50

Alkooli gjatë shtatzënisë – JO!

Konsumi i alkoolit gjatë shtatzënisë është vërtetuar të jetë i dëmshëm nga mjaft studime. Asnjë lloj alkooli (përfshrë këtu birrën, verën) nuk është produkt i sigurt për t’u konsumuar gjatë shtatzënisë në asnjë sasi, sado e vogël qoftë ajo.

Kur një grua shtatzënë konsumon alkool, ai kalon nëpërmjet placentës në gjakun e fetusit. Koha që i duhet fetusit për ta eleminuar alkoolin nga gjaku i tij është më e gjatë se koha që i duhet një të rrituri për të bërë të njëjtën gjë. Sa më gjatë të qëndrojë alkooli në organizmin e fetusit, aq më i madh  është risku i dëmtimeve jetëkërcënuese në tru dhe në organe të tjera jetësore.

Alkooli mund të japë dëme të llojeve të ndryshme. Ato mund të jenë të pranishme që në lindje ose të shaqen më vonë gjatë jetës së fëmijës. Ndër dëmet që mund të shkaktojë alkooli përmendim:

  • Tipare anormale të fytyrës
  • Madhësi e vogël e kokës
  • Shtat i shkurtër
  • Peshë trupore e ulët
  • Probleme në koordinim, përqëndrim, kujtesë
  • Koeficient inteligjence (IQ) i ulët
  • Vonesë në të folur
  • Probleme shikimi dhe dëgjimi
  • Dëmtime në zemër, kocka, veshka etj.

Disa prej këtyre dëmtimeve mund të jenë të korigjueshme kirurgjikalisht ose të trajtueshme nga ana mjekësore, ndërkohë që një pjesë tjetër janë mjaft të vështira për t’u menaxhuar.

Alkooli është gjithashtu një faktor risku për abort dhe lindje të parakohshme.

Për ta përmbyllur, rekomandimi i mjekut për mbarëvajtjen e shtatzënisë dhe ruajtjen e shëndetit të nënës dhe fëmijës është moskonsumi i alkoolit gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë ose ndërprerja sa më e hershme e konsumit të tij.

Përshtati: Eleni Koça
Dr. Ardi PRUSHI