46

Aborti medikal – pilulat e abortit: risqet dhe gjithçka që duhet të dini.

Aborti medikal është një proçedurë që përdor medikamentet për përfundimin e një shtatëzënie.  Ky abort nuk kërkon ndërhyrje kirurgjikale apo anestezi dhe mund të kryhet në një klinikë mjrkësore ose në shtëpi, gjithnjë duke planifikuar vizita kontrolli me mjekun tuaj.

Është një mënyrë e sigurt dhe efektive nëse kryhet në trimestrin e parë të shtatëzënisë.
Në momentin që po konsideroni të kryeni një abort mjekësor mund të përballeni me sfida emocionale dhe psikologjike. Prandaj është e rëndësishme që të keni informacionin e duhur dhe gjithashtu të konsultoheni me mjekun tuaj hap pas hapi.

Arsyet e kryerjes së një aborti medikal janë tërësisht personale. Zgjedhja është në dorën tuaj, mjafton të siguroheni që po e kryeni në kushtet më të mira të mundshme dhe gjithmonë pas diskutimit me një profesionist.

Risqet:

  • aborti jo i plotë, çka kërkon kryerjen e një proçedure kirurgjikale më pas
  • vazhdimi i shtatëzënisë, nëse proçedura nuk funksionon.
  • gjakrredhje e shumtë dhe e zgjatur
  • infeksion
  • temperaturë
  • diskomfort i sistemit digjestiv

Aborti mjekësor nuk ndikon në shtatëzënitë e mëvonshme nëse nuk është shoqëruar me komplikacione.

Kini parasysh që aborti mjekësor nuk është zgjedhja e duhur për ju nëse:

  • shtatëzënia është më tepër se 9 javë ( që nga menstruacioni i fundit)
  • keni një paisje intrauterine (IUD)
  • dyshoni për shtatëzëni ektopike ( shtatëzëni jashtë mitrës)
  • keni probleme shëndetësore të tilla si: çrregullime të koagulimit, sëmundje kardiake apo të enëve të gjakut, sëmundje të rënda të mushkërive, mëlçise apo veshkave, konvulsione të pakontrolluara.
  • jeni në mjekim me hollues gjaku apo me steroide ( kortizon, hidrokortizon, dexametazon etj.)
  • nuk keni të planifikuara vizita kontrolli me mjekun tuaj ose nuk keni akses në një qendër emergjencash mjekësore
  • jeni alergjikë ndaj medikamenteve të përdorura.

Për vajzat/gratë për të cilat eleminohet opsioni i abortit mjekësore, ekzistojnë të tjera mundësi aborti siç është dilatacioni dhe kyretazhi (D&C-proçedurë kirurgjikale e kryer nga mjekë specialistë).

Si të përgatiteni për një abort mjekësor?

Fillimisht duhet të konsultoheni me doktorin tuaj për të diskutuar proçedurën. Probabilisht mjeku juaj:

  • do vlerësoje historinë tuaj mjekësore dhe shëndetin e përgjithshëm
  • të konfirmojë shtatëzëninë me një ekzaminim fizik
  • të kryejë një ekografi për të vlerësuar moshën e shtatëzënisë dhe për të përjashtuar shtatëzëninë ektopike ose ndonjë masë tumorale të zhvilluar në uterus.
  • të kryejë analiza gjaku dhe urine
  • t’ju shpjegojë si funksionon proçedura, efektet anësore, risqet dhe komplikacionet e mundshme.

Gjatë proçedurës:

Aborti mjekësor mund të kryhet përmes medikamenteve të mëposhtme:

Mifeprostoni dhe misoprostoli oral- ky kombinim përbën tipin më të zakonshëm të abortit mjekësor.

Mifepristoni vepron duke bllokuar progesteronin, duke mos lejuar mitrën në këtë mënyrë të presë embrionin.

Misoprostoli nga ana tjetër, shkakton kontraktimin e mitrës në mënyrë që gjithçka që ndodhet brenda saj të dalë jashtë përmes vaginës (bashkë me embrionin).

Nëse ky është aborti që ju keni vendosur të zgjidhni bashkë me doktorin tuaj, me shumë siguri do e merrni mifepristonin në klinikë dhe misoprostolin në shtëpi pas disa orësh/ditësh sipas udhëzimeve të mjekut tuaj.

Rreth një jave pas proçedurës duhet të planifikoni një vizitë mjekësore për tu siguruar që aborti ka qenë i plotë.

Krahas tabletave orale të misoprostolit ekzistojnë  edhe tableta bukale (që vendosen në gojë), sublinguale (poshtë gjuhës) apo vaginale.  Për të tilla detaje ju informon dhe ju udhëzon për përdorimin mjeku juaj.

Një opsion tjetër është kombinimi i metotreksatit me misoprostolin vaginal.

Zgjedhja e opsionit të duhur për ju bëhet së bashku me specialistin e fushës i cili ju rekomandon medikamentet më të përshtatshme.

Disa efekte anësore të pilulave të përdorura për abort mjekësor janë:

  • të përzierat
  • të vjellat
  • temperatura
  • ethet
  • diarre
  • dhimbje koke.

Pas proçedurës

Shenja dhe simptoma që kërkojnë vëmendje mjekësore dhe për të cilat ju duhet të jeni shumë të vëmendshme janë:

  • gjakrrjedhje masive- përdorimi i dy ose më shumë linesave gjatë një ore, për të paktën 2 orë.
  • dhimbje e fortë abdominale/e shpinës
  • temperaturë që zgjat më tepër se 24 orë
  • rrjedhje vaginale me erë shumë të rëndë

KUJDES

Ndonëse aborti medikal nuk përfshin një ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk është e domosdoshme të kryhet në spital/klinikë mjekësore është i domosdoshëm kontrolli mjekësor pas kryerjes së tij.

Përgjithësisht është proçedurë e sigurt nëse kryhet në mënyrën e duhur dhe mbikqyret nga një profesionist.

Pas abortit mjekësor, në vizitën e kontrollit mjeku juaj do sigurohet që gjithçka po shkon ashtu siç duhet, do vlerësojë përmasat e mitrës, gjakrrjedhjen apo ndonjë shenjë infeksioni.

Për të ulur riskun për infeksion, shmangni marrëdhëniet seksuale vaginale apo përdorimin e tamponëve për 2 javë mbas abortit.

Me shumë mundësi doktori do ju pyesë nëse e keni ende ndjesinë e të qenit shtatëzënë, nëse e patë ekspulsionin (daljen nga vagina) të embrionit, sasinë e gjakrrjedhjes që keni patur apo nëse kjo gjakrrjedhje vazhdon.

Nëse doktori juaj dyshon për vazhdimin e shtatëzënisë do ti nënshtroheni një ekografie dhe nëse ky dyshim konfirmohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për të përfunduar abortin.

 

Dr. Ardi Prushi

Përgatiti: Frisiana Mirashi

 

Leave Your Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *