49

“Shenjat dhe simptomat” e ovulacionit

Si të kuptojmë që jemi në ovulim?

 Ovulimi është proçesi gjatë së cilit veza çlirohet nga ovari.  Veza e çliruar nga ovari mund të fertilizohet brenda 12 deri në 24 orë që nga momenti i çlirimit. Shancet më të larta për të konceptuar janë gjatë kësaj periudhe fertile- pra 3-4 ditë përpara ovulimit ( sperma mund të mbijetojë në traktin riprodhues femëror deri në 5 ditë) dhe ditën e ovulimit.

Në ciklin menstrual prej 28 ditësh, ovulimi përgjithësisht ndodh 14 ditë përpara fillimit të menstruacionit.

Cilat janë simptomat e ovulimit?

  • temperatura juaj bazale është një ndër shenjat kryesore për të treguar ovulimin. Mënyra e duhur për ta matur është në mëngjes pa u ngritur ende nga krevati.  Temperatura e lartë është treguese për prodhimin e progesteronit, i cili është hormoni ovarian që prodhohet pas ovulimit.

Përpara ovulimit, temperatura e zgjimit është 36.1°C-36.5°C. Pas ovulimit, temperatura bazale rritet me 0.3°C dhe qëndron e tillë deri sa ju vijnë menstruacionet dhe fillon cikli i ri.  Disa ditë të kësaj rritjeje të vogël temperature, por tepër sinjifikante janë të mjaftueshme për t’ju treguar se ju keni ovuluar.

  • mukusi cervikal bëhet më i qartë, më i hollë, më i rrëshqitshëm, si të bardhat e vezës. Mukusi cervikal me këto karakteristika është më i dukshëm në ditët para ovulimit, por ju mund ta shihni edhe në fillim të ciklit kur estrogjeni juaj është goxha më i lartë në krahasim me progesteronin.

 

Mund të vini re gjithashtu:

  • ndjeshmëri të rritur të gjinve
  • fryrje
  • krampe abdominale.

 

Një ndjesi e lehtë dhimbjeje

 Ekziston mundësia që ju ta ndjeni ovulimin përmes një dhimbjeje të lehtë në ovarin e njërës anë diku në mes të ciklit menstrual. Gjithsesi duke qenë se shumë vajza/gra nuk e ndjejnë nuk mund të bazoheni tek prania ose jo e dhimbjes për të kuptuar nëse keni ovuluar apo jo.

Gjithsesi këto shenja nuk janë specifike dhe mund të ndryshojnë nga njëri individ tek tjetri.

Ndryshimet fizike gjatë ciklit vijnë për shkak të luhatjeve të nivelit hormonal.

Gjatë gjysmës së parë të ciklit, ovaret tuaja prodhojnë estrogjen. Nivelet e larta të estrogjenit, çojnë në çlirimin e vezës nga ovari. Pas këtij proçesi, trupi prodhon progesteron i cili çon në rritjen e temperaturës trupore.

 

Kitet e parashikimit  të ovulimit

Kitet e parashikimit të ovulimit mund të blihen në farmaci dhe japin një ide më preçize se kur është dritarja juaj fertile. Ato funksionojnë pak a shumë si testet e shtatëzënisë, por në ndryshim nga këto të fundit masin nivelin e hormonit luteinizues- LH në urinën tuaj.  LH arrin nivele të larta 24-36 orë përpara ovulimit.

 

Testet e ovulimit me progesteron

 Këto teste ju tregojnë nëse keni ovuluar ose jo dhe këtë e bëjnë përmes matjes së metabolitëve të progesteronit në urinë.  Këto metabolite rriten në urinë tipikisht 24-36 orë pas ovulimit.

Ndonëse ovulimi ka shancet më të mëdha të ndodhë midis ditës së 10 dhe të 14 të ciklit, jo të gjithë ciklet menstruale funksionojnë sipas një kalendari të mirëpërcaktuar. Ju gjithmonë mund ti drejtoheni mjekut tuaj për më tepër informacion dhe këshilla sidomos nëse cikli juaj menstrual është i çrregullt.

 

Dr.Ardi Prushi

Përgatiti: Dr.Frisiana Mirashi

 

One Response

Leave Your Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *