Kontracepsioni urgjent mund të parandalojë shtatzëninë pas marrëdhënieve seksuale të pambrojtura ose nëse mënyra kontraceptive e përdorur ka dështuar – për shembull, një prezervativ është çarë ose keni harruar të merrni pilulën e rradhës së kontraceptivit.
Ekzistojnë 2 lloje të kontracepsionit urgjent:
- Pajisja intrauterine (IUD ose spirale)
- Pilula kontraceptive urgjente – Levonelle ose ellaOne (pilula “e ditës së nesërme”)
Të përgjithshme për pilulën urgjente:
- Pilulën kontraceptive urgjente duhet marrë brenda 3 ditëve (Levonelle) ose 5 ditëve (ellaOne) pas marrëdhënies seksuale të pambrojtur që të jetë efektive – sa më shpejt ta merrni, aq më efektiv do të jetë.
- Marrja e pilulës urgjente Levonelle ose ellaOne mund t’ju japë dhimbje koke ose barku dhe t’ju bëjë të ndiheni ose të jeni të sëmurë.
- Pilula urgjente mund të shkakojë që cikli juaj menstrual të jetë më i shkurtër ose më i gjatë, ose më i dhimbshëm se zakonisht.
- Nëse brenda 2 orëve nga marrja e Levonelle ose 3 orëve nga marrja e ellaOne, ju shkaktohen të vjella, shkoni te mjeku juaj i përgjithshëm, farmacisti ose klinika e mjekësisë gjinekologjike, pasi do t’ju duhet të merrni një dozë tjetër ose të vendosni një pajisje intrauterine.
- Nuk ka efekte anësore serioze nga përdorimi i kontracepsionit urgjent.
- Kontracepsioni urgjent nuk shkakton abort.
Si funksionon pilula urgjente?
Levonelle
Levonelle përmban levonorgestrel, një version sintetik (i krijuar nga njeriu) i progesteronit; hormonit natyror të prodhuar nga vezoret. Marrja e saj mendohet se ndalon ose vonon lirimin e një veze (ovulimin). Levonelle duhet të merret brenda 72 orëve (3 ditë) pas marrëdhënies seksuale të pambrojtur për të parandaluar shtatzëninë. Nuk ndërhyn në metodën tuaj të rregullt të kontracepsionit.
ellaOne
ellaOne përmban acetat ulipristal, i cili ndalon funksionimin normal të progesteronit. Kjo gjithashtu funksionon duke ndaluar ose vonuar lirimin e një veze. ellaOne duhet të merret brenda 120 orëve (5 ditëve) pas marrëdhënies seksuale të pambrojtur për të parandaluar shtatzëninë.
Nëse merrni Levonelle ose ellaOne
Levonelle dhe ellaOne nuk vazhdojnë t’ju mbrojnë kundër shtatzënisë – nëse kryeni marrëdhënie seksuale të pambrojtura në çdo kohë pas marrjes së pilulës së urgjencës, mund të mbeteni shtatzënë. Ato nuk janë të destinuara për t’u përdorur si një formë e rregullt e kontracepsionit. Por ju mund të përdorni kontracepsionin urgjent më shumë se një herë në një cikël menstrual nëse keni nevojë.
Kush mund të përdorë pilulën e urgjencës?
Shumica e grave mund ta përdorin pilulën kontraceptive urgjente. Kjo përfshin dhe gratë që nuk mund të përdorin kontracepsion hormonal, të tilla si pilula e kombinuar dhe kontraceptivi “patch”. Mund ta përdorin edhe vajzat nën 16 vjeç.
Por ju nuk mund ta përdorni pilulën urgjente nëse:
- Jeni alergjik ndaj ndonjë përbërësi të saj;
- Keni astmë të rëndë;
- Merrni ndonjë medikament që mund të ndërveprojë me të, si p.sh:
- Medikamenti bimor St John’s Wort,
- Disa medikamente të përdorura për trajtimin e epilepsisë, HIV-it ose tuberkulozit (TB),
- Medikamente që ulin aciditetin e stomakut, si omeprazoli,
- Disa antibiotikë më pak të përdorur (rifampicin dhe rifabutin)
ellaOne nuk mund të përdoret nëse tashmë jeni duke marrë një nga këto barna, pasi mund të mos funksionojë. Levonelle mund të përdoret ende, por doza mund të duhet të rritet.
Tregojini mjekut të përgjithshëm, infermieres ose farmacistit se çfarë ilaçesh po merrni dhe ata mund t’ju këshillojnë nëse janë të sigurt për të marrë me pilulën kontraceptive të urgjencës.
Ju gjithashtu duhet të lexoni broshurën e informacionit për pacientin, që vjen me medikamentin tuaj për më shumë informacion.
Ushqyerja me gji
Levonelle është e sigurt për t’u marrë gjatë ushqyerjes me gji. Edhe pse sasi të vogla të hormoneve në pilula mund të kalojnë në qumështin tuaj të gjirit, nuk mendohet të jetë i dëmshëm për fëmijën tuaj.
Siguria e ellaOne gjatë ushqyerjes me gji nuk dihet ende. Prodhuesi rekomandon që të mos ushqeni me gji për një javë pas marrjes së kësaj pilule.
Nëse tashmë jeni duke përdorur kontracepsion të rregullt
Mund t’ju duhet të merrni pilulën e urgjencës nëse:
- Keni harruar të merrni disa nga pilulat tuaja kontraceptive të rregullta
- E bëtë implantin tuaj kontraceptiv ose injeksionin kontraceptiv shumë vonë
Nëse keni marrë Levonelle, duhet: (sipas mënyrës së kontracepsionit që përdorni normalisht)
- Të merrni pilulën tjetër kontraceptive, aplikoni një “patch” të re ose të vendosni një unazë të re brenda 12 orëve nga marrja e pilulës së urgjencës,
- Vazhdoni të merrni pilulën tuaj të rregullt kontraceptive si gjithmonë,
Përdorni kontracepsion shtesë, siç janë prezervativët, për:
- 7 ditë nëse përdorni “Patch-in”, unazën, pilulën e kombinuar (përveç Qlaira), implantin ose injeksionin,
- 9 ditë për pilulën e kombinuar Qlaira,
- 2 ditë nëse përdorni pilulën vetëm me progestogjen
Nëse keni marrë ellaOne:
- prisni të paktën 5 ditë përpara se të merrni pilulën tjetër kontraceptive, të vendosni një “patch” të ri ose të vendosni një unazë të re
Përdorni kontracepsion shtesë, siç janë prezervativët, derisa të rifilloni kontracepsionin tuaj dhe për një shtesë:
- 7 ditë nëse përdorni “patch-in”, unazën, pilulën e kombinuar (përveç Qlaira), implantin ose injeksionin
- 9 ditë për pilulën e kombinuar Qlaira
- 2 ditë nëse përdorni pilulën vetëm me progestogjen
Megjithatë mund të konsultoheni me një mjek i përgjithshëm ose infermiere më tej se kur mund të filloni të merrni kontracepsion të rregullt dhe për sa kohë duhet të përdorni kontracepsion shtesë.
Efektet anësore të përdorimit të pilulës së urgjencës
Nuk ka efekte anësore serioze ose afatgjata nga marrja e pilulës kontraceptive emergjente.
Por mund të shkaktojë:
- dhimbje koke,
- dhimbje barku,
- ndryshimet në menstruacionet tuaja të ardhshme – mund të jenë më herët, më vonë ose më e dhimbshme se zakonisht
- nauzei ose të vjella – kërkoni kujdes mjekësor nëse keni të vjella brenda 2 orëve nga marrja e Levonelle ose 3 orëve nga marrja e ellaOne, pasi do t’ju duhet të merrni një dozë tjetër ose të vendosni një IUD.
Konsultohuni me një mjek ose infermiere nëse simptomat tuaja nuk largohen pas disa ditësh ose nëse:
- ju mendoni se mund të jeni shtatzënë,
- mentruacionet e ardhshme janë më shumë se 7 ditë me vonesë,
- menstruacionet janë më të shkurtra ose më të lehta se zakonisht,
- keni dhimbje të papritur në pjesën e poshtme të barkut – në raste të rralla, një vezë e fekonduar mund të jetë implantuar jashtë mitrës (shtatzani ektopike)
Pavarësisht mungesës së efekteve anësore serioze ose afatgjata, pilula urgjente nuk është një mënyrë kontracepsioni afatgjatë dhe që rekomandohet të merret gjithmonë.