42

Hemorragjia e tremujorit të parë – Cili është shkaku?

Trimestri i parë, pra tri muajt e parë të shtatzënisë, shoqërohen me ndryshime dramatike të trupit.

Pavarësisht se masa e pantallonave mund të mos ju ketë ndryshuar, shumë është duke ndodhur në fakt brenda trupit tuaj. Këtu përfshihen ndryshimet hormonale dhe një sistem qarkullimi i gjakut tërësisht i ri! Me kaq shumë ndryshime dhe zhvillime, gjakderdhja përgjatë trimestrit të parë afërmendsh haset shpesh.

Duke iu referuar një studimi të 2009, 30% e grave kanë gjakderdhje të lehtë në trimestrin e parë. Kjo mund të jetë pjesë e një shtatzënie normale. Në fakt, shumica e grave në të cilat haset, procedojnë në një shtatzëni normale dhe të shëndetshme.

Gjakderdhja në trimestrin e parë vjen si pasojë e disa arsyeve, të përmendura dhe shpjeguara më poshtë.

Shkaqet e gjakderdhjes në trimestrin e parë:

Gjakderdhjet e lehta nuk paraqesin shqetësim, vecanërisht nëse zgjasin vetëm një ose dy ditë. Sipas studimeve, është treguar se gratë që kanë gjakderdhje gjatë muajve të parë të shtatzënisë, përjetojnë shtatzëni të ngjashme me ato që nuk kanë.

Nga ana tjetër, gjakderdhjet në masë shoqëruar edhe me simptoma të tjera mund të jenë indikatorë të problemeve më serioze.

Gjakderdhja e implantimit

Implantimi nënkupton vezën e fertilizuar në përpjekje për të gjetur hapësirën e saj dhe për t’u vendosur përfundimisht në brendësi të mitrës. Kjo ndodh 6 deri në 12 ditë pas konceptimit. Veza e fertilizuar udhëton drejt shtëpisë së saj të re dhe duhet të vetëvendoset në veshjen e brendshme të mitrës për të siguruar oksigjenin dhe ushqimin e nevojshëm.

Kjo vendosje mund të bëhet shkak për gjakderdhje. Gjakderdhja e implantimit zakonisht ndodh pikërisht para ditës së pritur për ardhjen e periodave dhe shpesh keqinterpretohet si nisje e tyre.

Të dalluarit midis gjakderdhjes së implantimit dhe periodave mund të jetë sfidues. Kjo edhe sepse simptomat jane të ngjashme:

  1. Dhimbje mesatare (cramps)
  2. Dhimbje fundshpine
  3. Dhimbje koke
  4. Nausea
  5. Gjinj sensitivë

Megjithatë, dallimet midis të dyjave ekzistojnë: si fillim ngjyra, e cila në gjakderdhjen e implantimit është më e lehtë- rozë e lehtë deri në kafe të hapur. Së dyti kohëzgjatja, zakonisht nga disa orë deri në dy ditë dhe nuk përfshin asnjëherë gjakderdhje në masë.

Polipet e qafës së mitrës

Përafërsisht 2 deri në 5% e grave kanë polipe- zgjatime të vogla në formën e gishtave-në qafën e mitrës, midis vaginës dhe mitrës.

Polipet e mitrës zakonisht nuk shkaktojnë kancer. Megjithatë, ato mund të pësojnë inflamacion ose të irritohen duke sjellë gjakderdhje në ngjyrë të kuqe të ndezur.

Marrëdhëniet seksuale ose ekzaminimet fizike

Ekzaminimet fizike dhe kryerja e marrëdhënieve seksuale mund të irritojnë qafën e mitrës duke shkaktuar gjakderdhje. Kjo ndodh sepse ndryshimet hormonale gjatë shtatzënisë mund ta bëjne zonën më sensitive se zakonisht.

Pra, nëse përjetoni gjakderdhje në të kuqe të ndezur menjëherë pas seksit ose një ekzaminimi fizik, mos u shqetësoni! Gjakderdhja me shumë gjasa do të ndalojë vetvetiu.

Aborti

Ndonjëherë gjakderdhjet e lehta shndërrohen në më të rënda. Në fakt, thuhet se cdo gjakderdhje në masë në trimestrin e parë, vecanërisht nëse shoqërohet me dhimbje, mund të jetë e lidhur me një abort. Shumica e aborteve spontane ndodhin në trimestrin e parë të shtatzënisë.

Rreth 20% e shtatzënive kalojnë në abort. Shumica e tyre nuk mund të parandalohen dhe nuk janë absolutisht përgjegjësi e gruas ose shenjë që dicka nuk shkon me të. Nga ana tjetër, shumica e grave arrijnë të kenë të tjera shtatzëni të shëndetshme edhe pas një aborti.

Simptomat e abortit spontan janë si më poshtë:

  • Gjakderdhje vaginale në masë të konsiderueshme
  • Gjakderdhje në ngjyrë të kuqe të ndezur ose kafe
  • Dhimbje në zonën e poshtme të stomakur
  • Dhimbje e fortë dhe therëse në fundshpinë
  • Mpiksje të gjakut

Nëse simptomat e mësipërme janë prezente, telefononi mjekun tuaj. Mund të keni gjakderdhje ose simptoma të tjera të abortit spontan, pa bërë në fakt abort.

Shkaqet e këtyre simptomave, kur nuk janë paralajmëruese të abortit, përfshijnë:

  • Trauma të zonës së stomakut
  • Infeksione
  • Ekspozim ndaj medikamentesh specifike

Të qenit shtatzënë me disa foshnje

Shtatzënia me binjakë ose më shumë se një bebe sjell mundësi më të larta për gjakderdhje gjatë trimestrit të parë per shkak të implantimit.

Gjithashtu, abortet në trimestrin e parë hasen më shpesh në shtatzënitë multiple.

Shtatzënitë ektopike

Shtatzënia ektopike ndodh kur veza e fertilizuar gabimisht vetëvendoset jashtë mitrës. Shumica e shtatzënive ektopike gjenden në tubat e Fallopit-lidhjet midis vezoreve dhe mitrës.

Shtatzënitë ektopike janë më pak prevalente se abortet. Hasen në rreth 2.5% të të gjithë shtatzënive. Foshnja mund të zhvillohet dhe rritet vetëm në mitër, kështu që shtatzënitë ektopike kërkojnë trajtim medikamentoz.

Simptomat e shtatzënise ektopike përfshijnë:

  • Gjakderdhje
  • Dhimbje therëse
  • Presion rektal

Nëse shtatzënia ektopike ju ndodh, duhet të jeni të vetëdijshme që nuk jeni ju shkaktarët.

Shtatzënia molare

Një tjetër shkak i gjakderdhjes në trimestrin e parë është shtatzënia molare. Ky komplikacion i rallë dhe serioz haset vetëm 1 në 1000 shtatzëni.

Shtatzënia molare ndodh kur indi i placentës rritet përtej normales për shkak të një gabimi gjenetik gjatë fertilizimit. Fetusi mund të mos rritet aspak. Shtatzënitë molare rezultojnë në abort në trimestrin e parë.

Simptomat përfshijnë:

  • gjakderdhje në ngjyrë të kuqe të ndezur ose kafe
  • dhimbje ose trysni në zonën e poshtme të stomakut
  • nausea
  • të vjella

Hemorragjia subkorionike

Hemorragjika subkorionike ose hematoma është gjakderdhje që vjen si pasojë e placentës minimalisht të shkëputur prej murit të mitrës. Një qese formohet në zonën midis.

Hemorragjitë subkorionike variojnë: të voglat janë më të shpeshta. Më të mëdhatë shkaktojnë më shumë gjakderdhje. Një numër i madh grash mund të kenë hematoma dhe gjithashtu një shtatzëni të shëndetshme. Megjithatë, hemorragjia subkorionike e konsiderueshme mund të rrisë riskun për abort në 20 javët e para të shtatzënisë.

Simptomat përfshijnë:

  • Gjakderdhje në ngjyrë rozë, të kuqe, ose kafe.
  • Dhimbje në zonën e poshtme të stomakut

Infeksionet

Gjakderdhja në trimestrin e parë mund të mos ketë si shkak shtatzëninë. Shkaqe të tjera mund të përmendim: infeksione në zonën e legenit, fshikëz ose traktin urinar. Këto infeksione mund të kenë origjinën nga baktere, viruse, ose fungi.

Infeksione mykotike serioze ose inflamacione (vaginitis) mund gjithashtu të shkaktojë gjakderdhje. Simptoma të tjera shoqëruese janë:

  • Kruarje
  • Dhimbje në zonën e poshtme të stomakut
  • Djegie gjatë urinimit
  • Sekrecione në ngjyrë të bardhë
  • Gunga në zonën e jashtme të vaginës

 

 

 

Gjakderdhja në trimestrin e dytë dhe të tretë

Gjakderdhja në trimestrin e dytë ose të tretë paraqitet zakonisht më serioze se ajo e trimestrit të parë.

Shkaqet përfshijnë:

  • Probleme të qafës së mitrës: inflamacioni ose rritjet në qafën e mitrës mund të shkaktojnë gjakderdhje të lehta, zakonisht jo serioze.
  • Shkëputja e placentës: placenta shkëputet nga mitra përpara ose gjatë lindjes. Kjo ndodh në vetëm 1% të grave.
  • Previa placentare: placenta është e pozicionuar në zonën e poshtmë të mitrës dhe pjesërisht mbulon qafën e mitrës. Gjakderdhja nuk shoqërohet me dhimbje.
  • Vasa previa: disa nga enët e gjakut të placentës përshkojnë qafën e mitës.
  • Lindje premature

Kur duhet të kërkoni ndihmën e mjekut:

Vini në dijeni mjekun tuaj për cdo lloj gjakderdhjeje përgjatë shtatzënisë. Kujdes shëndetësor i menjëhershëm nevojitet kur hasni një ose disa prej simptomave të mëposhtme:

  • Gjakderdhje në sasi të madhe
  • Sekrecione të shoqëruara me mpiksje
  • Dhimbje të forta
  • Cramping intense
  • Nausea
  • Marrje mendsh
  • Ethe
  • Temperature mbi 38°C

Mjeku do të interesohet për:

Një ekzaminim i shpejtë mund të shfaqë shkakun e gjakderdhjes. Mund t’ju kerkohet:

  1. Një ekzaminim fizik
  2. Ultratinguj
  3. Ekzaminim Doppler
  4. Analizë gjaku

Analiza e gjakut tregon nivelet hormonale. Hormoni kryesor gjatë shtatzënisë-i prodhuar nga placenta- është human chorionic gonadotropin (hCG).

Nivele të larta të hCG mund të nënkuptojnë:

  • Shtatzëni multiple
  • Shtatzëni molare

Nivele të ulta të hCG mund të nënkuptojnë:

  • Shtatzëni ektopike
  • Abort i mundshëm
  • Rritje anormale

Skaneri mund të tregojë vendndodhjen dhe rritjen e foshnjës. Përmasat e foshnjës mund të sigurohen përmes ultratingujve. Rrahjet e zemrës mund të kontrollohen me anë të ultratingujve ose skanerit Doppler që në 5 javët e para të shtatzënisë.

Trajtimi

Disa nga shkaqet që rezultojnë në gjakderdhje, si polipet e qafës së mitrës, mund të trajtohen menjëherë nga mjeku. Komplikacione të tjera mund të kenë nevojë për trajtime më të zgjatura, medikamente, ose kirurgji.

Nëse gjakderdhja është shenjë që shtatzënia juaj nuk mund të vazhdojë normalisht, mjeku mund t’u pershkruajë medikamente si:

  • Methotrexate, i cili ndihmon trupin në përthithjen e indit të dëmshëm si në shtatzëninë ektopike
  • Misoprostol, i cili përdoret për t’I dhënë fund një shtatzënie potencialisht të rrezikshme në 7 javët e para.

Mjeku juaj gjithashtu ju keshillon për kohën e nevojshme para përpjekjeve të reja për një tjetër shtatzëni.

Abortet spontane mund t’ju rëndojnë psikologjikisht. Drejtojuni psikologut për t’ju asistuar në këtë humbje.

Përmbledhje

Gjakderdhja në trimestrin e parë mund të ngjajë alarmuese dhe e frikshme, por në më të shumtat e rasteve është thjesht një pjesë normale e javëve të para të shtatzënisë.  

Gjakderdhja në masë mund të jetë shenjë e dickaje më serioze. Konsultohuni me mjekun tuaj.

 

 

Shkaqet e gjakderdhjes së lehtë të trimestrit të parë që zakonisht nuk paraqesin rrezik janë:

  • Implantimi
  • Polipet e qafës së mitrës
  • Infeksionet uterine
  • Infeksionet e mykut
  • Shtatzënitë multiple

Shkaqe më serioze të gjakderdhjes në trimestrin e parë përfshijnë: miscarriage

  • Shtatzëni molare
  • Shtatzëni ektopike
  • Hemorragji subkorionike

Shtatzënia mund të jetë një karvan emocionesh dhe simptomash. Mos harroni të shijoni udhëtimin!

Përshtati: Ajna Gjyla

Dr. Ardi Prushi

Leave Your Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *