Jam negative, por vetëm si faktor Rh.
Shpesh kemi dëgjuar të flitet mbi faktorin Rhesus dhe shpesh frikësohemi kur rezultojmë faktor Rh-. A përbën rrezik? Sigurisht që po! Kjo, gjithmonë nëse ju neglizhoni konsultën tuaj mjekësore.
Çfarë është faktori Rh?
Faktori Rh është nje proteinë e gjendur në sipërfaqen e qelizave të kuqe të gjakut, eritrociteve. Nëse kjo proteinë gjendet në qeliza, thuhet se rasti në fjalë është rhesus pozitiv. Në të kundërt, negativ. Gjatë shtatzënisë, probleme mund të lindin nëse nëna është rhesus negativ, kurse fetusi rhesus pozitiv. Mjekësia njeh metoda të ndryshme për parandalimin e këtyre problemeve.
Si e merr fetusi faktorin Rh?
Faktori Rh trashëgohet nga prindi te fëmija. Sipas të dhënave, shumica e njerëzve janë Rh pozitiv, që do të thotë se kanë të trashëguar faktorin Rh nga nëna ose babai. Në rastet kur faktori Rh nuk trashëgohet, fetusi është Rh negativ. Kur nëna është negative dhe fetusi pozitiv në faktorin Rh, kemi të bëjmë me të ashtuquajturën papajtueshmëri Rhesus.
Pse papajtueshmëria Rhesus përbën problem?
Kur gjaku i fetusit Rh-pozitiv kalon në sistemin qarkullues të nënës Rh-negative, trupi i saj do të shënjojë gjakun pozitiv në faktorin Rh si jo te sajin, duke prodhuar antitrupa anti-Rh. Këto antitrupa kanë aftesinë të depërtojnë placentën dhe të sulmojnë qelizat e gjakut të fetusit. Per pasojë, eritrocitet e fetusit shkatërrohen me shpejtësi më të lartë sesa zevendësohen, duke rezultuar në anemi dhe disa raste, edhe vdekje të fetusit.
Si mund të parandalohen problemet që lidhen me faktorin Rhesus?
Qëllimi i trajtimit mjekësor është të ndalojë nënën Rh-negative së zhvilluari antitrupa. Për të arritur këtë, nevojitet një analizë e thjeshtë gjaku për të përcaktuar fillimisht statusin Rh. Për këtë dhe hapat në vazhdim në varësi te statusit Rh, duhet të drejtoheni tek mjeku juaj obstetër-gjinekolog.
A mund të formohen antitrupa edhe në rastet e nderprerjes së shtatzënisë?
Po! Nëna Rh-negative mund të prodhojë antitrupa edhe pas:
- Një aborti spontan
- Një shtatzënie ektopike
- Një aborti te induktuar
Nëse gruaja Rh-negative tenton shtatzëni pas një prej eventeve te sipërpërmendura pa marrë trajtimin mjekësor, fetusi i ardhshëm rrezikon problemet e lidhura me papajtueshmërine Rhesus.
Çfarë është Rh imunoglobulin?
Rh immunoglobulin (RhIg) është mjekimi që parandalon formimin e antitrupave dhe për rrjedhojë edhe aneminë fetale në një shtatzëni te ardhshme. RhIg jepet në formën e injeksionit dhe nuk është efektiv nëse antitrupat janë formuar më parë. Për këtë situatë, duhet t’i drejtoheni mjekut tuaj obstetër-gjinekolog.
Kur mund të merret Rh imunoglobulin?
Në javën e 28 te shtatzënisë: Një numër i vogël grash Rh-negative mund të ekspozohen ndaj qelizave të gjakut të fetusit Rh-pozitiv në muajt e fundit të shtatzënisë dhe mund të reagojnë duke formuar antitrupa. RhIg që jepet në javën e 28 të shtatzënisë shkatërron qelizat në fjalë Rh-pozitive në trupin e nënës, duke parandaluar formimin e antitrupave Rh-pozitiv.
Brenda 72 oresh nga lindja e një foshnjeje Rh-pozitive: Mundësitë më të medha të kalimit të gjakut të fetusit Rh-pozitiv në atë të nënës Rh-negative janë në fakt gjatë procesit të lindjes. RhIg parandalon formimin e antitrupave nga ana e nënës, duke parandaluar kështu edhe efektin që mund të kishin këto të fundit në rastin e nje shtatzënie te ardhshme.
Në cilat raste të tjera mund të nevojitet RhIg?
- Pas një shtatzënie ektopike ose aborti.
- Pas amniocentezes, marrje të gjakut fetal, ose operacioni fetal.
- Në raste gjakderdhjeje pergjatë shtatzënisë.
- Në rastin e traumave abdominale gjatë shtatzënisë.
Çfarë ndodh nëse antitrupat formohen?
Trajtimi me RhIg nuk është efektiv nëse antitrupat janë ndërkohë të formuar. Në raste të tilla, gjendja e fetusit mbahet nën kontroll përgjatë shtatzënise me anen e ultratingujve.
Dr. Ardi Prushi
Përshtati: Ajna Gjyla
Leave Your Comment