38

Rutina e kujdesit për lëkurën gjatë shtatzënisë

 

Në momentin që mësoni që jeni shtatëzënë, shumë gjëra ndryshojnë në jetën tuaj. Këto ndryshime përfshijnë edhe rutinën e kujdesit për lëkurën.

Disa ingredientë absorbohen nga trupi juaj e si rrjedhojë, absorbohen edhe nga bebi juaj.

 

Fillimisht po përshkruajmë disa ndryshime që i ndodhin lëkurës suaj gjatë shtatëzënisë.  Disa nga problematikat më të zakonshme të lëkurës gjatë shtatëzënisë janë:

– lëkura e thatë

– melasma (një lëkurë më e errët)

– aknet

Patologjitë si ekzema, rozacea, psoriazis gjithashtu mund të ndryshojnë për mirë ose për keq gjatë shtatëzënisë.

 

  • Ingredientët që duhen shmangur gjatë shtatëzënisë

 

Retinoidet

Aplikimi lokal i kremrave/serumeve që kanë përqëndrim të lartë retinoidesh janë lidhur me probleme neurokonjitive të bebes.

Për këtë arsye vajzat dhe gratë shtatëzënë duhet të ndalojnë përdorimin 1-3 muaj përpara se të fillojnë përpjekjet për të mbetur shtatëzënë. (Për informacion më të gjerë, klikoni https://www.drardi.com/retinoidet-dhe-shtatzenia-perditesim-nga-ema/)

 

Acidi salicilik në doza të larta

Njihet gjithashtu si BHA- beta hidroksi acid  dhe përdoret për trajtimin e akneve falë funksionit keratolitik dhe anti-inflamator.  Gjatë shtatëzënisë duhen shmangur dozat e larta të këtij produkti që mund të gjenden në peeling kimikë apo në tabletat orale.  Ndërsa produktet që aplikohen lokalisht me përqindje të ulët të acidit salicilik janë raportuar të sigurta nga Kolegji Amerikan i Gjinekologjisë dhe Obstetrikës(ACOG).

 

Hidrokinoni

Përdoret kryesisht për të reduktuar pigmentimin e lëkurës.  Duke qenë se një përqindje e madhe e hidrokinonit absorbohet në lëkurë është e mira të limitohet ekspozimi ndaj tij gjatë shtatëzënisë.

 

Ftalatet

Ekspozimi ndaj ftalateve tek kafshët është shoqëruar me disfunksion riprodhues dhe endokrin.  Ndonëse nuk ka studime tek njerëzit për efektin e ftalateve, rekomandohet shmangia e tyre gjatë shtatëzënisë.  Burimi kryesor i ekspozimit ndaj ftalateve janë produktet e kozmetike dhe forma  më e shpeshtë e përdorur në këto produkte është dietilftalati (DEP).

 

Formaldehidi

Ditët e sotme po përdoret në produktet kozmetike/të kujdesit të lëkurës gjithnjë e më rrallë si konservues pasi njihet si karcinogjen dhe sipas CDC mund të rrisë riskun për infertilitet dhe abort.

Kimikatet çliruese të formaldehidit më shpesh të gjetura në kozmetikë janë:

  • bronopol
  • hidantoina DMDM
  • urea diazolidinil
  • hidroksimetilglucinat
  • urea imidazolidinil
  • kuaternium-15
  • 5-bromo-5-nitro-1,3-dioxane

 

Kremrat e diellit kimikë

Oxybenzone dhe derivatet e tij janë filtra kimikë të përdorur në kremrat e diellit.  Është efektiv për mbrojtjen nga dielli, por duke qenë një përbërës që ndikon në sistemin endokrin, ekziston shqetësimi që mund të dëmtojë bebin dhe nënën.  Sipas një studimi të kryer tek kafshët, ekspozimi ndaj oxybenzonit gjatë shtatëzënisë është shoqëruar me ndryshime të përhershme në gjendrat mamare dhe në laktacion.  Të tjera studime e kanë lidhur edhe me sëmundje neurologjike në moshë të rritur.

Prandaj gjatë shtatëzënisë, rekomandohet përdorimi i kremrave të diellit mineralë, të cilët krijojnë një barrierë fizike dhe nuk lejojnë depërtimin e UVA dhe UVB. Tek këta kremra kërkoni përbërës si oksidi i zinkut dhe dioksidi i titaniumit.

 

  • Ingredientët e sigurt për përdorim gjatë shtatëzënisë

 

Akne dhe hiperpigmentim

Acidi glikolik – AHA- në përqindje të vogla është raportuar i sigurt për përdorim gjatë shtatëzënisë.  Gjithashtu edhe acidi azelaik nuk   shoqërohet me probleme për bebin, për këtë arsye mund të përdoren për trajtimin e akneve dhe reduktimin e hiperpigmentimit edhe gjatë shtatëzënisë.

 

Anti-aging/Rrudhat

Antioksidantë të sigurtë që mund të përdoren  gjatë shtatëzënisë janë vitamina C dhe derivatet e saj, të cilat rrisin vitalitetin e lëkurës dhe e mbrojnë atë nga dëmtimet. Gjithashtu vitamina C e aplikuar përpara kremit të diellit në mëngjes, rrit mbrojtjen që ofron kremi i diellit.

Kujdes: Kjo nuk do të thotë që vetëm vitamina C mjafton dhe as që mund të përdorni spf me faktor më të ulët se 30.

 

Të tjerë antioksidantë të sigurtë për përdorim gjatë shtatëzënisë janë:

– vitamina E

– vitamina K

– vitamina B3 (niacinamidet)

– çaji jeshil

 

Lëkura e thatë dhe strijat

Gjatë shtatëzënisë ndryshimet hormonale dhe kërkesat e bebit mund të çojnë në një lëkurë të dehidruar.

Krahas konsumit të shtuar të ujit, një sërë produktesh hidratuese mund të vijnë në ndihmë si:

  • peptidet
  • acidi hialuronik.

Përsa i përket strijave, një mënyrë parandalimi është hidratimi i vazhdueshëm i lëkurës.

 

Mbrojtja nga dielli

Mbrojtja nga dielli është një ndër gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë për të parandaluar plakjen dhe kancerin e lëkurës. Gjatë shtatëzënisë, siç u përmend edhe më lart rekomandohen kremrat e dielliet mineralë.

 

Si të kontrollojmë që produktet e skincare janë të sigurta?

 

Fillimisht është e rëndësishme që të diskutohet siguria e produkteve të lëkurës me dermatologun dhe gjinekologun tuaj, sidomos nëse po merrni medikamente me recetë.

 

Së dyti, ju mund të kontrolloni listën e ingredientëve të produkteve që përdorni. Një burim i besueshëm dhe i sigurt është Environmental Working Group (EWG).

 

Dr.Ardi Prushi

Përshtati: Frisiana Mirashi

 

Leave Your Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *