Vetë ekzaminimi i gjirit është një proçedurë shumë e rëndësishme që ndihmon në zbulimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Sipas të dhënave të marra nga Breastcancer.org, vetë kontrolli i kombinuar me metoda të tjera screening rrit shancet e zbulimit të hershëm.
Vetë-ekzaminimi është një proçedurë e lehtë, pa kosto që mund ta bëni në mënyrë të vazhdueshme, në çdo moshë.
Si të kryeni vetë-ekzaminimin ne pesë hapa:
Hapi i parë: Filloni duke parë veten tuaj në pasqyrë me shpatullat drejt dhe krahët e vendosura në mes.
Duhet të shikoni:
- nëse gjinjtë janë në formën, ngjyrën dhe madhësinë e zakonshme
- nëse shihni ndonjë ënjtje jo të zakonshme
Duhet të kontaktoni me doktorin tuaj nëse:
- shikoni një rrudhosje apo mbledhje të lëkurës në një vend të caktuar
- njëra nga thithkat ka ndryshuar pozicion ose është futur brenda në vend që të jetë e dalë jashtë si në normalitet
- skuqje, kruarje, acarim apo enjtje e njërit prej gjinjve
Hapi i dytë: Ngrijini krahët lart dhe shihni për të njëjtat ndryshime
Hapi i tretë: Ndërkohë që jeni përballë pasqyrës, shikoni nëse ka rrjedhje fluidesh nga njëra apo të dyja thithkat- mund të jetë e ujshme, qumësht, me ngjyrë të verdhë apo gjak.
Hapi i katërt: Duhet të prekni gjinjtë ndërkohë që qëndroni shtrirë, duke përdorur dorën e djathtë për të ndjerë gjirin e majtë dhe anasjelltas. Përdorni një prekje të qëndrueshme me majat e gishtërinjve duke i mbajtur gishtërinjtë e shtrirë dhe pranë njëri-tjetrit. Aplikoni lëvizje rrethore dhe përfshini në këtë lëvizje të gjithë gjirin nga lart poshtë dhe nga njëra anë në tjetrën- nga klavikula deri në fillim të abdomenit dhe nga aksila (sqetulla) deri në mesin e kraharorit.
Ndiqni një lëvizje gjatë së cilës të prekni të gjithë gjirin. Mund të filloni nga thithka dhe gradualisht të bëni lëvizje rrethore më të mëdha derisa të arrini në kufirin e jashtëm të gjirit.
Hapi i pestë: Së fundmi, prekini gjinjtë tuaj ndërkohë që jeni në këmbë apo ulur, me dorën nga ana e gjirit që po prekni të ngritur lart.
Si të reagojmë nëse prekni një gungë/kokërr?
Është mjaft e rëndësishme të mos panikosni. Shumë gra prekin gunga në gjinjtë e tyre dhe shumë gunga janë beninje (jo-kanceroze). Ka disa shkaqe për krijimin e këtyre kokrrave jo kanceroze ndër të cilat mund të përmendim- ndryshime hormonale, patologji beninje të gjirit, ndonjë traumë e shkaktuar.
Sigurohuni që të kontaktoni doktorin tuaj dhe lini një konsultë dhe informohuni paraprakisht për proçedurat që mund të kryhen në këtë konsultë. Për vlerësimin e kësaj kokrre në gjirin tuaj, doktori juaj do ju kërkojë historikun e sëmundjeve që keni kaluar, do të kryejë një ekzaminim fizik të gjinjve dhe probabilisht do të kërkojë disa ekzaminime imazherike. Nëse jeni një vajzë/grua poshtë moshës 30 vjeçare/shtatëzënë apo gjidhënëse do ju kërkohet të bëni një ekografi. Nëse kërkohen testime të tjera, doktori juaj mund të rekomandojë një MRI- rezonancë magnetike dhe/ose një biopsi. Ai/ajo gjithastu mund t’ju drejtojnë tek një specialist i gjirit për vlerësim të mëtejshëm.
Sigurohuni që të merrni përgjigje dhe shpjegime të zgjeruara lidhur me këtë kokërr/ndryshime që ju keni vënë re. Nëse nuk ndiheni të bindura nga përgjigjja/këshilla që kjo doktor po ju jep, mos hezitoni të kërkoni një mendim të dytë.
Si ta shndërrojmë vetë-kontrollin pjesë të strategjisë së detektimit të hershëm për kancerin e gjirit?
Shndërrojeni këtë vetë-kontroll në rutinë- sa më shpesh dhe sa më gjatë ta kryeni si proçedurë aq më tepër do i njihni gjinjtë tuaj dhe aq më të lehtë do ta keni për të dalluar ndryshimet. Është e rekomandueshme kryerja e këtij kontrolli një herë në muaj. Mundohuni ta kryeni këtë kontroll disa ditë pas përfundimit të menstruacionit, pasi ajo është periudha e ciklit menstrual gjatë së cilës gjinjtë tuaj janë më pak të ënjtur dhe të ndjeshëm.
Dr.Ardi Prushi
Përgatiti: Dr.Frisiana Mirashi