në momentin që po konsideroni të kryeni një abort mjekësor mund të përballeni me sfida emocionale dhe psikologjike. Prandaj është e rëndësishme që të keni informacionin e duhur dhe gjithashtu të konsultoheni me mjekun tuaj hap pas hapi.

Arsyet e kryerjes së një aborti medikal janë tërësisht personale. Zgjedhja është në dorën tuaj, mjafton të siguroheni që po e kryeni në kushtet më të mira të mundshme dhe gjithmonë pas diskutimit me një profesionist.

Risqet:

  • aborti jo i plotë, çka kërkon kryerjen e një proçedure kirurgjikale më pas
  • vazhdimi i shtatëzënisë, nëse proçedura nuk funksionon.
  • gjakrredhje e shumtë dhe e zgjatur
  • infeksion
  • temperaturë
  • diskomfort i sistemit digjestiv

Aborti mjekësor nuk ndikon në shtatëzënitë e mëvonshme nëse nuk është shoqëruar me komplikacione.

Kini parasysh që aborti mjekësor nuk është zgjedhja e duhur për ju nëse:

  • shtatëzënia është më tepër se 9 javë ( që nga menstruacioni i fundit)
  • keni një paisje intrauterine (IUD)
  • dyshoni për shtatëzëni ektopike ( shtatëzëni jashtë mitrës)
  • keni probleme shëndetësore të tilla si: çrregullime të koagulimit, sëmundje kardiake apo të enëve të gjakut, sëmundje të rënda të mushkërive, mëlçise apo veshkave, konvulsione të pakontrolluara.
  • jeni në mjekim me hollues gjaku apo me steroide ( kortizon, hidrokortizon, dexametazon etj.)
  • nuk keni të planifikuara vizita kontrolli me mjekun tuaj ose nuk keni akses në një qendër emergjencash mjekësore
  • jeni alergjikë ndaj medikamenteve të përdorura.

Për vajzat/gratë për të cilat eleminohet opsioni i abortit mjekësore, ekzistojnë të tjera mundësi aborti siç është dilatacioni dhe kyretazhi (D&C-proçedurë kirurgjikale e kryer nga mjekë specialistë).

Si të përgatiteni për një abort mjekësor?

Fillimisht duhet të konsultoheni me doktorin tuaj për të diskutuar proçedurën. Probabilisht mjeku juaj:

  • do vlerësoje historinë tuaj mjekësore dhe shëndetin e përgjithshëm
  • të konfirmojë shtatëzëninë me një ekzaminim fizik
  • të kryejë një ekografi për të vlerësuar moshën e shtatëzënisë dhe për të përjashtuar shtatëzëninë ektopike ose ndonjë masë tumorale të zhvilluar në uterus.
  • të kryejë analiza gjaku dhe urine
  • t’ju shpjegojë si funksionon proçedura, efektet anësore, risqet dhe komplikacionet e mundshme.

Gjatë proçedurës:

Aborti mjekësor mund të kryhet përmes medikamenteve të mëposhtme:

Mifeprostoni dhe misoprostoli oral- ky kombinim përbën tipin më të zakonshëm të abortit mjekësor.

Mifepristoni vepron duke bllokuar progesteronin, duke mos lejuar mitrën në këtë mënyrë të presë embrionin.

Misoprostoli nga ana tjetër, shkakton kontraktimin e mitrës në mënyrë që gjithçka që ndodhet brenda saj të dalë jashtë përmes vaginës (bashkë me embrionin).

Nëse ky është aborti që ju keni vendosur të zgjidhni bashkë me doktorin tuaj, me shumë siguri do e merrni mifepristonin në klinikë dhe misoprostolin në shtëpi pas disa orësh/ditësh sipas udhëzimeve të mjekut tuaj.

Rreth një jave pas proçedurës duhet të planifikoni një vizitë mjekësore për tu siguruar që aborti ka qenë i plotë.

Krahas tabletave orale të misoprostolit ekzistojnë  edhe tableta bukale (që vendosen në gojë), sublinguale (poshtë gjuhës) apo vaginale.  Për të tilla detaje ju informon dhe ju udhëzon për përdorimin mjeku juaj.

Një opsion tjetër është kombinimi i metotreksatit me misoprostolin vaginal.

Zgjedhja e opsionit të duhur për ju bëhet së bashku me specialistin e fushës i cili ju rekomandon medikamentet më të përshtatshme.

Disa efekte anësore të pilulave të përdorura për abort mjekësor janë:

  • të përzierat
  • të vjellat
  • temperatura
  • ethet
  • diarre
  • dhimbje koke.

Pas proçedurës

Shenja dhe simptoma që kërkojnë vëmendje mjekësore dhe për të cilat ju duhet të jeni shumë të vëmendshme janë:

  • gjakrrjedhje masive- përdorimi i dy ose më shumë linesave gjatë një ore, për të paktën 2 orë.
  • dhimbje e fortë abdominale/e shpinës
  • temperaturë që zgjat më tepër se 24 orë
  • rrjedhje vaginale me erë shumë të rëndë

KUJDES

Ndonëse aborti medikal nuk përfshin një ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk është e domosdoshme të kryhet në spital/klinikë mjekësore është i domosdoshëm kontrolli mjekësor pas kryerjes së tij.

Përgjithësisht është proçedurë e sigurt nëse kryhet në mënyrën e duhur dhe mbikqyret nga një profesionist.

Pas abortit mjekësor, në vizitën e kontrollit mjeku juaj do sigurohet që gjithçka po shkon ashtu siç duhet, do vlerësojë përmasat e mitrës, gjakrrjedhjen apo ndonjë shenjë infeksioni.

Për të ulur riskun për infeksion, shmangni marrëdhëniet seksuale vaginale apo përdorimin e tamponëve për 2 javë mbas abortit.

Me shumë mundësi doktori do ju pyesë nëse e keni ende ndjesinë e të qenit shtatëzënë, nëse e patë ekspulsionin (daljen nga vagina) të embrionit, sasinë e gjakrrjedhjes që keni patur apo nëse kjo gjakrrjedhje vazhdon.

Nëse doktori juaj dyshon për vazhdimin e shtatëzënisë do ti nënshtroheni një ekografie dhe nëse ky dyshim konfirmohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për të përfunduar abortin.

 

Dr. Ardi Prushi

Përgatiti: Frisiana Mirashi

 

47

5 ushtrime për muskujt e legenit

Pas lindjeve ose edhe si pasojë e plakjes, vihet re një dobësim i lehtë i muskujve të legenit. Këta muskuj suportojnë fshikëzën, zorrën dhe mitrën. Kur ata kontraktohen, hapjet drejt vaginës, anusit dhe uretrës ngushtohen. Kur ata relaksohen, urina dhe fecet sekretohen nga trupi.

Muskujt e legenit gjithashtu luajnë rol të rëndësishëm në aspektin seksual. Forcimi i tyre mund të reduktojë dhimbjen në zonën e legenit gjatë marrëdhënies seksuale, si edhe rrit mundësinë për të ndjerë kënaqësi gjatë seksit. Gjatë shtatzënisë, muskujt e legenit suportojnë foshnjën dhe asistojnë në procesin e lindjes.

Shtatzënia dhe sjellja në jetë e fëmijëve mund të dobësojë muskujt e legenit, shoqëruar me faktorë të tjerë si mosha, obeziteti, ngritja e peshave të rënda dhe kolla kronike. Muskujt e dobësuar të legenit mund të shoqërohen me pamundësi për të mbajtur urinën si edhe marrëdhënie seksuale të dhimbshme.

Më poshtë përshkruhen 5 ushtrime të thjeshta për forcimin e muskujve të legenit:

Kegels

Kegels përkufizohet si praktikimi i kontraktimit dhe relaksimit të muskujve të legenit. Mund të përfitoni prej këtij ushtrimi vecanërisht nëse përjetoni rrjedhje të urinës gjatë tështimës, të qeshurës, të kërcyerit, kollitjes, ose keni nevojë për të urinuar menjëherë pas urinimit.

Mjetet e nevojshme: asnjë mjet shtesë

  1. Identifikoni muskujt e duhur. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është duke ndaluar rrjedhjen e urinës në mes të procesit të urinimit. Këta janë muskujt e legenit.
  2. Për të performuar Kegels, duhet të kontraktoni këto muskuj dhe t’i mbani të kontraktuar për 5 sekonda. Relaksohuni për 5 sekonda të tjera.
  3. Përsëriteni këtë 10 herë, 3 herë në ditë.

 

Squats

Këtë ushtrim mund ta performoni me peshën e trupit ose me pesha të tjera shtesë, sipas mundësive.

  1. Poziciononi këmbët në gjerësi pak më të madhe se ajo e shpatullave. Gishtat e mëdhenj të këmbëve qëndrojnë drejtuar nga jashtë.
  2. Përkulni gjunjtë dhe shtyni të pasmet prapa, njëjtë si kur uleni në karrige. Mbajeni mjekrën lart dhe qafën neutrale.
  3. Uluni derisa kofshët të jenë në vijë paralele me tokën, duke e përqëndruar peshën në thembra.
  4. Kthehuni në pozicionin fillestar duke shtyrë me vithe dhe thembra.
  5. Sipas mundësive, kryeni 3 sete (herë) me nga 15 përsëritje.

 

 

Ura

Mjetet e nevojshme: asnjë mjet shtesë

  1. Shtrihuni në dysheme. Shpina duhet të jetë e mbështetur në dysheme, gjunjtë të përkulur në kënd 90 gradë, shputat e këmbëve të mbështetura në dysheme dhe krahët të shtrirë me pëllëmba të kthyera drejt dyshemesë.
  2. Merrni frymë dhe shtyni me thembra, duke ngritur vithet nga dyshemeja. Mbani shtrënguar vithet dhe muskujt e legenit. Trupi juaj-duke nisur nga supet deri te gjunjtë- duhet të formojë një vijë të drejtë.
  3. Ndaloni 1-2 sekonda në pozicionin e kontraktuar me vithe të ngritura, më pas ngadalë rikthehuni në pozicionin fillestar.
  4. Kryeni 2-3 sete me 10-15 përsëritje, sipas mundësive.

 

Split tabletop

Mjetet e nevojshme: asnjë mjet shtesë

Shtrihuni në dysheme. Ngrini këmbët lart dhe përkulni gjunjtë, në mënyrë që kofshët të jenë pingul me dyshemenë dhe kërcinjtë paralel me të.

  1. Forconi muskujt e barkut. Aktivizoni pjesën e brendshme të kofshëve duke takuar këmbët me njëra tjetrën.
  2. Me lëvizje të kontrolluara, hapni ngadalë këmbët.
  3. Rikthehuni në pozicionin fillestar.
  4. Kryeni 10-15 përsëritje në 3 sete.

 

 

Bird dog

Mjetet e nevojshme: asnjë mjet shtesë

  1. Qëndroni në dysheme me kycet nën supe dhe gjunjtë nën vithe.
  2. Shpina duhet të jetë e drejtë dhe qafa neutral.
  3. Forconi muskujt e barkut.
  4. Për të nisur lëvizjen, shtrini këmbën e djathtë dhe krahun e majtë njëkohësisht, duke ruajtur legenin dhe supet në pozicion neutral. Mos e ulni ose ngrini kokën. Qëndroni në këtë pozicion për 2 sekonda.
  5. Ktheni këmbën dhe krahun në pozicionin e fillimit, duke ruajtur stabilitetin. Më pas kryeni të njëjtën lëvizje me këmbën e majtë dhe krahun e djathtë. Kështu këni kryer një përsëritje.
  6. Kryeni, sipas mundësive, 10 përsëritje në 3 sete.

 

 

Përshtati: Ajna Gjyla

45

Sindroma premenstruale – PMS

 

PMS

Sindroma premenstruale është një gjendje me ndikim në emocionet, shëndetin fizik dhe sjelljen e vajzave dhe grave gjatë ditëve të caktuara në ciklin menstrual, përgjithësisht përpara menstruacioneve.

 

PMS është shumë e zakonshme. Kjo sindromë prek më tepër se 90% të grave që menstruojnë.

 

Simptomat e PMS fillojnë 5-11 ditë përpara menstruacioneve dhe zakonisht largohen me fillimin e tyre.  Shkaku për PMS është i panjohur.  Gjithsesi, shumë studiues mendojnë se është i lidhur me ndryshimet në nivelet e hormoneve seksuale dhe serotoninës në fillim të ciklit menstrual.

 

Nivelet e estrogjenit dhe progesteronit bien drastikisht pas ovulimit dhe kjo shoqërohet me PMS. Simptomat që shoqërojnë PMS zakonisht largohen me fillimin e menstruacionit, periudhë në të cilën fillon rritja e niveleve hormonale.

 

Faktorët e riskut për sindromën premenstruale përfshijnë:

  • histori depresioni ose çrregullim humori
  • histori familjare për PMS
  • histori familjare për depresion
  • abuzimi me substanca
  • stresi

 

Simptomat e PMS

Cikli menstrual i një gruaje zgjat mesatarisht 28 ditë.

Ovulimi, periudha gjatë së cilës veza çlirohet nga ovari, ndodh në ditën e 14 të ciklit.  Menstruacioni ose gjakrrjedhja ndodh në ditën e 28 të ciklit.  Simptomat e PMS fillojnë rreth ditës së 14 të ciklit dhe zgjasin deri në 7 ditë pas fillimit të menstruacionit.

Simptomat e PMS janë zakonisht të lehta.  Shumica e grave raportojnë për simptoma që nuk ndikojnë funksionin normal në jetën e përditshme dhe vetëm 32% e tyre raportojnë për simptoma që prishin cilësinë e jetës së tyre.

 

Simptomat fizike të PMS përfshijnë:

 

  • gjinj të ndjeshëm, të dhimbshëm
  • konstipacion, diarre
  • fryrje abdominale
  • dhimbje abdominale
  • krampe
  • akne
  • dhimbje koke
  • ndjeshmëri e shtuar për dritën apo zhurmat
  • përtaci

 

Simptoma mendore ose emocionale të PMS përfshijnë:

 

  • irritueshmëri
  • lodhje
  • ndryshime në oraret e gjumit
  • ndryshime në oreks- mungesë oreksi ose nepse të shtuara
  • ankth
  • depresion
  • mërzitje
  • shpërthime emocionale
  • ulje e libidos (dëshirës për marrëdhënie seksuale)

 

Këto simptoma mund të variojnë nga njëri muaj në tjetrin.

 

A ndryshon PMS me moshën?

Simptomat e PMS mund të përkeqësohen në perimenopauzë, kur hormonet seksuale kanë luhatje të mëdha.  PMS ndalon pas menopauzës.

 

Kur duhet të konsultoheni me doktorin tuaj?

Ne rekomandojmë të konsultoheni me doktorin tuaj kur dhimbja fizike, ndryshimet në humor dhe simptomat e tjera fillojnë të ndikojnë në përditshmërinë tuaj ose kur këto simptoma zgjasin për një kohë të gjatë.

 

Diagnoza bëhet kur njëra nga simptomat përsëritet vazhdimisht, është mjaftueshëm e rëndë dhe mungon në periudhën kohore midis menstruacionit dhe ovulimit.

Doktori juaj duhet të përjashtojë edhe shkaqe të tjera si:

  • anemia
  • endometrioza
  • probleme tiroidiene
  • sindroma e zorrës së irritueshme
  • sindroma e lodhjes kronike
  • sëmundje të indit lidhor ose reumatologjike

 

Doktori juaj mund të interesohet për histori depresioni ose çrregullime humori në familjen tuaj.  Sindromi i zorrës së irritueshme, hipotiroidizmi dhe shtatëzënia kanë simptoma të ngjashme me PMS.

Gjatë kohës së diagnozës mund t’ju duhet të bëni testimin e hormoneve tiroidiene për t’u siguruar që gjendra tiroide është duke funksionuar siç duhet, një test shtatëzënie dhe probabilisht një ekzaminim pelvik për të kontrolluar për probleme të tjera gjinekologjike.

 

Disa këshilla se si mund ti përmirësoni simptomat e PMS në shtëpi:

 

  • krijoni një rutinë aktiviteti fizik përgjatë gjithë muajit. Ushtrimet mund t’ju ndihmojnë me simptoma si depresioni, vështirësitë në përqëndrim dhe lodhja.
  • ushqehuni shëndetshëm- shmangni ushqimet  dhe pijet me kafeinë, kripë apo sheqer të paktën 2 javë përpara menstruacioneve.
  • flini gjumë mjaftueshëm- flini të paktën 8 orë në ditë.  Mungesa e gjumit lidhet me depresionin dhe ankthin dhe mund të çojë në përkeqësim të simptomave të PMS.
  • gjeni mënyra të shëndetshme për të përballuar stresin.
  • mos konsumoni duhan- duhani i përkeqëson simptomat e PMS.

 

Dr. Ardi Prushi

Përgatiti: Frisiana Mirashi

 

44

Cfarë është “Cryptic Pregnancy”?

Një shtatzëni kriptike, e quajtur edhe një shtatzëni e fshehtë, është një shtatzëni që metodat konvencionale të testimit mjekësor mund të dështojnë për ta zbuluar. Shtatzënitë kriptike nuk janë të zakonshme, por nuk janë as të padëgjuara.

Mund të jetë tepër e frikshme dhe konfuze të zbuloni se jeni në të vërtetë shtatzënë në muajin e shtatë, tetë, nëntë. Disa gra me këtë gjendje madje befasohen nga dhimbjet e lindjes që janë “shenja” e tyre e parë e vërtetë e shtatzënisë.

Le të hedhim një vështrim më të afërt në simptomat, statistikat dhe historitë e kësaj shatëzanie të fshehtë.

Cilat janë simptomat e një shtatëzënie të fshehtë?

Për të kuptuar se si një shtatzëni e fshehtë mund të kalojë pa u vënë re, ju ndihmon të kuptoni se si duket një shtatzëni “normale” në fazat e saj të hershme. Në Shtetet e Bashkuara, shumica e njerëzve zbulojnë se janë shtatzënë brenda 5 deri 12 javëve.

Pas humbjes së një cikli menstrual, një test shatëzanie në përgjithësi do të tregojë një rezultat pozitiv. Testimi i mëtejshëm i urinës, një test gjaku dhe një Echo tek nje mjek obsteter gjinekolog do të konfirmojnë shtatzëninë. Shumica e njerëzve vërejnë simptoma të tilla si gjinjtë e butë dhe të fryrë, ndryshimet e humorit, lodhja dhe të përzierat herët gjatë tremujorit të parë.

Në rastet e  një shtatëzanie të fshehtë, asgjë nuk fillon zinxhirin e ngjarjeve që zbulon se jeni shtatzënë. Një test shtatzënie mund të rezultoj negativ edhe pasi të keni humbur periodat. Ju mund të ngatërroni përzierjen e hershme të shtatzënisë si malabsorbim. Ndoshta ju është thënë se keni infertilitet, ose periodat tuaja nuk vijnë rregullisht, që do të thotë se shtatzënia nuk është një mundësi që ju e merrni parasysh.

Sidomos nëse nuk keni qenë kurrë më parë shtatzënë, është e lehtë të hidhni poshtë simptomat e shtatzënisë si lëvizja e fetusit, shtimi i lehtë në peshë dhe lodhja si rezultat i zgjedhjeve dietike ose stilit të jetesës.

Nivelet e ulëta të hormoneve të shtatzënisë mund të nënkuptojnë që simptomat tuaja të shtatzënisë janë shumë të lehta ose gati të pamundura për tu vënë re.

 

Çfarë e shkakton një shtatëzani të fshehtë?

  • Sindromi Ovarian Polikistik (PCOS). Kjo gjendje mund të kufizojë fertilitetin tuaj, të krijojë cekuilibër hormonal dhe të shkaktojë cikël menstrual të parregullt.
  • Perimenopauza është koha kur periodatfillojnë të jenë gjithnjë e me të pa qëndrueshme derisa ndalen plotësisht, e cila shënon menopauzën. Simptomat e shtatzënisë si shtimi në peshë dhe luhatjet e hormoneve mund të imitojnë simptomat e perimenopauzës.
  • Pilulat e kontrollit të shatëzanisë dhe pajisjet intrauterine (IUDs) mund t’ju bëjnë të ndiheni të sigurt se një shtatzëni nuk është e mundur për ju, por pavarësisht efiksaitet të tyre asnjëra nuk ofron siguri 100%.
  • Është e mundur të mbeteni përsëri shtatzënë pas një shtatëzënie para se tju kthehen periodat. Meqenëse ushqyerja me gji dhe faktorët hormonalë mund të shkaktojnë që trupi juaj të vonojë ovulimin dhe periodat  për disa muaj pas lindjes, mund të supozoni se simptomat tuaja janë thjesht përshtatja e trupit tuaj me gjendjen e tij pas lindjes kur jeni në të vërtetë shtatzënë edhe një herë.

Si mund të jenë testet e shtatzënisë negative nëse jeni shtatzënë?

Testet e shtatzënisë dhe madje edhe echo mund të rezultojë negative nëse jeni duke përjetuar një shtatzëni të fshehtë. Arsyet pse do të ndryshojnë nga rasti në rast.

  • Nëse keni PCOS, periodat mungojnë, jeni jashtëzakonisht aktivë ose atletikë, ose keni lindur kohët e fundit:

Ju keni më shumë gjasa të keni hormone të luhatshme . Nëse nuk e keni perioda të rregullta, hCG (hormoni i shtatzënisë) mund të mos grumbullohet në mënyrë aq të rëndësishme sa tju dhënë  një test pozitiv shtatzënie.

  • Edhe një echo mund të dështojë për të gjetur një fetus në rritje nëse nuk është duke kërkuar në vendin e duhur. Nëse testimet e mëparshme kanë treguar se nuk jeni shtatzënë, është gjithashtu e mundur që një imazherist të mos kalojë shumë kohë duke kërkuar një fetus në rritje.
  • Nëse jeni miratuar të bëni një echo pavarësisht një testi negativ të shtatzënisë, është e mundur që ajo të mos shfaqet në tremujorin e parë për shkak të:

një parregullsi në vendin ku implantohet embrioni

mënyrës sesi është formuar mitra juaj

një gabim nga ana e teknologjisë me ultratinguj

Si është lindja gjatë një shtatëzënie të fshehtë?

Lindja në fund të një shtatëzënie kriptike do të jetë fizikisht e ngjashme me çdo shtatëzani tjetër. Ju si zakonisht do të keni kontraktime që ndihen si ngërçe të forta ndërsa qafa e mitrës do dilatohet për të qenë në gjendje të lindë fëmijën. Ajo që ndryshon nga lindja e zakonshme  është se ju mund të mos e prisni fare. Kjo mund të shkaktojë shqetësim të fortë psikologjik .

Shtatzënia kriptike është një gjendje e vërtetë, megjithëse është e pazakontë dhe disi e keqkuptuar. Nëse besoni se jeni shtatzënë, duhet të jeni të vetëdijshëm se metodat konvencionale të testimit të tremujorit të pare – testet e gjakut, testet e urinës dhe echo-të janë të sakta për shumicën e shtatzënive

Nëse vazhdoni të keni simptoma pas një testi negativ të shtatzënisë , diskutoni rrethanat tuaja specifike me një mjek të cilit i besoni. Duke pritur për një ose dy javë për të parë nëse simptomat tuaja do të qetësohen nuk do të dëmtojë fëmijën tuaj, por mos vononi të kërkoni përgjigje me muaj.

 

NENSI XHAXHO

 

43

Të udhëtosh gjatë shtatzënisë

Me kujdesin e duhur, masat paraprake, informimin e duhur dhe vaksinimin adekuat, shumica e femrave mund të udhëtojnë të sigurta gjatë shtatzanisë.

Kudo që të shkoni, bëni kërkime dhe informohuni rreth qendrave mjekësore që ndodhen në vendin ku ju po udhëtoni në rast se do të keni nevojë për ndihmë mjekësore urgjente. Gjithashtu është mirë që të mbani me vete një dosje me gjithë të dhënat tuaja mjekësore rreth shtatzanisë.

Kur mund të udhëtojmë gjatë shtatzanisë?

Disa femra preferojnë të mos udhëtojnë gjatë 12 javëve të para të shtatzanisë për shkak të diskomfortit që sjell trimestri i parë (nauze, të vjella, lodhje etj). Gjithashtu, risku për abort spontan është më i lartë gjatë 3 muajve të parë të shtatzanisë, pavarësisht nëse udhëtoni ose jo.

Të udhëtuarit në muajt e fundit të shtatzanisë mund të jetë e lodhshme dhe e parehatshme, kështu shumica e femrave preferojnë të udhëtojnë ose të shkojnë me pushime midis muajit 4 dhe 6 të shtatzanisë.

Të fluturuarit gjatë shtatzanisë

Fluturimet nuk janë të dëmshmë për ju dhe bebin, megjithatë çdo problem shëndetsor ose komplikacion duhet diskutuar me mjekun tuaj paraprakisht.

Shancet që të nisi lindja spontanisht janë normalisht të larta pas javës së 37 të shtatzanisë (javës së 32 nëse keni binjakë) dhe disa linja ajrore nuk pranojnë pasagjerë të cilët janë në këto kushte. Pas javës së 28, disa linja ajrore kërkojnë një letër nga mjeku juaj në të cilën ai konfirmon datën e kalkuluar të lindjes dhe që ju nuk jeni në risk për komplikacione gjatë fluturimit.

Ekziston edhe një risk i lehte për mpiksje gjaku dhe trombozë në fluturime për distanca të mëdha (mbi 4 orë). Nëse ju duhet të bëni një udhëtim të tillë, sigurohuni të pini shumë ujë dhe të bëni lëvizje të shpeshta (afërsisht çdo 30 minuta).

Vaksinimet për të udhëtuar gjatë shtatzanisë

Shumica e vaksinave që përmbajnë baktere ose viruse të gjalla nuk janë të rekomanduara në shtatzani për shkak të dëmeve që mund të kenë për bebin. Megjithatë, disa vaksina të tilla mund të konsiderohen gjatë shtatzanisë nëse risku i infektimit është më i madh se risku i vaksinimit.

Vaksinat që përmbajnë baktere dhe viruse jo të gjalla (te inaktivizuara) janë të sigurta për përdorim në shtatzani.

Drejtohuni tek mjeku juaj për këshillim rreth vaksinimit gjatë shtatzanisë.

Udhëtimet me makinë gjatë shtatzanisë

E mira është që udhëtimet e gjata me makinë gjatë shtatzanisë të shmangen. Megjithatë, nëse ju duhet patjetër të bëni një udhëtim të tillë, sigurohuni që të ndaloni shpesh për të dalë nga makina për t’u shtriqur dhe për të lëvizur nga pak.

Gjithashtu ju mund të bëni disa ushtrime në makinë (kur nuk jeni duke i dhënë makinës), si përshembull të shtriqni dhe rrotulloni këmbët dhe gishtërinjtë. Kjo do të ndihmojë qarkullimin e gjakut në këmbë dhe do të reduktojë mpirjen dhe diskomfortin. Në farmaci mund të gjeni edhe disa streçe kompresioni që ndihmojnë në qarkullimin e gjakut dhe parandalojnë mpiksjen e gjakut.

Lodhja dhe marramendjet janë normale gjatë shtatzanisë, kështu që është e rëndësishme që të hidratoheni mirë dhe të hani shëndetshëm gjatë udhëtimeve me makinë.

Kujdes me rripin e sigurimit. Mbajtja e tij është një domosdoshmëri, por sigurohuni që rripi të vijë poshtë barkut tuaj dhe jo mbi të.

Gjithashtu sigurohuni që të mos udhëtoni vetëm, gjithmonë duhet të jeni të shoqëruara.

Të lundruarit gjatë shtatzanisë

Kompanitë e trageteve kanë kufizimet e tyre dhe mund të refuzojnë të pranojnë gra shtatzëna (shpesh përtej 32 javëve). Kontrolloni rregulloren e kompanisë së trageteve para se të rezervoni.

Për udhëtime më të gjata me varkë, si përshembull kroçere, interesohuni nëse ka lehtësira në bord për gratë shtatzëna dhe shërbime mjekësore në portet e ankorimit.

Ushqimi dhe pijet jashtë shtetit në shtatzani

Kujdesuni që të shmangni gjëndjet e shkaktuara nga ushqimet dhe pijet, si përshembull nauzenë e udhëtimit dhe diarrenë e udhëtimit. Disa ilaçe që qetësojnë të vjellat e udhëtimit nuk janë të këshillueshme gjatë shtatzanisë.

Gjithmonë sigurohuni që të pini ujë të pastër. Uji i ambalazhuar është gjithmonë ide e mirë.

Ku të shkoj?
Sigurohuni që trajektorja e udhëtimit tuaj të bëjë të mundur qasjen karshi ndihmës mjeksore të specializuar obstetrikale. Rekomandimi im është të keni si destinacion vende ku ndihma e specializuar mjeksore obstetrikale të jetë e mundur.

P.S – mos qëndroni gjatë udhëtimit në makinë sikurse në foton e artikullit. 🙂

Përshtati: Ines Mustafaj

Dr. Ardi Prushi

42

Hemorragjia e tremujorit të parë – Cili është shkaku?

Trimestri i parë, pra tri muajt e parë të shtatzënisë, shoqërohen me ndryshime dramatike të trupit.

Pavarësisht se masa e pantallonave mund të mos ju ketë ndryshuar, shumë është duke ndodhur në fakt brenda trupit tuaj. Këtu përfshihen ndryshimet hormonale dhe një sistem qarkullimi i gjakut tërësisht i ri! Me kaq shumë ndryshime dhe zhvillime, gjakderdhja përgjatë trimestrit të parë afërmendsh haset shpesh.

Duke iu referuar një studimi të 2009, 30% e grave kanë gjakderdhje të lehtë në trimestrin e parë. Kjo mund të jetë pjesë e një shtatzënie normale. Në fakt, shumica e grave në të cilat haset, procedojnë në një shtatzëni normale dhe të shëndetshme.

Gjakderdhja në trimestrin e parë vjen si pasojë e disa arsyeve, të përmendura dhe shpjeguara më poshtë.

Shkaqet e gjakderdhjes në trimestrin e parë:

Gjakderdhjet e lehta nuk paraqesin shqetësim, vecanërisht nëse zgjasin vetëm një ose dy ditë. Sipas studimeve, është treguar se gratë që kanë gjakderdhje gjatë muajve të parë të shtatzënisë, përjetojnë shtatzëni të ngjashme me ato që nuk kanë.

Nga ana tjetër, gjakderdhjet në masë shoqëruar edhe me simptoma të tjera mund të jenë indikatorë të problemeve më serioze.

Gjakderdhja e implantimit

Implantimi nënkupton vezën e fertilizuar në përpjekje për të gjetur hapësirën e saj dhe për t’u vendosur përfundimisht në brendësi të mitrës. Kjo ndodh 6 deri në 12 ditë pas konceptimit. Veza e fertilizuar udhëton drejt shtëpisë së saj të re dhe duhet të vetëvendoset në veshjen e brendshme të mitrës për të siguruar oksigjenin dhe ushqimin e nevojshëm.

Kjo vendosje mund të bëhet shkak për gjakderdhje. Gjakderdhja e implantimit zakonisht ndodh pikërisht para ditës së pritur për ardhjen e periodave dhe shpesh keqinterpretohet si nisje e tyre.

Të dalluarit midis gjakderdhjes së implantimit dhe periodave mund të jetë sfidues. Kjo edhe sepse simptomat jane të ngjashme:

  1. Dhimbje mesatare (cramps)
  2. Dhimbje fundshpine
  3. Dhimbje koke
  4. Nausea
  5. Gjinj sensitivë

Megjithatë, dallimet midis të dyjave ekzistojnë: si fillim ngjyra, e cila në gjakderdhjen e implantimit është më e lehtë- rozë e lehtë deri në kafe të hapur. Së dyti kohëzgjatja, zakonisht nga disa orë deri në dy ditë dhe nuk përfshin asnjëherë gjakderdhje në masë.

Polipet e qafës së mitrës

Përafërsisht 2 deri në 5% e grave kanë polipe- zgjatime të vogla në formën e gishtave-në qafën e mitrës, midis vaginës dhe mitrës.

Polipet e mitrës zakonisht nuk shkaktojnë kancer. Megjithatë, ato mund të pësojnë inflamacion ose të irritohen duke sjellë gjakderdhje në ngjyrë të kuqe të ndezur.

Marrëdhëniet seksuale ose ekzaminimet fizike

Ekzaminimet fizike dhe kryerja e marrëdhënieve seksuale mund të irritojnë qafën e mitrës duke shkaktuar gjakderdhje. Kjo ndodh sepse ndryshimet hormonale gjatë shtatzënisë mund ta bëjne zonën më sensitive se zakonisht.

Pra, nëse përjetoni gjakderdhje në të kuqe të ndezur menjëherë pas seksit ose një ekzaminimi fizik, mos u shqetësoni! Gjakderdhja me shumë gjasa do të ndalojë vetvetiu.

Aborti

Ndonjëherë gjakderdhjet e lehta shndërrohen në më të rënda. Në fakt, thuhet se cdo gjakderdhje në masë në trimestrin e parë, vecanërisht nëse shoqërohet me dhimbje, mund të jetë e lidhur me një abort. Shumica e aborteve spontane ndodhin në trimestrin e parë të shtatzënisë.

Rreth 20% e shtatzënive kalojnë në abort. Shumica e tyre nuk mund të parandalohen dhe nuk janë absolutisht përgjegjësi e gruas ose shenjë që dicka nuk shkon me të. Nga ana tjetër, shumica e grave arrijnë të kenë të tjera shtatzëni të shëndetshme edhe pas një aborti.

Simptomat e abortit spontan janë si më poshtë:

  • Gjakderdhje vaginale në masë të konsiderueshme
  • Gjakderdhje në ngjyrë të kuqe të ndezur ose kafe
  • Dhimbje në zonën e poshtme të stomakur
  • Dhimbje e fortë dhe therëse në fundshpinë
  • Mpiksje të gjakut

Nëse simptomat e mësipërme janë prezente, telefononi mjekun tuaj. Mund të keni gjakderdhje ose simptoma të tjera të abortit spontan, pa bërë në fakt abort.

Shkaqet e këtyre simptomave, kur nuk janë paralajmëruese të abortit, përfshijnë:

  • Trauma të zonës së stomakut
  • Infeksione
  • Ekspozim ndaj medikamentesh specifike

Të qenit shtatzënë me disa foshnje

Shtatzënia me binjakë ose më shumë se një bebe sjell mundësi më të larta për gjakderdhje gjatë trimestrit të parë per shkak të implantimit.

Gjithashtu, abortet në trimestrin e parë hasen më shpesh në shtatzënitë multiple.

Shtatzënitë ektopike

Shtatzënia ektopike ndodh kur veza e fertilizuar gabimisht vetëvendoset jashtë mitrës. Shumica e shtatzënive ektopike gjenden në tubat e Fallopit-lidhjet midis vezoreve dhe mitrës.

Shtatzënitë ektopike janë më pak prevalente se abortet. Hasen në rreth 2.5% të të gjithë shtatzënive. Foshnja mund të zhvillohet dhe rritet vetëm në mitër, kështu që shtatzënitë ektopike kërkojnë trajtim medikamentoz.

Simptomat e shtatzënise ektopike përfshijnë:

  • Gjakderdhje
  • Dhimbje therëse
  • Presion rektal

Nëse shtatzënia ektopike ju ndodh, duhet të jeni të vetëdijshme që nuk jeni ju shkaktarët.

Shtatzënia molare

Një tjetër shkak i gjakderdhjes në trimestrin e parë është shtatzënia molare. Ky komplikacion i rallë dhe serioz haset vetëm 1 në 1000 shtatzëni.

Shtatzënia molare ndodh kur indi i placentës rritet përtej normales për shkak të një gabimi gjenetik gjatë fertilizimit. Fetusi mund të mos rritet aspak. Shtatzënitë molare rezultojnë në abort në trimestrin e parë.

Simptomat përfshijnë:

  • gjakderdhje në ngjyrë të kuqe të ndezur ose kafe
  • dhimbje ose trysni në zonën e poshtme të stomakut
  • nausea
  • të vjella

Hemorragjia subkorionike

Hemorragjika subkorionike ose hematoma është gjakderdhje që vjen si pasojë e placentës minimalisht të shkëputur prej murit të mitrës. Një qese formohet në zonën midis.

Hemorragjitë subkorionike variojnë: të voglat janë më të shpeshta. Më të mëdhatë shkaktojnë më shumë gjakderdhje. Një numër i madh grash mund të kenë hematoma dhe gjithashtu një shtatzëni të shëndetshme. Megjithatë, hemorragjia subkorionike e konsiderueshme mund të rrisë riskun për abort në 20 javët e para të shtatzënisë.

Simptomat përfshijnë:

  • Gjakderdhje në ngjyrë rozë, të kuqe, ose kafe.
  • Dhimbje në zonën e poshtme të stomakut

Infeksionet

Gjakderdhja në trimestrin e parë mund të mos ketë si shkak shtatzëninë. Shkaqe të tjera mund të përmendim: infeksione në zonën e legenit, fshikëz ose traktin urinar. Këto infeksione mund të kenë origjinën nga baktere, viruse, ose fungi.

Infeksione mykotike serioze ose inflamacione (vaginitis) mund gjithashtu të shkaktojë gjakderdhje. Simptoma të tjera shoqëruese janë:

  • Kruarje
  • Dhimbje në zonën e poshtme të stomakut
  • Djegie gjatë urinimit
  • Sekrecione në ngjyrë të bardhë
  • Gunga në zonën e jashtme të vaginës

 

 

 

Gjakderdhja në trimestrin e dytë dhe të tretë

Gjakderdhja në trimestrin e dytë ose të tretë paraqitet zakonisht më serioze se ajo e trimestrit të parë.

Shkaqet përfshijnë:

  • Probleme të qafës së mitrës: inflamacioni ose rritjet në qafën e mitrës mund të shkaktojnë gjakderdhje të lehta, zakonisht jo serioze.
  • Shkëputja e placentës: placenta shkëputet nga mitra përpara ose gjatë lindjes. Kjo ndodh në vetëm 1% të grave.
  • Previa placentare: placenta është e pozicionuar në zonën e poshtmë të mitrës dhe pjesërisht mbulon qafën e mitrës. Gjakderdhja nuk shoqërohet me dhimbje.
  • Vasa previa: disa nga enët e gjakut të placentës përshkojnë qafën e mitës.
  • Lindje premature

Kur duhet të kërkoni ndihmën e mjekut:

Vini në dijeni mjekun tuaj për cdo lloj gjakderdhjeje përgjatë shtatzënisë. Kujdes shëndetësor i menjëhershëm nevojitet kur hasni një ose disa prej simptomave të mëposhtme:

  • Gjakderdhje në sasi të madhe
  • Sekrecione të shoqëruara me mpiksje
  • Dhimbje të forta
  • Cramping intense
  • Nausea
  • Marrje mendsh
  • Ethe
  • Temperature mbi 38°C

Mjeku do të interesohet për:

Një ekzaminim i shpejtë mund të shfaqë shkakun e gjakderdhjes. Mund t’ju kerkohet:

  1. Një ekzaminim fizik
  2. Ultratinguj
  3. Ekzaminim Doppler
  4. Analizë gjaku

Analiza e gjakut tregon nivelet hormonale. Hormoni kryesor gjatë shtatzënisë-i prodhuar nga placenta- është human chorionic gonadotropin (hCG).

Nivele të larta të hCG mund të nënkuptojnë:

  • Shtatzëni multiple
  • Shtatzëni molare

Nivele të ulta të hCG mund të nënkuptojnë:

  • Shtatzëni ektopike
  • Abort i mundshëm
  • Rritje anormale

Skaneri mund të tregojë vendndodhjen dhe rritjen e foshnjës. Përmasat e foshnjës mund të sigurohen përmes ultratingujve. Rrahjet e zemrës mund të kontrollohen me anë të ultratingujve ose skanerit Doppler që në 5 javët e para të shtatzënisë.

Trajtimi

Disa nga shkaqet që rezultojnë në gjakderdhje, si polipet e qafës së mitrës, mund të trajtohen menjëherë nga mjeku. Komplikacione të tjera mund të kenë nevojë për trajtime më të zgjatura, medikamente, ose kirurgji.

Nëse gjakderdhja është shenjë që shtatzënia juaj nuk mund të vazhdojë normalisht, mjeku mund t’u pershkruajë medikamente si:

  • Methotrexate, i cili ndihmon trupin në përthithjen e indit të dëmshëm si në shtatzëninë ektopike
  • Misoprostol, i cili përdoret për t’I dhënë fund një shtatzënie potencialisht të rrezikshme në 7 javët e para.

Mjeku juaj gjithashtu ju keshillon për kohën e nevojshme para përpjekjeve të reja për një tjetër shtatzëni.

Abortet spontane mund t’ju rëndojnë psikologjikisht. Drejtojuni psikologut për t’ju asistuar në këtë humbje.

Përmbledhje

Gjakderdhja në trimestrin e parë mund të ngjajë alarmuese dhe e frikshme, por në më të shumtat e rasteve është thjesht një pjesë normale e javëve të para të shtatzënisë.  

Gjakderdhja në masë mund të jetë shenjë e dickaje më serioze. Konsultohuni me mjekun tuaj.

 

 

Shkaqet e gjakderdhjes së lehtë të trimestrit të parë që zakonisht nuk paraqesin rrezik janë:

  • Implantimi
  • Polipet e qafës së mitrës
  • Infeksionet uterine
  • Infeksionet e mykut
  • Shtatzënitë multiple

Shkaqe më serioze të gjakderdhjes në trimestrin e parë përfshijnë: miscarriage

  • Shtatzëni molare
  • Shtatzëni ektopike
  • Hemorragji subkorionike

Shtatzënia mund të jetë një karvan emocionesh dhe simptomash. Mos harroni të shijoni udhëtimin!

Përshtati: Ajna Gjyla

Dr. Ardi Prushi

41

Dhimbja ovulatore ose dhimbja në mes të ciklit ( Mittelschmerz)

Kam një dhimbje në pjesën e poshtme të bakrkut cdo muaj rreth ditëve kur mendoj që jam duke ovuluar. Duhet të shqetësohem?

Mittelschmerz është dhimbje e njëanshme, e poshtme e barkut e lidhur me ovulimin. Mittelschmerz ndodh në mes të një cikli menstrual – rreth 14 ditë para menstruacioneve tuaj të ardhshme.

Në shumicën e rasteve, mittelschmerz nuk kërkon kujdes mjekësor. Për dhimbje  të lehta, qetësuesit  pa recetë dhe masa lehtësuese në kushte shtëpie janë shpesh efektive. Nëse dhimbja juaj mittelschmerz është shqetësuese, mjeku juaj mund të përshkruajë një  kontraceptiv oral për të ndaluar ovulimin dhe për të parandaluar dhimbjen në mes të ciklit.

Simptomat

Dhimbja Mittelschmerz zakonisht zgjat disa minuta deri në disa orë, por mund të vazhdojë për një ose dy ditë. Dhimbja nga mittelschmerz mund të jetë:

 

  • Në njërën anë të barkut tuaj të poshtëm
  • E gjashme me dhimbjet menstruale
  • E mprehtë dhe e papritur
  • Shoqërohet me gjakderdhje ose shkarkim të lehtë vaginal
  • Rrallë, e rëndë

 

Dhimbja Mittelschmerz ndodh në anën e vezores që lëshon një vezë (ovuluese). Dhimbja mund të ndryshojë anën çdo muaj, ose mund të ndjeni dhimbje në të njëjtën anë për disa muaj.

Mbani  shënim me kujdes  ciklin tuaj menstrual për disa muaj dhe vini re kur ndjeni dhimbje në barkun e poshtëm. Nëse ndodh në mes të ciklit dhe largohet pa trajtim, ka shumë të ngjarë që të jetë mittelschmerz.

 

Kur duhet të shkoj te mjeku?

Mittelschmerz rrallë kërkon ndërhyrje mjekësore. Sidoqoftë, kontaktoni mjekun tuaj nëse një dhimbje e re pelvike bëhet e rëndë, nëse shoqërohet me nauze ose ethe, ose nëse vazhdon – secila prej të cilave mund të tregojë se keni një gjendje më serioze se mittelschmerz, siç është apendisitis, sëmundja inflamatore pelvike apo edhe shtatzëni ektopike ( barrë jashtë mitre).

 

Shkaqet

Mittelschmerz ndodh gjatë ovulacionit, kur folikuli shpërthen dhe lëshon vezën e tij. Disa gra kanë mittelschmerz çdo muaj; të tjerat e kanë atë vetëm herë pas here.

 

Shkaku i saktë i mittelschmerz është i panjohur, por arsyet e mundshme të dhimbjes përfshijnë këto:

  • Pak para se një vezë të lëshohet me ovulim, rritja e folikulit shtrin sipërfaqen e vezores tuaj, duke shkaktuar dhimbje.
  • Gjaku ose lëngu i lëshuar nga folikuli i çarë irriton mbembranën seroze të barkut tuaj (peritoneum), duke çuar në dhimbje.

 

Dhimbja në çdo pikë tjetër të ciklit tuaj menstrual nuk është mittelschmerz. Mund të jetë dhimbje menstrual normale (dismenorrea) nëse ndodh gjatë periodave tuaja, ose mund të jetë nga probleme të tjera të barkut ose pelvisit. Nëse keni dhimbje të forta, kontaktoni mjekun tuaj.

 

Diagnoza

Për të diagnostikuar mittelschmerz, mjeku juaj do të fillojë duke ju bërë pyetje për të marrë një ide të qartë të historisë tuaj mjekësore, veçanërisht në lidhje me ciklin tuaj menstrual. Mjeku juaj gjithashtu mund të kryejë një ekzaminim fizik, duke përfshirë një vizitë pelvike, për të kontrolluar për  shenjat e një gjendje tjetër të fshehur  që mund të kontribuojë në dhimbje.

 

Trajtimi

Trajtimet e mundshme për mittelschmerz përfshijnë:

  • Qetësuesit e dhimbjes. Për lehtësimin e shqetësimit nga mittelschmerz, provoni një ilaç pa recetë si acetaminophen (Tylenol, të tjerë), aspirinë, ibuprofen (Advil, Motrin IB, të tjerë) ose naproxen sodium (Aleve).
  • Pilula kontraceptive (kontraceptivë oralë). Nëse mittelschmerz ju shkakton shumë shqetësime ose shfaqet çdo muaj, pyesni mjekun tuaj për marrjen e pilulave kontraceptive. Disa lloje të pilulave kontraceptive ndalojnë ovulimin, i cili mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjeve të ovulacionit gjatë marrjes së tyre.

 

Mënyra e jetesës dhe trajtimi në kushte shtëpie

Për të lehtësuar dhimbjen ovulatore që zgjat më shumë se disa minuta, provoni disa trajtime në kushte shtëpiake. Duke qënë se nxehtësia rrit rrjedhjen e gjakut, relakson muskujt e tensionuar dhe lehtëson ngërçet, ju mund:

 

  • Bëni një një banjë të nxehtë ose të qëndroni në vaskë me ujë të nxehtë
  • Përdorni kompresa të ngrohta aty ku është dhimbja

 

 

Dr. Ardi  Prushi

Përpunoi: Ina Çala